Ballina Dossier HISTORI/ Demostratat e 19 tetorit në Pejë-1968

HISTORI/ Demostratat e 19 tetorit në Pejë-1968

31
0

Nga Ramadan Blakaj

Në këtë vit u bënë 57 vite nga demonstratat e vjeshtës së vitit 1968,kur për herë të parë pa Luftës së Dytë Botërore,shqiptarët kërkuan Flamurin e lirë kombëtar,Kosovën Republikë,Kushtetutë dhe Vetëvendosje për viset shqiptare nën pushtimin jugosllav.Këto demonstrata patën peshë të rëndësishme historike,sepse ishin përpjekje të rinisë dhe të gjithë popullit shqiptar për liri,pavarësi dhe pavarësi, siç ishte e tillë e terë Lëvizja Kombëtare Shqiptare nga viti 1912 e deri në Luftën e fundit Çlirimtare në Kosovë.

Përpjekje për çlirim pati edhe në pjesë tjera shqiptare përreth Kosovës në vitet 1998-2001.Revoltë, mospajtim popullor pati shumë më herët.Gjithçka erdhi duke evoluar, ashtu sikurse edhe asparita e popullit dhe e rinisë së tij për liri e pavarësi.Shpërthimi i demonstratave e dëshmoi më së miri këtë.

Njëra nga demonstratat më masive ka qenë ajo e Pejës. Demonstrata sikur testonte pulsin, por ishte edhe si provë për organizimin e demonstratave në Prishtinë dhe në qendrat e tjera të viseve shqiptare.Propozimin për organizimin e demonstratës e dha Zymer Neziri, në koordinim me studentin Isa Demaj dhe Meriman Brahaj, të cilët kanë vepruar në grupin për Rrafshin e Dukagjinit në Prizren.Pa dyshim që e mirëpritëm dhe e aprovuam, si unë( Ramadan Blakaj)ashtu edhe Xhemajl Gashi. Kështu u bëmë treshja jonë: Zymer Neziri, Xhemajl Gashi dhe Ramadan Blakaj -kryeorganizatorë.Takimi i parë u mbajt te Mullini i Bekës- pronë e familjës Neziri në Kapeshnicë, ku u ndanë detyrat dhe u bënë përgaditjet e nevojshme të veprimit.Zymeri mori përsipër organizimin në „Gjimnazi 11 Maji“, Xhemajli- „Shkolla Normale Ali Kelmendi“, kurse Ramadani -„Shkolla Teknike“ dhe „Shkolla Komerciale“.

Mirëpo,përkundër kësaj ndarjeje, forcat do t‘i përqendronim në Shkollën Normale, sepse aty kishim shumë profesorë dhe nxënës të njohur,shokë gjenerate të mbetur, vëllezër e djemë axhallarësh, e të ngjajshëm,të cilët dhanë kontributin e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e demonstratës.

Xhemajli veproi me shumë përkushtim për të koordinuar punën me grupin e nxënësve të Normales, në krye me Miftar Tishukun, të cilin e kishin ndihmuar nxënësit Rexhep Ferizi,Demë Mulliqi,Sylë Kuqi,Sadik Binakaj,Faze Muçaj, Imer Zeqiraj etj.

Edhe nxënësit; Sadik ( Osman) Gashi nga Orroberda- tashmë me shtëpi në Pejë, Shpend ( Zeqë) Blakaj nga Llukaci i Begut-( vëllau im),nxënës në klasën e parë dhe të dytë, morën përsipër të ndihmojnë organizimin në paralelet e tyre.

Këta të dy, kishin shokë të klasës nxënësit;Demë dhe Sokol Dreshaj,Ramadan ( Kajtaz) Gashi- i një lagje me Sadik Gashin, Brahim Pelaj, Tahir Camaj,Zeqir Mulliqi, Riza Sadrijaj,Shaban Presheva,Isuf Veseli, Haxhi Shala, Mehmet (Halil)Blakaj, Gjeladin (Shaban) Blakaj e shumë të tjerë të cilëve nuk ua di emrat.

Demonstratën e mbështeti edhe Sali Kelmendi- mësimdhënës i muzikës në Shkollën Normale, qe edhe banonte aty,me të cilin që nga fillimi kishte biseduar Xhemajl Gashi, për organizimin e demonstratës.

-Për organizimin e demonstratës ishte i njoftuar që nga fillimi edhe vëllau Sadik Blakaj, i cili me shumë devotshmëri i kryente punët që i ipeshin.Demonstratës i ka kontribuar në mënyrë specifike edhe Tafë Shala- bujk nga Tresteniku dhe studenti i asaj kohe Riza Smaka- i cili gjithmonë ka qenë prezent në organizime të tilla.

Vlen të theksohet se për organizimin e demonstratës i kam venë në dijeni edhe shokët e grupit tonë- që ka qenë një bërthamë e fortë vepruese që gjallëron edhe sot; Muhamet Shatri- profesor në Gjimnazin e Istogut, Ismet Gashi- mësues në Klinë, dhe Ibrahim Shala- mësues në Muzhevinë të Istogut.Këta bashkëveprimtarë ishte me rëndësi që të mos zbuloheshin, në mënyrë që dikush nga ne të mbetej jashtë dhe të vazhdonte veprimtarinë e filluar.

Përgaditjet teknike

Në prag të demonstratës, zejtarët;Rexhep Berisha e Ali (Azem) Lajçi, me nxënësën Emine Neziri- e motra e Zymerit, kanë përgaditur shënja identifikuese kuq e zi, për të identifikuar protestuesit e vërtetë nga infiltrimi i mundshëm i përsonave me qëllime të dyshimta e provokative.

Kurse studenti Murat Gorani, në koordinim me Zymerin e sollën Flamurin nga Prizreni në Pejë.Atë Flamur ua kishte siguruar familja Brahaj nga Prizreni, familje kjo e njohur për atdhetari.

Kokën e shtizës së Flamurit e zbukuroi me shumë dashamirësi Profesori i Artit-Zyhdi Çakolli.Parullat i formuloi Zymeri, të cilat pastaj i miratoi Këshilli Organizativ.

Materialet u vëndosën në banesën e nxënësve Shpend ( Zeqë) Blakaj dhe Xheladin (Shaban) Blakaj nga Llukaci i Begut ; vëlla dhe djalë i axhës tim, të cilët kanë banuar në shtëpinë e Shyqri Bakraqit në Pejë.

Një pjesë tjetër e materiale u vëndos në shtëpinë e Osman Gashit- djalit të Bardh Isufit- Gashit, i cili ka qenë Anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918-1924), Kryetar i Islihatit për Nënprefekturën e Istogut 1941-1944, veprimtar i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare dhe luftëtar i çetave të armatosura të qëndreses atdhetare të Podgurit 1944-1945.

Për materialet dhe Flamurin është përkujdesur vëllau Sadik Blakaj,e në Shkollën Normale i kanë sjellur nxënësit e klasës së parë të kësaj shkolle; Sadik ( Osman) Gashi, Shpend Blakaj dhe Xheladin Blakaj,tek të cilët ishin vendosur ato, së bashku me nxënësin tjetër Mehmet (Halil) Blakaj.

Pastaj, në oborrin e Shkollës kemi shkuar edhe ne organizatorët- Zymeri, Xhemajli, Ramadani. Shenjat dalluese- shiritat kuq e zi , shumicën ua kemi dhënë nxënësve të lartëpërmendur që t‘ua shpërndanin të tjerëve, përfshirë edhe disa nga profesorët.

Profesorëve Fatmire Xhafa dhe Zyhdi Çakolli ua kemi vendosur përsonalisht këto shenja.

Vlen të theksohet se asnjë nga profesorët nuk ka tentuar të ndalojë nxënësit,madje as Drejtori, veçse ka kërkuar të marrim edhe një fotografi të Titos.Natyrisht që nuk kemi pranuar. Kështu të gjithë nxënësit e Normalës kanë dalur në oborr.Shpalosëm Flamurin Kombëtar,u treguam për qëllimin e këtij manifestimi, u bashkuan edhe nxënësit e Shkollës Bujqësore aty përballë Normalës dhe filluam marshimin në drejtim të qytetit.Bashkë me nxënësit erdhën edhe profesorët Sadri Kelmendi dhe Bajram Ahmetgjekaj.

Marshuta ka qenë: Shkolla Normale, SPB, Shkolla e Artit, Gjimnazi 11 Maji, për t‘u kthyer kah Kisha Katolike, Qendra e Qytetit,Çarshia e Gjatë, Lama e Drithit, Stacioni i Trenit dhe prapë Shkolla Normale.

Marshuta shkoi pa pengesa deri tek Gjimnazi. Aty kishin dalur strukturat e Komitetit Komunal të LKS si dhe ato të rinisë të cilat u përpoqën të na bindnin të kthehemi dhe të shpërndahemi.Mirëpo turma nuk i përfilli dhe vazhdoi itinerarin e saj. Kjo masë u grumbullua në sheshin e qytetit përpara Kuvendit Komunal, i cili ishte mbushur me përplotë me qytetarë.

Mijëra protestues brohoritën për Republikë,për Flamur, për Vetëvendosje në të gjitha viset shqiptare,të shoqëruara me këngët e kohës; „ Fryn Murlani“, „ Kur ka ra Kushtrimi n‘Kosovë“, „ Mori Shkodër“, „ Dedë Gjo Luli“ etj që ushtonin gjithë qytetin. Ishte ditë e Shtunë,dhe në qytet kishte shumë njerëz që kishin ardhur nga fshatrat për pazar.Ata e lëshuan tregun duke lënë gjerat që kishin për t‘i shitur dhe u bashkuan me demonstruesit. Binin ne sy pleqtë; Ibrahim Hazir Dreshaj nga Prigoda e Istogut, Isuf Maksutaj-Gashi nga Orroberda, Zeqë Sadik Blakaj nga Llukaci i Begut dhe Januz Isuf Blakaj nga Llugat.Poashtu edhe Zejtarët e Pejës.

Në këtë mënyre demonstrata mori karakter gjithëpopullor, pasi në të morën pjesë njerëz të gjitha shtresave nga qyteti dhe fshatrat përreth.

Mbi qoshkun ku shitej „ Borba“ dhe gazetat tjera serbe, hipën djelmoshat e guximshëm : Sadik Blakaj, Sylë Kuqi dhe Demë Mulliqi, duke brohoritur parullat e përmendura me lartë.

Flamurin Kuq e Zi e mbante në duar Sadik Blakaj, ndërkaq fjalimin me kërkesat e demonstruesve e lexoi Sylë Kuqi.

Pas këtij akti kulmor, Flamurin e mori Rexhep Ferizi dhe demonstruesit vazhduan marshutën kah Çarshia e Gjatë,dhe dolëm tek Lama e Drithit. Që të sensibilizohej edhe më shumë masa, Ukë Kelmendi nga Qyshku i Pejës inkuadroi edhe tupanxhinjt që rastisën aty dhe masa u elektrizua dhe vazhdoi tutje.

Pas disa orësh demonstrimi në qytetin e Pejës, me Flamurin Kombëtar në ballë, duke brohoritur parulla liridashëse dhe duke kënduar këngë atdhetare, përfundoi kjo demonstratë, që ishte manifestimi më i rëndësishëm në Pejë pas Luftës së Dytë Botërore!

Gjatë gjithë demonstratës nuk pati ndërhyrje të forcave policore,përveç kur arritëm tek Stacioni i Trenit u bë një provokim. Aty organizatorët dhe demonstruesit u tubuan rreth Flamurit për ta mbrojtur! Me atë rast Tafë Shala shtiu në ajër me pistoletën e Xhemajl Gashit dhe policët – sigurimsa u zbrapsen.Ne vazhduam marshimin tutje me këngë e brohoritje- sepse këtu nuk përfundoi demonstrata por në Shkollën Normale.

Pas përfundimit të demonstratës, Sadik Blakaj dhe Xhemajl Gashi e vëndosën Flamurin e vetëm që kishim në pikën e nisjës në terasën e Shkollës Normale!

Pas një kohe, Flamurin e hoqëm , për të mos rënë në duart e Organeve të Sigurimit , dhe për ta ruajtur si kujtim bukur të kësaj ngjarje të madhe.

Atë e morën nxënësit Sadik Gashi dhe Shpend Blakaj , të cilët i mori në autobus për Pejë,shoferi i guximshëm Isa Buçolli!

Flamurin e dërguan në shtëpinë e Sadik Gashit.Ai Flamur është përdorur në gazmende familjare dhe u ruajt në shtëpinë time në Llukac të Begut deri në Luftën e fundit Çlirimtare. Meqenëse nuk ishim në shtëpi edhe Flamuri nuk u gjet.

Organet e Sigurimit e kanë përcjellur vazhdimisht demonstratën.Kur tentuan të na arrestonin,që të mos na i zinin pistoletën e Xhemajlit dhe shenjat që na kishin mbetur, ua dhamë ato nxënëseve Shahe Fetaj dhe Hatmane Selmanaj! Këto të dyja ishin fillim e mbarim me demonstruesit dhe kontributi i tyre është shumë i veqantë në mbarëvajtje dhe organizim.

Këtu përfundon demonstrata, në Shkollën Normale e jo tek Stacioni i Trenit. Aty mund të ketë përfunduar për dikë por jo për të gjithë!

Në oborrin e shkollës më afrohet Sherif Bala- efektiv i Sigurimit, i cili kërkoi nga unë dhe vëllai im Sadiku të shkonim në Sekretariat.U arrestuam të dytë.

Sherifi kërkoi që në burg të mbetej vetëm njëri nga ne, por ne insistuam duke thënë ; merrem mua e jo vëllain. Përfundimisht Sherifi më mbajti mua në arrest si më i vjetër- dhe si „bajraktar të kësaj pune „ siç shprehej ai.

Në fakt ai na njihte të dyve,sepse kishim qenë nxënës të tij në Shkollën Fillore në Gurrakoc, dhe ishim nga i njejti vend.

Para SPB së vijnë edhe Zymeri e Xhemajli duke kërkuar lirimin tonë.

Me të dëgjuar për arrestimin tim,tek Sherifi kishte shkuar babai im Zeqa dhe Ibrahim Shala për të kërkuar lirimin tim!

Mua, pas marrjes në pyetje më liruan.Në pyetjën se pse ju bashkove demonstratës- u thash se; „ na thanë se po manifestojmë në shënjë përkrahje të Strukturave të Larta Shtetërore për përdorimin e lirë të Flamurit dhe simboleve kombëtare , andaj iu bashkuam masës edhe unë me vëlla“!

Pas lirimit tim,pasuan arrestimet e nxënësve për të cilët nuk di kur janë arrestuar. Zymerin Nezirin dhe Xhamajl Gashin i arrestuan ditën e Hënë në tu kthyer nga mësimi! Mua më riarrestuan ditën e Martë poashtu pas mësimit!

Pushteti, duke dashur të minimizojë jehonën e demonstratës, organizatorët e saj nuk i dënoi shumë! Mua që kisha marë barrën kryesore të organizimit më dënuan me 15 ditë burg, ndërsa Zymerin e Xhemajlin me nga 10 ditë, por këtyre të dyve ua shtuan edhe nga 20 të tjera.

Dënimet na i ka shqiptuar Enver Nimani- gjykatës për kundravajtje, njeri me kurajo dhe integritet të lartë kombëtar.

Ai gjatë procedurës na tha; „ mos u merzitni, se krejt Peja është me ju“, nuk do t‘ju denoj asnjërin me më shumë se një muaj, e do mundohem edhe më pak, se po ju dënova shumë nuk kam si të dal në Korzo prej shokëve „

Vlen të theksohet se, sjellja e organeve të Sigurimit ka qenë korrekte pothuajse gjatë gjithë demonstratës si dhe ndaj të arrestuarve.Edhe gardianët shqiptarë silleshin mirë me ne. Këtu dua të veçoj policin Ibrahim Gashi nga Gllaviçica, i cili vazhdimisht u bërtiste kuzhinierëve;“ mësuesve t‘mi rrini gati me bukë“( ne të tre ishim mësues). Kësi qendrimi kishte edhe Drejtori i Burgut Fuat Kryeziu- vëlla i regjisorit Ekrem Kryeziu.

Gardianët serb patën qendrim tjetër.

Mund të përfundojmë se me donstratën e Pejës u përmbyll cikli i parë i demonstratave shqiptare në Kosovë.

Kjo demonstratë, si dhe ato që u organizuan në disa qytete tjera në Kosovë , Maqedoni, Mal të Zi një vit më vonë, bënin me dije se shqiptarët nuk pajtohen me statusin e imponuar politik të vendosur pas vitit 1945 nga Jugosllavia.

Në këto demonstrata, shqiptarët kërkonin të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare, të drejtën për tu quajtur komb, të drejtën për vetëvendosje dhe të drejtën për shtetin e tyre- Kosovën Republikë në kuadër të Federatës së asaj kohe.

Demonstratat e vitit 1968 ishin edhe frymëzim për vazhdimin e përpjekjeve për liri e bashkim kombëtar, frymëzim për qëndresën gjithëpopullore të viteve 80-90 ta, dhe përfundimisht për organizimin e Luftës Çlirimtare për Pavarësinë e Kosovës.

Në fund, shpreh mirënjohje për të gjithë nxënësit , që ndonëse në moshë të re dhanë kontributin e tyre të veçantë . Mirënjohje për përsonelin arsimor që kishte punuar shumë në ngritjën e vedijës kombëtare të nxënësve dhe rinisë shqiptare.Mirënjohje dhe respekt për familjarët e domnstruesve që qëndruan të pa lëkundur në ballafaqim, me shantazhet dhe presionet e kohës, të cilët pësuan burgosje, diferencime, largime nga puna e suspendime nga bankat shkollore! Respekt dhe nderim për shumicën e shqiptarëve të Pejës me rrethinë,të cilët me zemra e më shpirt ishin me kërkesat tona të drejta.

Respekt dhe nderim kolektivit të Shkollës Rilindja në Trestenik,nxënësve të saj dhe fshatrave që fëmijët e tyre vinin në këtë shkollë. Nga prindërit e tyre ishim shumë të respektuar!

Përfundimisht, respekt për fshatin tim të lindjës Llukac i Begut dhe Lluga,qytetin e Istogut, ku gjithmonë pata respektin dhe mbështetjen e duhur!

PS

Pas demonstratave filluan përjashtimet nga puna me „ diagnozen „ i pa përshtatshëm moralisht- ideo politikisht, që don të thotë se nuk mund të punojmë me nxënës. Që të tre; Zymeri, Xhemajli, Ramadani largohemi nga Arsimi.

Unë largohem me 30.12.1968 nga Shkolla Rilindja në Trestenik- komuna Pejë ( Nr 504), „ shetita „ kështu nëpër shkolla; Obiliq, Mushtisht, Gurrakoc, Llukac i Begut.

Përfundimisht largohem nga Arsimi në vitin 1982/83 për të mos punuar asnjëherë asnjë punë shtetërore deri në vitin 1995. Aty më kthyen në punë drejtori i Shkollës Fan.S.Noli z Beqir Blakaj në koordinim me drejtorin e Drejtoratit për Arsim z Milazim Maraj.

Me rastin e përjashtimit tim nga puna në Shkollën e Gurrakocit në vitin 1982/83, po citoj vetëm një nga pikat e arsyetimit të propozimit nr 1550 të datës 20.12.1982 të Drejtorit të Shkollës „ Vasiljie Gjuroviq „ në Gurrakoc ku thot;

1-(Pika 1) … për të gjithë është e njohur se në vitin 1968 Ramadan Blakaj së bashku më vëllain e vet Sadikun, ka qenë organizator i demonstratave në Pejë, të cilat kanë pasur karakter të njejtë ideo politik sikurse edhe Demonstrata e 1981 shit.Për këtë arsye Ramadani një kohë të gjatë ka punuar në Komuna tjera…..

Në shikim të parë, të gjitha këto çka u thanë,mbase dukën për kohë tepër të thjeshta, gati femijërore!Por mendoj,me bindje të plotë se të vërtetat e mëdha gjithmonë janë të thjeshta- të forcuara nga realiteti që i tejshkon kohës, për tu ruajtur në kujtesën historike të kohës dhe të brezave!