Ballina Ekonomia Nga Vora në Hanin e Hotit me 120 km/orë, ja kur synohet...

Nga Vora në Hanin e Hotit me 120 km/orë, ja kur synohet të përfundojë projekti hekurudhor

31
0

16 kompani nga Evropa dhe Azia kanë shprehur interes për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit. TV SCAN ka mësuar se faza e parë e parakualifikimit të tenderit, me kompanitë që do të kalojnë në fazën tjetër, pritet të finalizohet brenda këtij muaji, me miratimin pa kundërshtime që duhet të japë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në listën e aplikantëve përfshihen kompani nga Turqia, Italia, Kina dhe India, si dhe disa konsorciume ndërkombëtare që garojnë në formë joint venture, duke bashkuar kapacitetet teknike dhe financiare për të përmbushur kriteret e kërkuara.

Procedura e prokurimit publik për këtë projekt u hap nga BERZH në dhjetor 2024, ndërsa afati për dorëzimin e aplikimeve u shty nga 24 janari në 24 shkurt 2025. Me mbylljen e fazës së parakualifikimit, kompanitë që do të kualifikohen do të ftohen të paraqesin ofertat teknike dhe financiare në fazat pasuese, me objektiv lidhjen e kontratës brenda vitit të ardhshëm.

Autoritetet konfirmojnë se qëllimi është që fazat e mbetura të prokurimit të përfundojnë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke e konsideruar vitin 2030, si ende realist për përfundimin e plotë të linjës hekurudhore.

Ky projekt, me vlerë totale 368 milionë euro, është ndër më të rëndësishmit në kuadër të modernizimit të transportit hekurudhor në vend. Ai bashkëfinancohet nga BERZH, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe një granti nga Bashkimi Evropian.

Punimet do të përfshijnë rehabilitimin e rreth 120 kilometrave hekurudhë ekzistuese, duke mundësuar shpejtësi operimi deri në 120 km/orë.