Ish-kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, ka rikujtuar kontributin afatgjatë dhe të pandërprerë të këtij institucioni në proceset zgjedhore në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit demokratik dhe shmangien e ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor.
Gjatë fjalës së tij në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Komisionit të Venecias, Buquicchio përshëndeti krijimin e komisionit të ri ndërparlamentar për Reformën Zgjedhore por tha se “rregullat e lojës” nuk duhet të ndryshohen sipas interesave të subjekteve politike apo grupeve të caktuara.
“Ligji zgjedhor, kodi elektoral ka qenë objekt bashkëpunimi për më shumë se tre dekada. Është bërë vendimtar në krizën e vitit 1997. Në vitet e ardhshme ne zhvilluam diskutime me palët e ndryshme për të gjetur zgjidhje të përhershme. Që atëherë, ne ndërhymë dhe dhamë mendime për një numër reformash zgjedhore. Nuk duhet të harrojmë, ashtu si për Kushtetutën, kemi të bëjmë me ‘rregullat e lojës’, dhe rregullat e lojës nuk duhet të ndryshohen në bazë të interesave të lojtarëve apo disa prej tyre. Nëse parashikohen ndryshime, ato duhet të përqendrohen në zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga organizatat ndërkombëtare. Do të përmendja edhe komisionin e ri ndërparlamentar që do të shqyrtojë këtë temë në bashkëpunim me Komisionin e Venecias, dhe ne jemi në dispozicionin tuaj”, deklaroi Buquicchio.