Prokuroria e Tiranës ka regjistruar emrin e Nelson Çelës, si person nën hetim lidhur me aferën e koncesionit të aeroportit të Vlorës. Çela është ish-administrator i kompanisë mëmë në Zvicër, Mabco Construction S.A, që zotëron pjesën më të madhe të këtij koncesioni shumë të diskutueshëm, ndërsa mbi të bien dyshimet për veprën penale “ndërhyrje të paautorizuar në të dhënat kompjuterike”.
Hetimet për koncesionin e aeroportit të Vlorës nisën pas kallëzimit të bërë nga Valon Ademi i kompanisë 2A Group. Ademi ka kallëzuar Behgjet Pacollin, vëllain e tij Emin Pacolli dhe Nelson Çelën për disa akuza, si mashtrim me pasoja të rënda, ndërhyrje në sistemet kompjuterike, etj. Ai ngre dyshime edhe lidhur me një kredi prej 100 mln euro, pas së cilës mund të fshihen dhe interesa ruse.
Me kërkesën e Valon Ademit, Gjykata e Tiranës ka marrë masën e sigurimit të padisë ndaj shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjithashtu është pezulluar edhe e drejta e votës e ortakut të shumicës, shoqërisë “Mabco Constructions SA” të Pacollit, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Ademi pretendon 49% të aksioneve të kompanisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., ndërsa 51% të aksioneve duhet t’i zotërojë “Mabco Constructions SA” e Pacollit.
Pas pyetjes së Valon Ademit, janë marrë në pyetje edhe Valon Lluka, Emin Pacolli, vëllai i Behgjet Pacollit, dhe Nelson Çela./vna