Ballina Dossier “Grupi puçist”/ Vendimi i eliminimit të ushtarakëve pas letrave anonime tek Enver...

“Grupi puçist”/ Vendimi i eliminimit të ushtarakëve pas letrave anonime tek Enver Hoxha! Biseda e panjohur me Ramiz Alinë në vitet ‘90 dhe vizita e ish-Presidentit në Greqi

71
0

I ndodhur me një shërbim pune në Athinë, isha sistemuar për disa ditë në hotelin “STANLEY” në hyrje të Athinës. Një hotel i vjetër por i rikonstruktuar në mënyrë moderne sipas kohës. Pas mbarimit të shërbimit, porosita taksinë e cila më çoi në aeroport. Për çdo të papritur, biletën e kisha prerë vajtjeardhje. Në aeroport u paraqita në sportelin e kontrollit të pasaportave nga policia greke. Polici e mori pasaportën dhe po e shihte me habi. Ishin fundi i viteve 1990 dhe ai nuk e kishte imagjinuar kurrë se do shihte një pasaportë shqiptare me të gjitha faqet e mbushura me vula aeroportesh. I habitur m’u drejtua mua:

-Ti ine afto, qirie, vivlio? (Çfarë është kjo, zotëri, libër?).

-Ia ktheva në greqisht – shërbime pune, zotëri.

Duke e shfletuar, ai gjeti një hapësirë midis fletëve dhe e vulosi duke më uruar: Kalo taksidhi (rrugë të mbarë).

Kalova në sallën e pritjes, u ula në një ndenjëse dhe po ndiqja me kërshëri njerëzit që shkonin e vinin të nxituar nëpër sallë. Duke pasur parasysh se ishte dalja e avionit për në Shqipëri, shumica e tyre shqiptarë. Papritur shoh një shitës biletash “Gërvisht dhe fito” që lëvizte nëpër sallë. Nuk po u besoja syve, para meje qëndronte Mihal Vera, shok pune i viteve 1970-‘80 në Shqipëri. Epo, mendova, gjeta me se ta kaloj orën e mbetur deri në nisje të avionit. U përshëndetëm dhe filloi të më tregonte për jetën në Greqi si refugjat, për familjen etj., etj., ndërsa unë për jetën e situatën time në Shqipëri. Duke biseduar, zgjata dorën të merrja një shirit “Gërvisht dhe fito” për kuriozitet, megjithëse unë në përgjithësi nuk kam pasur interes për lojërat e bixhozit dhe të fatit.

-Jo, jo atë – më tha me rrëmbim Mihali- do marrësh nga këto këtu, se unë e di kush jep para, duke më afruar një të verdhë. E gërvishta dhe për “fat” me të vërtetë fitova njëzet mijë dhrahmi. M’u hap oreksi dhe kërkova edhe dy të tjera, por nuk ndezi. “Prapë mirë, fitove – më tha Mihali – presidenti fitoi vetëm pesë mijë dhrahmi.

-Ç’president po më thua, Mihal?

-Jo or Pëllumb, ja ku e ke te stoli atje me gazetë në dorë.

Mbeta i habitur, ishte Ramiz Alia duke shfletuar gazetën “To Vima”, e shfletonte vetëm duke parë fotot se greqisht nuk dinte.

-Mihal – i thashë – po shkoj t’i bëj shoqëri se është vetëm dhe për muhabet.

U ndamë. Më vonë, vite më vonë e kam takuar Mihalin në Platia Sofia në Patra me të njëjtat shirita “Gërvish e fito”. Por aty ia ktheva “borxhin” duke e qerasur me një drekë të mirë. Duke u afruar, dallova veshjen e Ramizit me një kostum me një kostum gri dhe kravatë të kuqe. Vetë kisha veshur një kostum tafta blu të blerë në Bullgari dhe një palë këpucë me rrudha të blera në Paris. Ramizi kishte këpucë llustrafini dhe dallohej veshja e tij me shije, si njëherë e një kohë kur ishte President. U ula në krah të tij.

Më pa i habitur, nga koka te këmbët dhe më tha:

-Po ç’ne në aeroportin e Athinës, vetëm?

-Eh, mosha ka peripecitë e saj, si e pate emrin ti?

-Pëllumb, Pëllumb Vreka nga Tepelena.

-Pra – vazhdoi Ramizi – edhe unë pata një problem me zemrën dhe doktor Petrela më rekomandoi o Turqinë, o Greqinë për të bërë një bajpass. Miqtë e mi biseduan me shokët grekë të Partisë Komuniste (KKE), të cilët u treguan të gatshëm të më ndihmonin duke paguar të gjitha shpenzimet, përfshirë edhe udhëtimin.

ë ju respektojnë edhe tani që nuk jeni më president.

-Epo, ne kemi shkuar shumë mirë me Partitë Komuniste simotra nëpër botë, sidomos me atë të Zhoao Amazonas të Brazilit, Zhak Gripes të Belgjikës, Palmiro Toliatit në Itali e shumë parti të tjera.

-Po të ndërpres pak, i thashë – ju si parti i keni financuar këto parti, sepse unë kam parë procesverbalet e derdhjes së parave për to, apo jo?

-Po, po, ne kemi financuar jo vetëm ato, por edhe disa organizata revolucionare si të Palestinës, ky është fakt i ditur botërisht.

-Sidoqoftë – vazhdova unë – u vërtetua ajo shprehja, se miku njihet në rrezik dhe është aktuale kurdoherë.

Po ti – m’u kthye – si e pate emrin, Pëllumb, ah po, nga Tepelena, kush je e me se merresh, se mua më njohin të gjithë se kam qenë President.

-Epo, unë shoku Ramiz, të njoh pak më shumë se të tjerët – i thashë me të qeshur e i rraha shpatullën lehtë në shenjë respekti e afrimiteti. Meqenëse jemi në pritje e kushedi se kur vjen avioni, se këta rrallë janë fiks në orar, a mund të bëjmë një bisedë të hapur e pa ekuivoke.

-Patjetër – vazhdoi Ramizi me atë të qeshurën e tij – shkrepe!

-E para – vazhdova unë – është njohja me ju nëpërmjet Adil Çarçanit (ish-Kryeministri i Shqipërisë) dhe Haki Toskës, anëtar i Byrosë Politike dhe i deleguar në Vankën e Shtetit nga viti 1980 deri në vitin 1990, për problemin e prodhimit të kartëmonedhave në vendin tonë pas prishjes me kinezët. Kjo histori, besoj të kujtohet.

-Ashtu është. Ajo nuk ishte një histori dokudo, por një problem madhor kombëtar e strategjik, sepse Banka na njoftoi se po mbaronin rezervat në Thesar të kartëmonedhave nga prodhimi në Kinë dhe nuk dinim se ku do të trokisnim për të zgjidhur atë problem. Dhe kur një shteti i shterojnë paratë në Bankë, ai shtet automatikisht shkërmoqet. Është identike me atë që i ndodhi qeverisë së Sali Berishës kur populli i tërhoqi paratë nga bankat dhe i futi në Firmat Piramidale. Saliu me Meksin, duke parë katastrofën që po afronte, urdhëruan bllokimin e llogarive të firmave piramidale, e cila nga ana ligjore nuk ishte e drejtë, sepse paratë e depozituesve vetëm me firmën e tyre mund të lëvizin.

Ne – vazhdoi Ramizi – kishim dikur problemin e Lipe Nashit. Nafta shitej me firmën e tij dhe po me firmën e tij depozitoheshin në Zvicër nga ku ato para mund të lëvizeshin vetëm me firmën e Lipes. Kur Lipja u akuzua për dështimet në naftë, ne me të mirë ia morëm firmën për të lëvizur paratë, ndryshe zviceranë nuk e shkelnin ligjin.

Atëherë, ai varianti i propozuar nga Hakiu për prodhimin e kartëmonedhave shqiptare në vend ishte i mirë, por donte angazhim të madh se ne nuk kishim prodhuar ndonjëherë para, veç revista e gazeta.

– Dakord, shoku Ramiz, por ju patët problem madhor se nuk kishit asnjë piktor kartëmonedhash. Dhe këtë kolaps ua zgjidhi shoku Prokop Murra (ish-ministri i Mbrojtjes) kur u tha: Piktorin do ua japim ne, është Pëllumb Vreka, specialist muzeumesh, dosjesh, uniformash, dekoratash etj., etj..

-Ah, ti qenke ai piktori i famshëm me të cilin mburrej Prokopi! Por ti Pëllumb, përveçse mjeshtër, je edhe artist.

-Edhe një tjetër, shoku Ramiz!

-Urdhëro e më thuaj se do kesh histori të bukura ti!

– Është fjala për ndodhinë e vitit 1989, kur në Shqipëri erdhi Nënë Tereza dhe ju e pritët personalisht, a ju kujtohet kjo ngjarje!

-Sigurisht, ishte një takim i jashtëzakonshëm. -Po, ju i dhatë edhe një pasaportë shqiptare, por më i rëndësishëm ishte propozimi i Haki Toskës për të realizuar një model kartëmonedhe me portretin e saj. Këtë unë e bëra realitet dhe modeli ju është dërguar juve personalisht.

-Më kujtohet, ishte një ngjarje e madhe t’i jepje Nënë Terezës jo vetëm pasaportën e vendlindjes, por edhe një kartëmonedhë me portretin e saj, por ajo…

-Nuk e pranoi- e ndërpreva unë – me argumentin se nuk donte që portreti i saj të kalonte, përveç të tjerëve edhe nëpër duar trafikantësh dhe kriminelësh.

-Kam bërë edhe punë të tjera me miratimin tuaj – i thashë pas një pauze.

– Njëra ka të bëjë me firmosjen e librezave të të dekoruarve. Atëherë ndodhi që Presidenti Haxhi Lleshi të ishte për kurim jashtë shtetit në Paris dhe duhej firma e tij. Por problemi u zgjidh kur me kërkesën e Rita Markos u ngarkova të falsifikoja firmën e Haxhi Lleshit dhe të firmosja në emër të tij mbi pesëdhjetë e ca libreza të dekoruarish. Tjetra ishte kur ju personalisht, gjykuat se me rastin e 40-vjetorit të Ushtrisë Popullore, Enver Hoxha mund të vishej me uniformë ushtarake dhe për këtë do të duheshin edhe dekoratat. Këto dekorata u përgatitën prej meje me porosi të Rita Markos dhe vet Enveri më dërgoi falënderime nëpërmjet Sokolit, (djali i Enverit). Dhe e fundit ka qenë porosia juaj nëpërmjet Haki Toskës, pas vdekjes së Enverit, se duhej realizuar një seri e plotë me shtatë portrete të Enver Hoxhës. Kjo, për mua në atë kohë ka qenë një nga punët më me përgjegjësi, të gjithanshme, por që falënderimet që mora më bënë të besoj se kisha bërë punë të bukur. Tani, shoku Ramiz, pas këtij “prezantimi” të këtyre fakteve të njohura nga ana juaj mund të them se njohja jonë ka qenë e atëhershme, por në distancë. Për këtë besoj se kam të drejtë të propozoj të bëjmë një bisedë të hapur e të çiltër, le të themi si midis miqve të vjetër. Bëhet fjalë për dy-tri ngjarje në jetën e vendit tonë, për persona, të cilët unë i kam njohur nga afër. Thjesht dëshiroj, i shtyrë thjesht nga kurioziteti, të di vërtetësinë e proceseve të zhvilluara në ato vite.

-Shiko, Pëllumb – më ndërpreu Ramizi – duhet ta kesh të qartë se unë nuk kam qenë në brendësi të të gjitha çështjeve të ndodhura, për arsye sepse ne sekretarët kishim secili sektorin e tij psh., Hysni Kapo kishte ushtrinë, Simon Stefani Ministrinë e Brendshme etj..

Dakord – e ndërpreva unë – prandaj edhe unë do përqendrohem në dy-tri çështje. Po ja – vazhdova unë – si e shpjegoni sot ju eliminimin e “grupit të puçistëve”, Beqir Ballukut, komandantit të gueriljeve të Tiranës gjatë luftës; Petrit Dumes, komandantit të batalionit “Hakmarrja” gjatë luftës e të Hito Çakos, udhëheqës i luftës i devotshëm?

-Pëllumb, dëgjo – u shpreh Ramizi, duke u kthyer pothuajse ballazi nga unë. Çdo ngjarje apo ndodhi, ti e di mirë, diskutohet për atë kohë, dekada përpara kur kanë ndodhur. Sot unë mund të them çfarë të dua dhe nuk më gjykon njeri. Megjithatë, për hir të së vërtetës, disa çështje të vjetra e të mbyllura, por të diskutueshme mbeten të sqarohen deri në vdekje. Ti vetë, ke parë dhe ke lexuar që në momentin e fundit të jetës së një personi shpesh i kërkohet e vërteta për x apo y problem. Veçohen njerëzit që thonë të vërtetën dhe këta janë të penduarit. Në të kundërt, ata që e marrin të vërtetën me vete, ose nuk duan të trishtojnë të gjallët, ose nuk duan të largohen nga kjo botë me pasqyrën e njeriut të urryer, ose vdesin papritur pa pasur mundësinë e amanetit të fundit.

Tani – vazhdoi Ramizi – të të shprehem për treshen që më pyete. Ashtu siç i kam analizuar unë gjithë këto vite. Beqiri ishte ideatori i tezave të diskutueshme, por ai gaboi kur vendosi përgatitjen e këtyre tezave pa venë në dijeni Partinë dhe konkretisht, Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë! Në konkluzionin tim, ai nuk ka pasur qëllim armiqësor apo disfatist kur pretendonte se nga sulmi frontal i armikut që do të vinte nga bregdeti (andej pritej gjithnjë sulmi i parë), forcat tona të tërhiqeshin në thellësi të terrenit, në male. Si ide kjo nuk ishte e keqe, por një taktikë e tërheqjes për rigrupim të forcave e pastaj kundërsulm. Flasim sot kështu, o Pëllumb por atëherë nuk gjykuam kështu! Pra, ai kërkonte të paraqiste një megaplan surprizë për këtë taktikë që të merrte lavde si strateg e mjeshtër i realizimit të situatave të vështira. Gaboi! Siç ta thashë edhe më lart, gjykimi i partisë nuk pranon surpriza e veprime të pamiratuara. Këtë situatë agresive midis vet treshes e agravoi edhe fakti se dy prej tyre i hodhën “benzinë zjarrit” duke akuzuar sa më shumë dhe sa më rëndë Beqirin. Ky ishte fillimi i sherrit!

-Ka një fakt, me sa mbaj mend unë – e ndërpreva Ramizin – Në atë kohë, një miku im, oficer i Sigurimit të Shtetit, Ylli B. në bisedë e sipër, duke më treguar fotot e udhëheqjes, vuri gishtin tek foto e Beqirit dhe më tha: sot këtij i vihen hekurat. Pas arrestimit të Beqirit, dy të tjerët, Petrit Dume dhe Hito Çako u emëruan zëvendësministra. Si shpjegohet?

-Kjo ishte ideja e Enverit, që ata i bëri zëvendësministra – vazhdoi Ramizi – ishte lojë e tij për t’u bërë qejfin që të nxirrnin çdo rezervë që kishin kundër Beqirit. Por, njëkohësisht, edhe vetë Beqiri bënte të njëjtën gjë nga burgu.

-Ato ditë – e ndërpreva prapë Ramizin – kam parë tek rruga para spitalit Petrit Dumen, të hipur në vend të parë të “Benz”-it të zi (kundër rregullores), duke vështruar sa majtas, sa djathtas. Ishte i vetmi “Benz” që kishte ushtria atëherë.

-Po, po vazhdoi Ramizi – ishte një joshje për ta, pa e ditur ata se çfarë fshihej pas saj.

Enverit i kishin ardhur shumë letra, deri edhe anonime, ku akuzoheshin të tre, pastaj edhe ndihmësit e akuzuar ishin porositur të mos tregonin për tezat që po përgatisnin dhe “zullume” të tjera. Pra, misterin e tezave këto kuadro e shtuan akoma më shumë dhe të krijohej ideja e palëkundur se këtu diçka luan, diçka e keqe përgatitet!/panorama