Të ardhurat e familjeve shqiptare kanë shënuar rritje në gjashtëmujorin e parë të vitit, ndërsa shpenzimet janë rritur me ritëm më të ngadaltë, duke sinjalizuar një përmirësim të lehtë të gjendjes së tyre financiare. Megjithatë, kërkesa për hua ka vijuar të bjerë dhe pesha e familjeve huamarrëse në totalin e popullsisë ka zbritur në nivelin më të ulët të viteve të fundit.
Këto janë disa nga gjetjet e vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve, që mbulon periudhën janar–qershor 2025.
Më shumë të punësuar, sidomos në sektorin privat
Sipas vrojtimit, numri i përgjithshëm i të punësuarve në kampionin e familjeve të anketuara është rritur si në raport me gjashtëmujorin e kaluar, ashtu edhe me një vit më parë. Rritja vjetore ka ardhur kryesisht nga sektori privat, ndërsa punësimi në sektorin shtetëror ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Në të kundërt, numri i të vetëpunësuarve ka rënë, një tendencë që reflekton tkurrjen e aktiviteteve të vogla familjare.
Rritja e punësimit është shoqëruar me rritje të të ardhurave dhe shpenzimeve, por me një ngadalësim të qartë të ritmit të shpenzimeve. Një tjetër prirje interesante është rritja e euroizimit të të ardhurave: rreth 23% e familjeve deklarojnë se marrin një pjesë të të ardhurave në valutë, kryesisht euro, kundrejt 21% një vit më parë.
Më pak familje me borxhe, por më shumë kredi formale
Vetëm 17% e familjeve shqiptare kanë aktualisht hua për të shlyer, një peshë që ka rënë ndjeshëm krahasuar me një vit më parë (rreth 24%).
Megjithatë, shuma totale e huave të deklaruara ka rezultuar në rritje, çka nënkupton se borxhi është përqendruar në më pak familje, por me vlera më të larta.
Struktura e huamarrjes po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt burimeve formale: rreth 69% e tepricës së huasë vjen tashmë nga bankat dhe institucionet financiare jobankare, ndërsa 31% nga burime joformale si personat fizikë apo huatë në mallra. Vetëm 2% e huave përdoren për konsum, ndërsa 46% për zhvillim biznesi dhe 20% për blerje apo riparim prone – një tregues pozitiv që një pjesë më e madhe e borxhit po kanalizohet drejt veprimtarive prodhuese dhe investimeve afatgjata.
Kostot e huasë në rënie, aftësia paguese në përmirësim
Rreth 87% e familjeve huamarrëse raportojnë se kësti i huasë ka mbetur i pandryshuar gjatë periudhës, ndërsa pjesa tjetër sinjalizon ulje të tij. Ky rezultat, sipas Bankës së Shqipërisë, pasqyron zbutjen e kostove të financimit në kushtet e një politike monetare lehtësuese.
Në të njëjtën kohë, aftësia paguese e familjeve shihet në përmirësim: 75% e të anketuarve presin që situata e tyre të mbetet e qëndrueshme në gjashtëmujorin e dytë, ndërsa për herë të parë pas disa periudhash, balanca neto e pritjeve ka dalë pozitive, duke reflektuar besim më të lartë në stabilitetin financiar të familjeve.
Kërkesa për kredi e dobët, rënie e interesit për huamarrje të re
Megjithë përmirësimin e të ardhurave dhe të aftësisë paguese, kërkesa për hua të re ka shfaqur prirje rënëse. Vetëm 36% e familjeve e konsiderojnë mundësinë për të marrë ose rimarrë kredi në 6 muajt e ardhshëm, nga të cilat vetëm 8% thonë se ka shumë mundësi ta realizojnë.
Indeksi i pritshmërisë për huamarrje të re ka rënë në 0.147, duke sinjalizuar një ftohje të mëtejshme të kërkesës për financim nga individët.
Pasuritë: rritet zotërimi i pronave, bien depozitat bankare
Rreth 95% e familjeve shqiptare zotërojnë të paktën një pronë të patundshme, kryesisht shtëpi banimi, ndërsa vetëm 5% nuk kanë asnjë pronë. Në grupin e familjeve huamarrëse, 96% zotërojnë 1–2 prona, kryesisht shtëpi dhe toka.
Në anën tjetër, depozitat dhe llogaritë bankare mbeten forma kryesore e pasurisë financiare, por me rënie të lehtë: vetëm 60% e familjeve (dhe 72% e familjeve huamarrëse) i përdorin si mjet investimi, kundrejt niveleve më të larta një vit më parë.
Kjo tregon një ulje të kursimeve financiare, ndoshta si pasojë e inflacionit dhe përdorimit të kursimeve për konsum apo shlyerje detyrimesh. /ekofin.al