Ballina Dossier Doktor Miri Hoti: Sekreti i shërbimit të kirurgjisë qëndron tek harmonia mes...

Doktor Miri Hoti: Sekreti i shërbimit të kirurgjisë qëndron tek harmonia mes kirurgëve dhe personelit të mesëm

297
0

Bulevard news*

Sekreti i shërbimit të kirurgjisë qëndron tek harmonia mes kirurgëve dhe personelit të mesëm. Në këtë gjykim ka arrritur dr. Miri Hoti, kirurgu që me bisturi në dorë u ka shërbyer qytetarë në spitalin e Durrësit për 50 vite. Për herë të parë ka marrë në dorë bisturinë kur ishte 20 vjeç dhe që nga ajo kohë në kujtesën e tij janë regjistruar qindra episode interesante. Mjeku ka pohuar se merita kryesore që ai renditet ndër kirurgët më të mirë në vend, i perket personelit të sallës dhe atij të trajtimit të pacientit në dhomat e repartit të kirurgjisë. “Kishin harmoni mes kirurgëve dhe personelit të mesëm. Vepronim të gjithë njëherësh me besimin e plotë tek njëri-tjetri”, -ka pohuar dr. Hoti.

Pasioni

Ishte korriku i vitit 1962. Për herë të parë mjeku Miri Hoti do të veshë bluzën e bardhë duke iu futur një karriere të gjatë. Në korrikun e sivjetëm mbushen plot 50 vite që nga ajo dite. Për shumëkënd ditët e vitet ecin me hapa të shpejtë, ndërsa për mjekët, kirurgët, ndihmësmjekët janë të mbushura me ngjarje, episode, kujtime dhe mbresa nga më të veçantat. Asokohe për mjekun dhe personelin e mesëm të bluzave të bardha nuk kishte orar të punës e të pushim. Vizita në spital, mjekime, urgjenca, ndërhyrje kirurgjikale, grafik vizitash të përjavshme në Shijak e Kavajë. Ishin fare pak mjek të specializuar në një popullësi që shtrihej nga Rrogozhina në Ishëm dhe nga Shijaku deri në Krujë. Por Durrësi kishte edhe shumë ndërmarrje industriale, ferma, kooperativa, shkolla, portin më të madh në vend, reparte ushtarake dhe për bluzat e bardha puna dhe përgjegjësia 2 e 3-fishohej. Spitali i Durrësit kishte shef dr. Paskal Prodanin dhe një fakt të tillë dr. Hoti e kujton si fat për të dhe për të gjithë mjekët dhe personelin ndihmës. Ndërsa shërben për dy vite në spital, kthehet në Fakultetin e Mjekësisë, këtë herë për një specializim dy-vjeçar në kirurgji të përgjitshhme dhe njëherësh specializohet edhe në urologji. Gjatë kësaj periudhe detyrohej të vinte disa herë në Durrës për të zëvendësuar dr. Prodanin i cili kishte nisur në atë kohë të shfaqte probleme shëndetësore. Studenti Hoti përfundoi me rezultate shumë të larta Fakultetin. E gjithë kategoria stedentëve të tillë më pas tërhiqeshin nga universiteti për t’u specializuar. Kjo ndodhi edhe me mjekun e Durrësit. Mund të zgjidhte edhe ndonjë kualifikim tjetër, por qe dëshira e tij për t’iu përkushtuar kirurgjisë që përfundimisht e futi në udhën shumë të vështirë të profesionit të mbushur me të papritura ditën e natën, vit pas viti, tërë jetën. Pas dy vitesh kirurg në Durrës, Hoti transferohet për në Fakultetin e Mjekësisë, këtë herë si lektor, pedagog duke dhënë lëndën Kirurgji me profesor Petro Cani. Dy vitet si kirurg kishin krijuar në oponionin e strukturave të pushtetit dhe të qytetarëve konsideratë të veçantë për të dhe kjo u shfrytëzua nga strukturat politike të kohës të cilët kërkuan kthimin e tij në Durrës. Rasti dhe mënyra për ta justifikuar këmbënguljen e pushtetit politik në Durrës qe shëndeti dr. Prodanit. Ndryshe nga pedagogët që kërkuan me këmbëngulje ta mbanin studentin e tyre në Fakultet, vet Hoti më shumë pëlqentë kthimin në Durrës gjë që ndodhi 8 muaj pasi kishte nisur të jepte leksione për studentët e Mjekësisë. Rikthimi e përfshiu sërish në pasionin e moshës për t’iu përkushtuar kirurgjisë dhe në fare pak kohë dr. Hoti ishte kirurgu që krijoi një profil të veçantë dhe shumë të kërkuar për shkak të aftësisë së komunikimit, gatishmërisë dhe suksesit profesional. Por në atë periudhë mjeku dhe kirurgu kishin shumë punë, shumë detyrime. Çdo të mërkurë ekipi me specialistë patholog, otojatër, neurolog, kirurg, mes tyre edhe Miri Hoti, bënin vizita në Shijak dhe çdo të shtunë për 20 vite rradhazi të njëjtin shërbim e bënin edhe në Kavajë. Veç tyre çdo ditë bënin 6 orë vizita, operime të urgjencës dhe ato të planifikuara. Kavaja nuk kishte sallë operacioni, madje edhe sot urgjencat i sjell në spitalin e Durrësit. Për disa vite me rradhë Prodani, Hoti dhe Klliqi do të mbanin barrën e ndërhyrjeve të panumërta kirurgjikale të planifikuara dhe të urgjencës, ndërsa sot pavioni kirurgjisë ka 20 kirurgë, 7 reanimatorë dhe 4 ortopedë. Gjatë periudhës 1976 deri më 1983 doktor Hoti do të ngarkohet me përgjegjësinë e drejtimit të drejtorisë së mjekimit. Deri në hapjen e saj, dosjet e mjekëve gjendeshin në Tiranë, në Ministrinë e Shëndetësisë një barrë jo e vogël që ndikonte në ecurinë e shërbimit. Vetëm Shkozeti kishte mbi 12 mijë të punësuar në ndërmarrje të ndryshme dhe çdo njëri punonjës lypsej të bënte skopi, grafi, analiza. Po kështu porti, repartet ushtarake, kooperativat, NISH Kimike, duhan-cigare…Çelja poliklinikës, në kujtimet e dr. Miri Hotit, i dha frymëmarrje shërbimit pasi radiologjia, pediatria, neurologjia, kardiologjia kishin nga dy specialistë, ndërsa nga një të tillë shërbimi me okulist, otojatër… Ndërsa Hoti kishte përshkuar udhën e gjatë të karrierës në 20 vite, kualifikohet për kirurgji koke nisur edhe nga nevojat e ngutshme të spitalit.

Kirurgu

Për vite me rradhë dr. Miri Hoti dhe kirurgët e tjerë kanë bërë të gjitha llojet e operimeve të planifikuara dhe urgjencat nga maja e gishtit të këmbës deri tek fija e flokut. Pra trauma të çdo lloji, plagosjee thyerje: kokë, stomak, veshkë, zorrë, mëlçi, mushkëri, apendisit, dhjamë. Durrësi kryente ndërhyrjet të njëjta me ato që kryeheshin në klinikën e specializuar në Tiranë. Dalja e mjekëve të kualifikuar si B. Habibi, R. Katroshi, L. Laro, Sh. Dedej, V. Ziu lehtësoi barrën e krirugëve të brezit të Hotit dhe para tij. Ndryshe nga sot, Hoti pohon se në atë periudhë nuk dërgohej asnjë urgjencë për në Tiranë. Në raste tepër të rralla duhej njoftuar Ministria e Shëndetësisë e cila dërgonte në Durrës një specialist për të parë gjendjen e pacientit. I ardhuri nga Tirana gjykonte nëse operimi do të kryehej në prani të tij në sallën e Durrësit, ose do të transportohej trajtim të veçantë në Tiranë. Hoti kujton se me dr. Prodanin kryenin nga 450 deri në 600 operime të planifikuara në një vit, ndërsa me shtimin e popullësisë dhe sidomos pas viteve 1990 me popullinim e shpejtë të Durrësit statistikat e ndërhyrjeve kirurgjikale shkuan deri në 1000 të tilla në një vit. Kirurgu pohon gjithashtu se për vite me radhë stomaku, gurët në veshka dhe prostata ishin ndërhyrjet më të shpeshta dhe përbënin numrin më të madh në statistikat e operimeve. Mban mend se Kavaja dhe Rrogozhina me popullësi rreth 75 mijë banortë së bashku, aq sa Durrësi e Shijaku në mesin e viteve 1985, kishin sëmundshmëri shumë të lartë. Afro 70 përqind e ndërhyrjeve kirurgjikale që realizoheshin në Durrës ishin pacientë nga kjo zonë. Pas viteve 90 të shekullit të shkuar kirurgjia ka pësuar “metamorfozën” e saj në këndvështrimin e Hotit, lidhur me renditjen e sëmundshmërisë dhe nevojës për ndërhyrje kirurgjikale. Këto ndryshime kirurgu i lidh me faktorë ekonomik e social, me të ushqyerit dhe regjimin e përditshëm. Mjeku me bisturi në dorë në gjysmë shekulli e shikon me shqetësim rritjen e numrit të të prekurve nga kanceri i gjirit, i stomakut, i zorrës së trashë të cilat kanë nisur të bëhen të frikshme për jetën e qytetarit. Kirurgu mban mend se në vitet 65, kohë që nisi të realizojë ndërhyrjet e para kirurgjikale, ndodhte që në një vit të realizonte 10 operime për kancerin e gjirit dhe po aq, në mos më pak, për kancerin e stomakut. Krahas mënyrës së të ushqyerit, dr. Hoti ka pohuar se ndikim në këtë drejtim ka pasur edhe rritja e jetëgjatësisë e cila ka shkuar në 74 vjeç. Por në këndvështrimin e tij nuk lihet pas as edhe diagnostikimi e vaksinimi. Kirurgu ka sjell në kujtesë faktin se vaksinimi për fruth, lijë, leprozë, kollë të mirë, tërbim, difteri etj para viteve 90 ka qenë shumë i rreptë dhe me përgjegjësi të madhe. Kjo mundësoi zdhukjen e malaries dhe të një sërë sëmundjesh të tjera infektive. Por pas viteve 90, dr. Miri Hoti mban mend se u rikthye në Durrës shqetësimi për turbekulozin që për vite me radhë kishte dalë nga lista dhe kjo për arsye se të shpërngulurit nga zonat shumë të thella të vendit nuk ishin diagnostikuar. Sëmundjet profesionale që sillnin telashe të shumta për kirurgët mbaheshin nën kontroll, me kartelizime të sistemura. “Nuk kishte gjum për ekipin e sallës së operimeve”,-kujton dr. Miri Hoti teksa ka sjellë mbresat e viteve të para të punës si kirurg. Ai kujton se kolegu, infermierja, anestezisti, reanimatori, çdonjëri prej tyre me të mësuar për mbërritjen e një urgjence vraponte drejt spitalit, pavarësisht nëse ishte mesditë apo mesnatë. Në raste të tilla nuk fjalosej për turnin, përkundrazi ata nxitonin shpesh duke tërhequr zvarrë edhe sandalet e këpucët që të arrinin një minutë e më parë tek pacienti. Hoti ka thënë se kirurgu dështon nëse nuk ka harmoni me personelin. “Personeli i sallës fuste dorën në trupin e hapur të të sëmurit bashkë me ne duke afruar instrumentet. Mjaftonte një pakujdesi e tyre dhe çdo gjë përmbysej. Kështu ndodhte edhe me infermieret në pavion të cilat plotësoninn me shumë korrektesë recetën në kartelën e të sëmurit”, -kujton dr. Hoti. Gjithçka funksiononte si një bërthamë e vetme, me bindjen më të madhe se misioni tyre është sa delikat, aq edhe fisnik. Salla operacionit funksiononte si një e vetme: kirurgu, dy infermiere, një mjek narkoze, një asistent narkoze dhe një sanitare. Për kirurgun Hoti pushtet të padiskutuar në sukseset e tij kanë ekipi me të cilët ka kryer dhjetra e qindra operime: Prof. Prodani, L. Urumi, O. Koka, L. Macukulli, H. Spanjolli, Z. Sinani, Zh. Alia, I. Allkja, K. Shaba… Paralelisht me këtë vlerësim, dr. Hoti ka veçuar përkushtimin e bashkëshortes, farmacistes Jeta Hoti. Prerë dhe shkoqur ka bërë të qartë se Jeta ka mbajtur gjatë gjithë viteve të jetës peshën e madhe në edukimin e djalit dhe vajzës. Ela, vajza e kirurgut Hoti ka përfunduar shkëlqyeshëm studimet në Mjekësi dhe është pedagoge në këtë Fakultet, kurse Redi pasi përfundoi shkëlqyeshëm të njëjtin fakultet si dhe prindërit e motra ka kryer specializimet për ortopedi jashtë vendi duke u renditur ndër ortopedët më të kualifikuar dhe më të suksesshëm në Shqipëri.

Spitali

Spitali i Durrësit në kohën që Hoti vesh bluzën e bardhë të kirurgut kishte emra shumë të dëgjuar dhe me autoritet të padiskutuar profesional si: dr. Vokopola, dr. Fiqiri Klliçi (drejtor spitali), dr. Dhimitër Treska me kulturë gjermane, dr. Koç Moisiu (shef pathologjie), dr. Sulo Mborja (shef pediatrie), Hëna Dina, Liri Koja, Meleqe Velja… Infrastruktura e spitalit ishte shumë e dobtë. Godina qe njëkatëshe me mjedise të pakta ngase qe ndërtuar në vitin 1954. Brenda së njëjtës ngrehinë ishin vendosur të gjitha specialitetet. Edhe infektivi ishte pavion brenda së njëjtës godinë në të cilin shëbenin dr. Lluka Dhimitri me dr. Fiqiri Lila. I veçuar qe materniteti por me drejtori të përbashkët. Diku rreth viteve 1969-1970 u ndërtuar pediatria si spital më vete në vendin ku është edhe sot duke lehtësuar barrën e madhe të godinës së vjetër. Durrësi për ato vite ishte qendër e madhe shërbimi mjeksor pasi mjekët dhe kirurgët e Durrësit shërbenin për vizita dhe urgjenca që vinin edhe nga Bulqiza e largët, Fushë-Kruja dhe Kruja. Rruga e Aramerasit që lidhte këto dhe të tjera zona me kryeqytetin nuk ishte hapur, ndaj Durrësi ishte stacioni më i afërt dhe më i kualifikuar për ndërhyrje kirurgjikale.  Bulqiza kishte pafundësi aksidentesh nga miniera ndaj kërkonte vëmendje të veçantë, kurse shërbimi që afronin mjekët e qytetit bregdetar shtrihej deri në Lushnjë, madje deri vonë okolustika në Lushnje mbulohej nga mjekët e qytetit të Durrësit. Kirurgjia kishte problemet e saj: salla ishte e madhe, ambjentet e varfëra, ngjante me një dhomë a kapanon pa krye e fund. Vendi operimit ishte në katin e parë dhe pranë saj tualetet. Reanimacioni nuk ekzistonte ndaj e krijuan si mundën. Rreth viteve 1970 dërgohen disa mjek për t’u specializuar në kirurgji anestezi që ishte bashkë me reanimacionin. Kjo do të ndikonte në përmirësimin e teknikave të dhënies së anestezisë. Me shtytjen dhe dashamirësinë e drejtuesve, ku Hoti ka pjesën e tij të lëvdatave, për katër vite u specializuan dr. Thanas Bucaj e dr. Manila Selimi. Me ndihmën e drejtorit të NISH Oksigjenit Xhevdet Laze u bë e mundur vendosja e oksigjenit të centralizuar që deri asokohe ishte me bombël. Dr. Miri Hoti teksa kthen kokën për të dëshmuar hapat e shërbimit spitalor në ato vitet ka veçuar përkushtimin e infermiereve dhe ndihmësmjekëve që në spitalin e vjetër tek Vollga kishin bërë rolin e asistentit. Ishin pikërisht ky personel që jepte narkozën në operacione që zgjasnin deri në 3 orë. Dr. Hoti ka pohuar se sa herë që flitet për spitalin dhe kirurgjinë në Durrës duhet detyrimisht të sillen në kujtesë gatishmëria dhe serioziteti ndihmësmjekëve si Lulzime Macukulli, Osman Koka, Vita Titani, Irlanda Urumi. Dhjetë vite më pas dërgohen për specializim edhe katër mjekë të tjerë duke i dhënë konfigurim të plotë kirurgjisë me specialitetet e saj. Por jo çdo gjë ecte me ritmet e duhura. Imazheria ishte e varfër në paisje e aparatura. Ekzaminimet e kohës realizoheshin në radioskopi me dr. Eqerem Enesti, ish student i Prof. Petrit Selenca; skopi, grafi dhe shumë vonë spitali u pajis me ECO. Ka qenë ndërhyrja e dr. Miri Hotit dhe dr. Mira Kauro në vitet 1993-1994 që do e mundësojnë ardhjen e Eco-s në Durrës, kohë që Hoti ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Për shkak të nevojave të ngutshme në përgatitjen e personelit të mesëm mjekësor, në Durrës hapet shkolla infermierisë. Fillimisht tek Nish cigare pastaj ka shkuar sa andej-këndej për t’u stabilizuar tek shkolla e mjeshtërisë sportive. Për 21 vite Miri Hoti ka qenë mësimdhënës në përgatitjen e brezave pa u shkëputur për asnjë çast nga bisturia.

Gjatë karrierës suaj si kirurg keni ndeshur edhe në ndodhi që u kanë mbetur në kujtesë.

Janë pambarim përjetimet e shumëllojshme. Ka një pafundësi rastesh për të treguar lidhur me atë që ndodhte në sallonet dhe sallën e operimit. Disa prej tyre mbahen mend edhe nga qytetarët pasi kanë tronditur opinionin në kohën kur kanë ndodhur. Më kujtohet si sot ngjarja me gratë e djegura nga shpërthimi i barutit në Nish Kimike. Më kujtohet edhe data, ka qenë 17 nëntori 1967. Para se të njoftoheshim për katastrofën në Nish kimike paradite kishin ndodhur dy vdekje nga hekurudha dhe po atë ditë kishte vdekur Adem Reka. Spitali ishte mbushur plot me njerëz nga udhëheqja e lartë politike e Tiranës, fotoreportetë dhe gazetarë vendës e të huaj. Shumë gazetarë kinez u dyndën të mësonin se ç’kishte ndodhur me Adem Rekën dhe cilat ishin fjalët e tij të fundit. Në këto çaste mësuam për shpërthimin në Nish kimike, fabrikë e cila gjendej tek Vollga në Durrës, ku sot është muzeu arkeologjik. Bëhej fjalë për një nga incidentet më të rënda dhe që kishte tronditur jo vetëm Durrësin, por mbarë Shqipërinë. Fabrika ishte ndërtuar në kohën e pushtimit italian. Gratë punëtore përgatisnin fishekzjarre. Baruti kishte marrë flakë dhe depoja ishte hedhur në erë duke nxjerrë nga dera, dritaret dhe kulmi punëtoret e fabrikës. 17 gra rrezikoheshin të humbisnin jetën. Isha në spital në çastet e dhënies së alarmit. Durrësi përjetonte panikun më të madh që nga koha e luftës. Shtatë prej tyre nuk mundën t’i shpëtonin vdekjes. Në mesin e tyre tre gra ishin të padëmtuara, por kishin vdekur nga asfiksia, ndërsa të tjerat qenë përvëluar nga baruti. Ekipi mjekëve arriti të shpëtonte pjesën tjetër, shumë prej të cilave do të trajtoheshin me muaj të tërë ngase diegia ishte e shkallës së rëndë. Aksidente kishte ditë për ditë sidomos deri në mesin e viteve 1970. Nga Sheteli mbaj mend se erdhën 4-5 fëmijë të cilët kishin marrë plagë të rënda në kokë, fytyrë, bark e gjymtyrë. Po ashtu nga Lis Patrosa Kavajës 9 fëmijë, apo 7 të vegjël të tjerë nga Sallmone. Këta të fundit kishin qenë duke u ngrohur në oxhakun e shtëpisë. Drutë ishin prerë në mal, ndërsa druvari nuk kishte parë se brenda gjendjen në bombë. Kështu që pasi e fusin në oxhak, shpërthimi bombës i mori jetën gjyshit të shtëpisë, ndërsa fëmijët mundëm t’i shpëtojmë pas një sërë ndërhyrjesh kirurgjikale. Na vinin shumë fëmijë të djegur që loznin në ara dhe kullosnin bagëti, të tjerë që gërmonin në tokë dhe gjenin bomba, apo kategoria që dëmtohej nga kosa, motosharra, grirëset e silazhit, kombajnat, sharrat etj.

Duke qenë qytet port dhe qytet turistik jeni ndeshur edhe me detyrimin për të dhënë ndihmën e parë si dhe për të operuar punëtorë, specialistë dhe marinarë të huaj.

Kishte shumë të huaj në këtë qytet. Pastaj të mos harrojmë se këtu kryenin vizitat dhe operimet e urgjencës jo vetëm marinarë të huaj. Për shumë vite punonin në ndërmarrje të ndryshme kinezë, çek, polak, hungarez, bullgarë, rumunë. Me kinezët kam pasur disa raste interesante. Fabrika e xhamit në Kavajë dhe metalurgjiku Elbasanit sillinin urgjencat tek ne, shqiptar e të huaj qofshin ata. Kishte jo vetëm aksidente, por edhe sëmundje profesionale me rrisk të lartë për jetën. Nga metalurgjiku na vjen një urgjencë. Ishte një kinez që pastronte oxhaqet e metalurgjikut. Në Kinë renditej ndër njerëzit më të kualifikuar, me shumë reputacion dhe për të interesohej udhëheqja më e lartë politike e Kinës e cila e kishte sjellë në Shqipëri në kuadër të miqësisë. Kishte probleme në pankreas. Nga Tirana erdhën me urdhër të Komitetit Qëndror katër profesorët më të mirë të Mjekësisë. Përvoja dhe kontaktet me ta na e kishte bërë të lehtë të dallonim nëse i huaji ishte njeri me pushtet apo jo. Nëse ndodhte që për pacientin e huaj interesohej menjëherë ambasada atëherë pacienti ishte oficer, punonjës i shërbimeve sekrete ose njeri me pushtet të fuqishëm. Rastin e trajtuam me shumë kujdes. Në mesnatë më bie zilja dhe më njoftojnë se biseda vinte nga Hani Hotit, pikë kufitare në Shkodër. Ata më bënë të ditur se një profesor kinez ishte nisur për të ndjekur shëndetin e pastruesit të oxhaqeve të fabrikave të mëdha. Më bënë të qartë se mjeku kinez vinte nga Beogradi dhe me të duhej të takoheshim në Tiranë, ngase ai do të shkëmbente fillimisht bisedë në ambasadë e në Ministrinë e Shëndetësisë. Mbaj mend se u konsultova me dr. Besim Elezin për ndërhyrjet që kishim bërë dhe morëm aprovimin e tij. Të nesërmen kinezin e transportuan për në Rinas, nga aty në linjën Ankara-Teheran dhe brenda 24 orëve në Kinë. Me kinezë kemi edhe të tjera raste. Kampioni i Botës Ni Çi Çin kishte ardhur në Shqipëri dhe qe vendosur tek hotel “Kruja”. Kërcente në lartësinë 2.19 cm pa sfungjerë, në rërë. Spektaklin e tij do ta ndiqte qeveria dhe me shumë gjasa edhe kryeministri. Kampion kërcimit kishte trupë shoqërimi që nga kuzhinierë, mjek deri edhe roje fizike. Më njoftojnë pa zbardhur mëngjesi se kishte dhembje barku. E vizitova dhe pasi arrita në konkluzionin se anomalia ishte pasojë e regjimit të prishur të ushqimit, dhashë recetën. Por gjendja e tij nuk ndryshoi dhe u fol se do të anullonte garën. Kjo ishte me rrezik pasi unë kisha dhënë garanci të plotë që nuk kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. U ktheva sërish dhe i bëra një serum për t’i dëshmuar më pas ekipit të tij se për fare pak orë gjithçka do të ishte mirë. Thuajse e njëjta ka qenë situata me tenistin kinez Gën Biao i cili u bë figura numër 2 në Kinë. Ai theu këmbën. Njoftova Ministrinë e Shëndetësisë dhe bëra ndërhyrjen. Për të parë saktësinë e veprimeve të mia erdhi dr. Panajot Boga i cili pasi më përgëzoi e shoqëroi disa ditë më pas Gën Biaon në Romë dhe që aty në Kinë ku Boga për dy muaj u prit si hero duke shëtitut nëpër Kinë nga ka dëshiruar.  Operimi i të huajve ishte veprim i përditshëm. Ndërsa ambasadorit hungarez ia shpëtuam jetën pas aksidentit të rëndë që pësoi me makinë duke thyer kafkën, mbaj mend një ngjarje tjetër, jo si urgjencë por për shkak të një kartoline që na erdhi më pas. Një marinar italian u paraqit në urgjencë me plasje stomaku dhe ne bëmë ndërhyrjen në kohë me shumë sukses duke ia shpëtuar jetën. Ai ishte nipi doktorit të madh italian Valdoni i cili ishte zgjedhur atë vit kryekirurg në Itali. Pasi nipi tij kthehet shëndosh e mirë dhe pasi kirurgu Valdoni kishte mbetur shumë i kënaqur me ndërhyrjen tonë na nis një kartolinë urimi e cila erdhi në mars. I habitur për kartolinën e ardhur 3 muaj me vonesë pyeta një punonjës të sigurimit i cili më tha se kjo kartolinë ka shëtitur tre muaj sa andej këndej dhe është fotografuar qindra herë deri sa ka ardhur në dorën e kirurgëve në Durrës. Të huajt në jo pak raste këmbëngulnin të na bënin dhuratë. Ndodhte shpesh që të na pyesnin se çfarë tipi, lloji e marke e donim makinën për dhuratë. Dhe ne që i thonin se nuk kishim nevojë pasi kishim makinat e shtetit.

Ndonjë nga operimet më të vështira që u ka vënë në pozitë të ndëlikuar si kirurg për shkak të komplikacioneve apo faktorëve të tjerë?

Viti 1997 dhe pasojat e tij mbetet për mjekësinë shqiptare dhe sidmomos për kirurgjinë ndër më dramatikët. Jeta dhe vdekja ishin pranë e pranë, nuk kishte siguri askund, as në spital, as në sallë, për të mos folur për gjendjen katastrofike në rrugët e qytetit. Mbaj mend se ditën që u vra polici Shika isha mjek urgjence bashke me Roland Katroshin. Orë pas ore na erdhën 4 të vdekur dhe 17 të plagosur rëndë, dy-tre prej të cilëve me këmbë të prera e të mbulur në gjak. pa mbaruar ndërhyrjen kirurgjikale më njerin, mbërrinte urgjenca tjetër. Qyteti ishte pa drita. Spitali i vjetër qe bastisur nga vjedhjet, ndërsa kati i parë i tij ishte mbytur në ujë. Paraqitet në urgjencë një shtetas i plagosur. Diku në Rrogozhinë kishin ndodhur përplasje me armë dhe personi që ne po operonim dyshohej se kishte bërë një vrasje, ndërsa vet qe plagosur rëndë. Një i afërm i viktimës, ndoshta i vëllai, ndjek vrasësin dhe futet për ta kërkuar në spital. Ishte i armatosur me automatik. Benzina e gjeneratorit të spitalit ishte mbaruar. Na erdhi në ndihmë një qytetar me mbiemrin Matraku, i cili na dha benzinën e motorit. Zhurmë gjithandej, situata ishte e papërmbajtur dhe kaotike. Personi që po ndiqte për të vrarë shtetasin për të cilin mendonte si i kishte vrarë të vëllanë pyet dikë në sallonet e spitalit se ku gjendej urgjenca e ardhur nga Rrogozhina. Pa e ditur se ai kërkonte të vriste, i tregojnë me gisht nga dera e sallës ku ne po operonim personin që po ndiqej. Mbaj mend se kemi dëgjuar breshëri automatiku dhe thirrjet e doktoreshës Manila Selimi e cila kishte marrë plagë në këmbë. Një tjetër episod lidhet me ndërhyrjen për t’i shpëtuar jetën një djali 22 vjeç nga Plazhi i Durrësit. Plumbi që kishte marrë nuk i kishte lënë organ pa prekur. Ishte fis i madh, rreth i madh, u lëshuan të gjithë pas tij. Na duhej t’i ndalonim gjakun me çdo kusht, ndryshe mbaronte në pak minuta. Bashkë me Osman Dafkun dhe Xhevdet Spaneshin futemi në sallë. Unë isha shef kirurgjie ndërsa dy kirurgët qenë në shërbim. Një veshkë e kishte hequr plumbi. Për dy orë bëmë çfarë mundëm për të korigjuar tjetrën veshkë. Shpretka ishte dëmtuar rëndë. I dhamë 12 shishe gjak dhe në gjendje gjumi e dërguam në Tiranë. Tre ministra u vunë në lëvizje për t’u krijuar mjekëve kushte pune. Detyrimisht duhej zëvendësuar damari i veshkës. Ishte ditë e shtunë dhe na thanë se salla kirurgjisë në Tiranë nuk shërben. Nëse kjo do të ndodhte në regjimin komunist nuk dihej se sa mjekë, drejtues dhe ministra do të përfundonin në burg. Ekipi ynë u përforcua edhe me kirurgë të Tiranës. I vumë tub të zakonshëm. duhej sa më parë të lirohej rruga urinimit. Në Tiranë mori edhe 15 shishe të tjera me gjak duke e çuar në 27 numrin e përgjitshhëm. Nëse nuk do të zhbllokohej veshka djaloshi ndërronte jetë brenda dy orëve. Plumbi e kishte goditur edhe në pankreas dhe trajtimi specializuar u transferua për në Turqi. Nga Stambolli u nisën për të marrë në Rinas një ekip me dy mjek dhe dy infermierë. Fluturimi i kushtoi 10200 euro, ndërsa ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e pankreasit dhe shërbimi i afruar në spitalin e Stambollit i kushtoi 115 mijë euro. Djali sot është mirë më shendet dhe kjo falë ndërhyrjes së kualifikuar e cila nisi në Durrës.

Miri Hoti i vitëlindjes 1942.

Kryen Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 1963-1964

Specializohet për kirurgji të përgjitshhme në periudhën 1964-1965

Kirurg në Durrës që nga viti 1966

Pedagog në klinikën e sëmundjeve kirurgjikale në Fakultetin e Mjekësisë 1969

Specializohet për neorukirurgji më 1973

Drejtori i spitalit të Durrësit 1975-1984

Shef kirurgjie 1984-1990, 1996-2000

Deputet në Kuvendin e Shqipërisë 1992-1996

Kryetar i bashkisë së Durrësit 2000-2003

Lektor për 21 vite në shkollën e infermierisë

Punonjës shkencor, autor i shumë referateve dhe botimeve në periodikë shkencor e mjeksor

Ka fituar urdhër e tituj të shumtë si: “Për shërbim të mirë në popull”

“Urdhëri i Punës Klasi III”

“Urdhëri i Punës Klasi I”

“Nderi i qytetit” dhe “Qytetar nderi” në Durrës

“Mjeshtër i Madh i Punës”

 

*Sqarim: Për shkak të një problem teknik, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, gazetari që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!