Ballina Bota Vrasja e shqiptares në Kanada, autori me precedent penal/ Në 2023 qëlloi...

Vrasja e shqiptares në Kanada, autori me precedent penal/ Në 2023 qëlloi me armë drejt shtëpisë së Savannah Kullës

120
0

Mediat kanadeze raportojnë detaje të tjera nga vrasja e 29-vjeçares me origjinë shqiptare, Savannah Kulla. Autori i ngjarjes Anthony Deschepper kishte qenë më parë në një lidhje me Savannah. 

“Ata ishin ndarë prej disa muajsh dhe kishin një vajzë njëvjeçare, e cila ndodhej në vendngjarje në momentin e incidentit”, tha kryetari i bashkisë së Bramptonit, Patrick Brown, gjatë një konference për shtyp të enjten pasdite. 

Deschepper, 38 vjeç, vdiq pas një përplasje me policinë në Niagara Falls më 22 tetor. Ai po përballej gjithashtu me akuza për mbajtjen e armëve të zjarrit që datonin nga shtatori 2023, “ku viktimë ishte Savannah Kulla”, shtoi Brown. 

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga CTV News Toronto konfirmojnë se dy vite më parë Deschepper “kishte qëlluar me armë zjarri duke vepruar në mënyrë të pakujdesshme ndaj jetës së Savannah Rose Kulla Davies.” 

Mediat kanadeze raportojnë se ai kishte gjithashtu ndalime të mëparshme për armë zjarri që datonin nga vitet 2006 dhe 2019, sipas dokumenteve. 

Deschepper kishte shmangur policinë për një muaj pasi dyshohej se kishte qëlluar me armë në shtëpinë e Kullës, përpara se të arrestohej nga policia e Waterloo-s. 

Megjithatë, ai u lirua me kusht pak kohë më vonë dhe gjyqi për ato akuza ishte planifikuar të zhvillohej vetëm vitin e ardhshëm. 

Kryebashkiaku i Brampton, Patrick Brown tha se lirimi me kusht i dhunuesve të përsëritur është “neglizhencë absolute” 

“Ka shumë arsye pse ky vrasës duhej të ishte në paraburgim — mjaftonte që të respektohej vetëm një prej tyre, dhe Savannah do të ishte gjallë sot”, tha Brown. 

“Kur dikush ka një histori të dokumentuar dhune, shkeljesh me armë zjarri dhe abuzimi në marrëdhënie, lirimi i tij me kusht nuk është drejtësi — është neglizhencë absolute”, shtoi ai. 

Gjatë së njëjtës konferencë, Superintendenti David Kennedy nga Policia Rajonale e Peel-it tha se hetuesit mësuan se i dyshuari kishte një “histori të rëndësishme dhune.” 

“Dhe po, kishin kaluar më shumë se dy vjet nga ngjarja e vitit 2023, për të cilën ai ishte akuzuar për herë të fundit për armë zjarri. Është e qartë se lirimi i tij përbënte një rrezik të madh për Savannah-n dhe ndoshta edhe për të tjerë në komunitetin tonë”, tha superintendenti. 

Të mërkurën, nëna e Kullës, Karen, i tha CTV News Toronto se Deschepper ishte “i fiksuar” pas vajzës së saj, duke pretenduar se ai e kishte ndjekur dhe ngacmuar vazhdimisht. 

“Ajo ishte e dashuruar me të. Ishte dashuri me shikim të parë, mesa duket. Ai ishte i mrekullueshëm në fillim dhe gjatë shtatzënisë, por më pas, u bë gjithnjë e më keq”, tha ajo, duke shtuar se ai e kishte ndjekur dhe ngacmuar vajzën e saj më të vogël. 

“Ai i telefononte 50, 60, 70 herë në ditë, e kupton? Kishte instaluar kamera dhe ne nuk e dinim… i kishte instaluar për ta mbajtur nën vëzhgim”, tha Karen. 

Ajo shtoi se vajza e saj kishte provuar të largohej nga i akuzuari. 

“Ajo shkonte ta takonte dhe i thoshte: ‘Kaq, mbaroi’, dhe këtë bëri fundjavën e kaluar… Mendoj se ai nuk e priti mirë këtë gjë dhe ky është rezultati”, tha Karen me dhimbje.