Ballina Kronika IMT-ja shemb lokalin e Shkëlqim Dukës, vendi ku u krye eksperimenti për...

IMT-ja shemb lokalin e Shkëlqim Dukës, vendi ku u krye eksperimenti për vrasjen e biznesmenit Eduard Reçi

312
0

Elton Qyno

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policia Bashkiake e Tiranës kanë shembur mëngjesin e sotëm lokalin në pronësi të Shkëlqim Dukës, njërit prej dy personave të arrestuar për vrasjen e biznesmenit Eduard Reçi, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2024 në kryeqytet.

Fadromat e IMT-së mbërritën në vendngjarje që në orët e para të mëngjesit, duke nisur shembjen e objektit që ndodhej pranë zonës ku u ekzekutua biznesmeni. Sipas burimeve, lokali ishte kontrolluar disa herë nga policia dhe ishte përdorur për eksperimente hetimore, me qëllim rindërtimin e dinamikës së vrasjes dhe përcaktimin e këndit të qitjes.

Familjarët e Shkëlqim Dukës kanë deklaruar për mediat se lokali ka qenë i mbyllur dhe i pa­përdorur që prej ditës së ngjarjes, pasi ishte nën administrim të policisë si vendngjarje e hetimit penal. Ata kanë shprehur shqetësim se prishja mund të ndikojë në procesin hetimor, duke qenë se vendi mund të nevojitej për eksperimente të tjera.

Aktualisht, për vrasjen e Eduard Reçit janë në arrest dy vëllezërit, Shkëlqim dhe Florian Duka, të cilët akuzohen për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.

Ngjarja ndodhi më 13 nëntor 2024, rreth orës 23:00, në rrugën “Gjeneral Nikols”, pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë në Tiranë. Reçi, 52 vjeç, u vra me një plumb në kokë, poshtë pallatit që e kishte ndërtuar vetë. Sipas hetimeve, autorët dyshohet se hodhën fishekzjarrë për të kamufluar zhurmën e armës në momentin e atentatit.

Pistat e hetimit lidhen me konflikte pronësie mes viktimës dhe personave të dyshuar, ndërsa Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.