Zbardhen diskutimet brenda mbledhjes me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së. Gazment Bardhi theksoi se do të votojnë për këto dy komisione vetëm nëse i referohen ndryshimeve të kërkuara nga opozita.
“Fillojmë me rendin e ditës. Siç ju kam njoftuar ka seancë të hënën dhe të enjten këtë javë. Në nisje të seancës janë për votim dy vendimet për Komisionet e Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale. Administrata e Kuvendit sapo më ka dërguar tekstin e rishikuar për të dyja komisionet, ku shoh se janë reflektuar të gjitha amendamentet tona të dorëzuara javën e shkuar. Komisionet do jenë me barazi, bashkëkryetar dhe vendime konsensuale. Do kërkohet edhe ekspertiza e OSBE-ODIHR, Këshillit të Europës dhe Komisionin e Venecias. Nëse mazhoranca i qëndron versionit të ripunuar nga administrata e Kuvendit, ne votojmë pro.
Ndërkohe të hënën ka raportimin 5 institucionet e drejtësisë. Fillojmë me Prokurorin e Përgjithshëm, SPAK, ILD, KLGJ dhe KLP. Rezolutat e mazhorancës nuk i votojmë, janë të njëanshme. Ndërkohe deputetët do të bëjnë pyetje, dhe më pas kemi kohën për diskutime nga 2 orë e 30 minuta për çdo institucion. Edhe në këtë seancë ata do të vazhdojnë me provokimin kundër Rregullores për të mos na lejuar ti prezantojmë pyetjet, siç vepruan seancën e kaluar. Të ndalemi këtu fillimisht për të diskutuar sesi duhet të veprojmë. Për mua është e papranueshme që ne të nënshtrohemi ndaj sjelljes së tyre, por dua të dëgjoj mendimin e grupit.”, tha Bardhi.







