Ballina Rajoni ‘Ua kemi borxh fëmijëve që humbëm’/ Pano Ruçi: Nuk do të largohem...

‘Ua kemi borxh fëmijëve që humbëm’/ Pano Ruçi: Nuk do të largohem nga Syntagma derisa emrat e viktimave të mbeten aty

135
0

Ai kundërshton hapur miratimin e amendamentit që, sipas tij, do të çojë në fshirjen e emrave të viktimave nga hapësira pranë Monumentit të Ushtarit të Panjohur.

Në një deklaratë për televizionin Mega, Ruçi shprehu shqetësimin se pas këtij vendimi, kujtimi i 57 viktimave të tragjedisë – përfshirë dhe djalin e tij, Denis Ruçin – rrezikon të zhbëhet nga hapësira publike.

“Ju që më mbështetët, ejani sërish në Sheshin Syntagma. Ua kemi borxh fëmijëve që humbëm,” – u bëri thirrje ai familjarëve të tjerë dhe qytetarëve.

Sipas tij, Monumenti i Ushtarit të Panjohur është një simbol kujtese dhe nderimi për ata që kanë humbur jetën padrejtësisht, ndaj edhe emrat e të rinjve që u shuan në Tempi duhet të mbeten pjesë e kësaj kujtese.

“Në vend që t’u fshijmë emrat, le të sigurohemi që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë. Kam frikë se do t’i zhdukin. Ditët e fundit janë përpjekur të përjashtojnë fëmijët tanë nga grupi ‘Deri në Fund’. Por ne nuk do të heshtim,” – tha ai më tej.

Ruçi e quajti vendimin për amendamentin “një akt hakmarrjeje” dhe theksoi se nuk do të ndalet në përpjekjen për të mbajtur gjallë kujtimin e viktimave:

“Nga sot, do të jem çdo natë në Syntagma, pikërisht në vendin ku ishte shkruar emri i fëmijës tim me të kuqe. Do të qëndroj aty, derisa kujtimi i tyre të mos fshihet kurrë.”

Tragjedia e Tempit

Më 28 shkurt 2023, një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Athina drejt Selanikut u përplas ballë për ballë me një tren mallrash pranë grykës së Tempit, në Greqinë qendrore. Nga përplasja humbën jetën 57 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Shumë nga viktimat ishin studentë që po ktheheshin në universitet pas pushimeve festive. Mes tyre ishin edhe gjashtë shqiptarë:
Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo.

Hetimet zbuluan se aksidenti kishte ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor dhe mangësive të mëdha në sistemin hekurudhor. Përgjegjësia kryesore i ra shefit të stacionit të Larisës, i cili pranoi se kishte lejuar trenin e pasagjerëve të hynte në të njëjtat shina me trenin e mallrave.