Nga Enver Robelli
Një gjyqtar i lartë belg ka shkruar një letër dramatike, që po shkakton tronditje ndërkombëtare. Ai paralajmëron për një kolaps të shtetit ligjor, njofton revista gjermane “Der Spiegel”
Lejimi i kalimit pa kontroll të një kontejneri mund t’i sjellë një punëtori porti, një policeje ose një doganieri deri në 100 mijë euro; dorëzimi i një çante, 50 mijë ose më shumë. Janë shifra pagash nga bota e krimit, të paraqitura nga një njeri që duket se po lufton gjithnjë e më kot kundër tyre.
Në një letër që ka bërë bujë, një gjyqtar belg nga qyteti Antwerpen paralajmëron publikisht për pasojat e kriminalitetit të drogës në vendin e tij dhe paralajmëron qeverinë për rrezkun e kolapsit të rendit. Belgjika, kryesisht për shkak të portit të Antwerpenit, prej vitesh konsiderohet si porta hyrëse e bandave ndërkombëtare të drogës në Europë. Veçanërisht kokaina mbërrin këtu.
“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të policisë dhe drejtësisë, ne nuk jemi më në gjendje t’i mbrojmë qytetarët tanë dhe veten”, shkruan gjyqtari. “Unë vetë kalova katër muaj në një shtëpi të mbrojtur”. Ai vazhdon: “Struktura të gjera mafioze kanë zënë rrënjë dhe janë bërë një pushtet paralel, që sfidon jo vetëm policinë, por edhe drejtësinë”.
Letra u publikua anonimisht, për arsye të dukshme, por në një faqe të sistemit të drejtësisë belge. Thuhet se autori është një nga 17 gjyqtarët hetimorë në Antwerpen që mund të miratojnë përgjime telefonike dhe metoda të tjera hetimi për prokurorinë. Edhe media ndërkombëtare si Financial Times kanë raportuar për këtë rast.
Kriminaliteti i shfrenuar kërcënon jo vetëm punën e tij, por mbarë shoqërinë belge. Nëse drejtësia pushon së funksionuari, ky është një sulm i rrezikshëm ndaj demokracisë. “A po shndërrohemi në një narko-shtet?”, pyet gjyqtari dhe përgjigjet: “Sipas të ngarkuarit tonë për drogën, ky zhvillim ka nisur. Kolegët e mi dhe unë e ndajmë këtë ndjesi”.
“Një narko-shtet karakterizohet nga një ekonomi ilegale, korrupsioni dhe dhuna” – të tri këto elemente, tha ai, janë tashmë të pranishme në Belgjikë.







