Ballina Dossier Muzeu Luan Jaupit në Durrës, një laborator i vërtetë për historian,gjuhëtar, arkeolog…

Muzeu Luan Jaupit në Durrës, një laborator i vërtetë për historian,gjuhëtar, arkeolog…

581
0

Bulevard news*

Durrësi mban në vetvete histori interesante. Shumë prej tyre të shkruara e të thëna. Sa më brenda e më thellë realitetit të futesh në këtë qytet bregdetar, aq më shumë të papritura ndesh. Pas këtij qyteti kanë renduar marrëzisht perandor, ushtri, arkeologë, historianë, kronikanë, etnograf, gjuhëtarë, tregtarë e vizitorë. Gjurmët e hershme të qytetërimit dhe historitë e rralla që ndikuan në rënien e ngritjen e perandorive kanë joshur hulumtues nga e gjithë bota. Qindra-mijëra vepra, libra, albume, harta, guida janë shpërndarë anekënd globit për të dëshmuar atë që ruan në brendësi të shekujve qytetit ndërtuar atje ku dallgët e Adriatikut vinë e qetohen. U dyndën historianë e arkeologë të ngrenë muze për t’u lënë brezave fakte e dëshmi të plota për të vërtetuar qytetërimin shqiptar, kulturën dhe jetesën. Janë të panumërt kërkimtarët që kanë lënë gjurmët e tyre në shpalosjen e vlerave që mbruan Durrësi. Secili në mënyrën dhe mundësitë e sajuara. Përgjithësisht në ekspedita të organizuara arkeologjike, historike, kulturore, gjuhësore, mbështetur në kritere metodike kërkimore shkencore. Ka edhe të tjerë që pa bërë zë kanë krijuar arkiva aq të pasura saqë kapërcejnë kufijtë e imagjinatës. Përgjithësisht jemi mësuar të vizitojmë muzeun arkeologjik, etnografik, historik e kështu më rradhë. Të ndara. Secili në godinë më vete. Me ciceron. Ngritur dhe mbështetur me fondet e shtetit. Por ka edhe muze që mbajnë vetëm vulën e individit dhe që janë po aq të pasura sa muzetë e shtetit; që janë edhe më të pasura se kaq. Durrësi dhe qytetarët e tij e dinë mjaft mirë se është një i tillë në zemër të qytetit. Muzeu i ndërtuar nga Luan Jaupi afron impresione të forta. E kanë quajtur veten me fat vizitorët e këtij muzeu të pasur që u është dhënë mundësi të prekin, të hedhin sytë, të shfletojnë e të fotografojnë ekzemplarë nga e gjithë bota. Aty futesh me mend dhe del i mahnitur. Njëmijë pyetje vinë rrotull për të shuar kureshtjen se si është e mundur që një koleksionist i vetëm ka mundur të bëjë këtë mrekulli.

Aparati

Luan Jaupi është personazh shumë i njohur gjithandej. Në Durrës sigurisht, por edhe në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Sarandë, për të kapërcyer më pas jashtë vendi. Djali i kapitenit të dëgjuar Adem Jaupi futej gjithandej dhe kjo i dha mundësi të shuante kureshtje pas kureshtje. Ademi pati përfunduar studimet e larta për navigacion në Baku të Azerbajxhanit, ish Bashkimi Sovjetik, në vitin 1952 dhe gjatë gjithë jetës qe kapiten anije. Pas kthimit nga shtegtimet e largëta në dete e oqeane i sillte të birit dhurata të cilat ishin shumë të çmuara ngase vinin prej vendeve më të largëta të globit. Rrjedhën e jetës për të birin e Ademit do e përcaktojë një aparat fotografik. Ishte fare i vogël, diku 5-6 vjeç në kohën që i ati i var në qafë aparatin fotografik të markës “Fed-3”. Këtu nisin karriera e fëmijës për të mos iu ndarë kurrë pasionit për fotografinë. Moshatarët e ndiqnin nga pas plot adhurim. Ata shijonin fotot e lara pas fotografimit dhe miqësia e tyre shtohej e zgjerohej. Ishte jo pak privilegj për Luanin mbajtja e një aparati fotografik në atë moshë. Fotografia e nxiti të tregohej korrekt. U bë personazh i domosdoshëm në koncerte, festivale, lojra. Shkrep pambarim, filëm pas filmi. Shkollat e ftonin në organizime të aktiviteteve, shëtitjeve, ekskursioneve. Edhe ndërmarrjet po ashtu. Shëtiti Shqipërinë, cep më cep dhe në çdo stinë. Nuk la pëllëmbë të vendit pa e vizituar dhe pa fotografuar. Fillimisht u rrëmbye nga pasioni i moshës, ndërsa më pas nga misioni për të regjistruar çdo gjë të vlefshme. Emri Jaupit erdhi e u bë personazh protagonist në Durrës. Qyteti trashëgonte kulturë shumë të mirë në këtë drejtim ngase kishte fotograf të dëgjuar që në fundin e shekullit të 19. Dalja në skenë e të riut Jaupi qe një tjetër prurje me vlerë në këtë fushë ngase djali kapitenit iu përvesh në mënyrën më serioze jo vetëm fotografimit, por edhe leximit të manualeve dhe praktikave të fotografimit. Pjekuria moshore solli edhe pjekurinë artistike ndaj shumë fotgrafi të fiksuara prej tij qëndrojnë në rradhët më të mira të albumeve. Pas viteve 1990 për fotografin punët sa vinë e shtohen. Durrësi bëhet vend pelegrinazhi nga turitë të pambarim nga e gjithë Bota. Qyteti antik transformohet në pikë takimi për konferenca ndërkombëtare të arkeologjisë, kulturës historike e letrare dhe spektakleve të bukurisë. Të gjitha duheshin regjistruar dhe arkivuar. Jaupi i pranishëm në çdo rast. Teatri dhe estrada në Durrës ka mundur të ketë arkivin e vet të fotografive vetëm në saj të tij. I pranishëm gjithandej. Edhe atje ku organizatorët e festivaleve apo koncerteve humbnin fillin për shkak të ngarkesës dhe merakut të paraqitjes në skenë. Jaupi nuk ka pritur kurrë ftesë, nuk ka ndodhur asnjëherë që ndokush t’i përgjërohet. Ka nxitua për të fiksuar çdo gjë me aparat. Edhe atëherë kur ka qenë i lodhur. Edhe kur emocionalisht është ndjerë i ngarkuar. Durrësi është qyteti i ngjarjeve dhe ndodhive të panumërta. Asnjëra nuk i ka shpëtuar aparatit të Jaupit. Nuk është merakosur kurrë për shpenzimet e pallogaritshme në larjen e fotografive. Të gjitha pa më të voglin shpërblim; të gjitha dhuratë për arkiva. Janë plot 43 aparatura të rralla që kanë kaluar në dorën e Luan Jaupit. Fillimisht “Fed-3” rus e më pas “ Pentagon “, “ Pentaks “, “Praktika”, Kodak”. “ Nikon “, “Agfa”, Canon”etj. Të parat manual, për të ardhur tek aparatet dixhitale të cilat ia lehtësuan së tepërmi punën dhe ia kursyen edhe shpenzimet. Kurrë nuk ka bërë tregti me fotografitë. Të gjitha i ka dhuruar. Aparati për të ka qenë pasion gjatë gjithë jetës dhe asnjëherë biznes. Aparati dhe biçikleta janë të pandashme, udhëtare të përditshme. Por ai është kujdesur që të shijojë edhe vet emocione duke fiksuar foto me personalitete të artit e kulturës shqiptare e botërore. Ka pozuar me Mariza Linon dhe Paolo Forestin personalitete të shquara të politikës botërore; me aktorët Lazer Filipi dhe Kadri Roshi; Pitkinin e famshëm anglez; Kardinale e Shamikuqen turke… Galeri më vete personale e fotografisë me personazhe të spektaklit, muzikës, kinematografisë, politikës, biznesit. Jaupi qe themelues i gazetës “Durrës Biznes” dhe një nga bashkëpunëtorët e ngritjes dhe veprimtarisë aktive të “Teuta Televizion” duke qëndruar në krah të themeluesit të këtij stacioni televiziv, shkrimtarit Bashkim Hoxha dhe fotografit Gëzim Domi. Pikërisht për shkak të këtij pasioni nuk ka lënë aktivitet të shoqatës “Durrësi” të bashkisë së qytetit, të gazetës “Bulevard” apo televizionit “Adriatik” e “Real” pa regjistruar në aparat. Poeteka, Mis Globi, Festivali ndërkombëtar i filmit, Dens miting, fest-lojë… të gjitha u regjistruan prej tij. Edhe sot në pozitat e arkivistit pranë teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës vijon të fiksojë ngjarjet më të rëndësishme. Prej kohësh ka nisur të grumbullojë materiale e fotografi për të gatitur një nga një të gjitha aktivitetet e organizuara nga pallati kulturës dhe teatri.Ndër punët më cilësore të tij vlerësohet edhe grumbullimi fotove të hershme të qytetit të prodhuara një e dy shekuj më parë dhe të koleksionuara në muzeun e tij.

Koleksioni

Thuajse paralelisht me marrjen në dorë të aparatit fotografik nisi të merrej edhe me koleksionin. Dhoma e transformuar në muze gjendet në katin e parë të banesës së tij. E ka planifikuar që herët për ta transfromuar në muze ndaj e ka lënë 10 m të gjatë e 4 m të gjerë. Vitrinat e raftet janë plot e përplot me relike. Ka një model të veçantë të sistemimit e të arkivimit. Puna sistematike i ka dhënë mundësi që çdo gjë të gjendet në vendin e vet. E ka fare të lehtë të sjellë në fare pak sekonda në tavolinën që është në mesin e dhomës-muze materialin, ekzemplarin e kërkuar. Ka të fiksuar në mendje gjithçka. E vetmja gjë për të cilën nuk mund të mësosh në këtë muze është numri materialeve të koleksionuara. Janë me qindra e me mijëra. Një laborator i vërtetë për historianë, gjuhëtarë, arkeologë, filatelistë… Ka qenë diku 7 vjeç kur ka nisur të grumbullojë të parat pulla postare. me to nisi edhe ideja për t’u bërë koleksionist. Kultura prindërve, shkollimi i të atit jashtë vendi dhe shëtitjet e tij në dhjetra porte të botës patën ndikim të drejtpërdrejtë në edukimin e fëmijës. Si pa u ndier dhe pa rënë në sy pullat postare u bënë shumë shpejt dëshirë e Jaupit për t’i lidhur në seri. Kështu u interesua të gjejë pullën e parë shqiptare dhe më pas çdo prodhim të ri duke krijuar zinxhirin e pullave. Duke e ditur se në këtë drejtim lypsej bashkëpunimi, krijoi miq tek posta dhe ata ia lehtësuan përpekjet në këtë drejtim. Sot, ato gjenden të sistemuara me kujdes, në seri dhe në vendin e duhur. Asnjë pullë e shtetit shqiptar nuk i mungon. Pulla me përvjetor të Çlirimit e të Pavarësisë, me figura të shquara atdhetare e patriotike… Pullat kanë edhe vlerën në lekë dhe Jaupi ka të gjithë serinë e plotë. Por koleksioni në këtë drejtim shkon edhe më tej. Duke qenë se i ati qëndronte me muaj të tëra larg familjes, nga portet e largëta dërgonte letra për t’u treguar familjarëve se gjendej shëndosh e mirë. Pullat e këtyre letrave hiqeshin me kujdes nga Luani dhe sistemoheshin tek koleksioni pullave të huaja. Pulla që nga Mongolia e Kina deri në skajin tjetër të Globit. Me shumë interes është ky koleksion edhe për shkak të ndryshime të mëdha politike dhe gjeopolitike të ndodhura në fundin e shekullit 20 e në vijim. Në muzeun e Luan Jaupit ka pulla me skemën e ish Jugosllavisë, ndërsa sot pulla të shteteve që janë shkëputur nga kjo federatë si: kroate, sllovene, boshnjake, maqedone. E njëjta gjë është edhe për pullat postare të Gjermanisë Demokratike dhe Gjermanisë Federale; të Çekosllovakisë dhe Çekisë e Sllovakisë. Interesimi sa vjen e bëhet gjithnjë e më i shumënshëm. Pasuria në vlerat e thesarit të paçmueshëm sa vjen e bëhet më interesant. Jaupi nuk mjaftohet me kaq. Mendja i punonte gjithandej. Çdo gjë, e vogël dhe e madhe për të përbënte vlerë. Që në kohën kur hodhi në sup rripin e aparatit fotografik nisi të krijojë edhe bibliotekën. Sot ajo është një pasuri më vete, me shumë vlerë. Brenda rafteve të saj gjen edhe thesare të rralla për Historinë, Gjuhën, Arkeologjinë. Sa herë që Ademi, kapiteni anijes, kthehej nga lundrimet e gjata i sillte gjëra të çmuara nga vende të ndryshme. Dhurata të tilla jo vetëm që nuk u shopërdoruan, por u bënë frymëzuese për Luanin i cili u kujdes që ato të ruheshin me fanatizëm. Në dallim nga kjo pasuri dhe këto relike, librat i blente. Kjo i zgjoi interesimin të lexonte sa më shumë. Arsimin e mesëm e kreu për elektronike dhe puna në URT e Durrësit ia shtonte pasionin dhe njohuritë kryesisht për pjesën e koleksionit që i shkonte përshtat njohurive shkollore. Një kënd më vete e bibliotekës është mbushur me libra në gjuhën esperanto, ndërsa veç librave artistik, aty ka teksta të rralla të disiplinave të shumta si dhe albume të larmishme. Në dorën e koleksionisit ka rënë edhe vepra me shumë vlerë për histrinë e arsimit shqip, Abetarja e parë e gjuhës shqipe, shkruar nga Kostandin Kristoforidhit dhe botuar ne vitin 1872 në Kostandinopojë. Kanë qenë të shumtë të interesuarit për ta tërhequr që andej këtë monument të kulturës shqiptare, por Jaupi ka vendosur ta mbajë në zemër të koleksionit. Interesante dhe me shumë vlerë janë një sërë librash të rrallë, fjalorë, almanakë, katalogje e albume. Aty, në një kënd të muzeut gjenden edhe sënduqe me monedha metalike, shqiptare e të huaja. Markë, dollarë, pesëtë, dinar, rubla, shilinga, stërlina, franga… para nga e gjithë bota. Një pjesë e tyre nuk ekzistojnë më në tregun  e atyre vendeve, megjithatë koleksionisti numizmatikës nuk heq dorë së ruajturi dhe së kujdesuri. Durrësi njihet si qendra e parë e prerjes së monedhave që në shekullin e 7-6 para erës sonë ndaj një pavion i tillë në këtë qytet ka shumë rëndësi edhe pse në një muze privat. Interesimi treguar nga Jaupi ka bërë të mundur që të tilla monedha të bëhen pjesë e koleksionit. Prerjet e parave në letër janë të sistemuara në blloqe, ndryshe nga monedhat metalike. Ngado të hidhet vështrimi në këtë muze ndesh në gjëra interesante. Sytë të shohin atë që nuk e pret, atë që nuk e imagjinon. Ka aq shumë gjëra në atë muze saqë është fare e pamundur të numërohen. Madje e vështirë është edhe të klasifikohen në kultura e në lloje. Aq të larmishme paraqiten sendet e koleksionuara. Qindra orë të markave e llojeve të ndryshme, të mëdha e të vogla; orë muri, tavoline, dore dhe xhepi; me bateri, kurdisje e vetkurdisje; të një e dy shekujve më parë. Pa mend e pa gojë mbetet çdokush teksa hedh vështrimin për të parë këndin e detit. Këtu edhe më fanatik është treguar dora e mendja e koleksionistit Luan Jaupi. Pjesën më të madhe të sendeve i ka kujtim nga i ati ndaj i ruan me fanatizëm të jashtëzakonshëm. Në natyrë është i qetë dhe i çiltër, ndërsa kur vizitori afrohet në këtë pavion nxiton të jetë aty pranë. Dëshiron që këtu të flasë vet dhe deri në detaje për origjinën, punishten e prodhimit, periudhën. Shumëgjë në këtë kënd mban shenjat e dorës së të atit. Salvagjente, spiranca, xhirobusull, fenerë, radio, llampa, kandila, harta e shumë të tjera materiale të detarisë. Spirancë detare shumë të vjetër me 4 çengelë e cila duhet të jetë e velierave të shekujve të 18 e 19 dhe që ai e ruan në kujtim të udhetimeve detare të të jatit. Aty ka edhe pushkë të llojeve e modeleve të ndryshme që i përkasin Luftës së Parë e të Dytë Botërore. Ka shpata të shumta, thika, hanxharë, shigjeta, harqe, armë trofe te nxjerra jashtë përdorimit. Koleksionet e tij të shpien në çdo cep të kontinenteve. Korale të rralla, gurë të vlefshëm, guaska të marra prej brigjeve të Madagaskarit, Kinës jugore e deri në Kubë. Radio “Sonenberg”, “Fanola” deri tek Iliria” e “Fatosi”. Aty në mesin e tyre ruan edhe dhuratën që e ëma ia bëri me rastin e martesës, një radio “Iliria”. Në të njëjtin rresht edhe gramafonë e pllaka të shumta; projektorë e aparate filmi. Enët e bakrit ia kanë shtuar edhe më tej vlerat muzeut të sistemuar mjeshtërisht. Janë të shumëllojshme, shqiptare e të huaja; të prodhuara në punishte me zë nga artizanë të njohur. Ka edhe ibrikë, çajnikë, sahanë, tepsia, kazanë, kusi, tenxhere të gjitha me vlerë për kohën e përdorimit dhe materilin me të cilin janë gatuar. Përgjithësisht janë materiale që ia kanë dhënë miq e dashamirës të cilët e ndihmuan për të pasuruar koleksionin e tij të larmishëm. Të gjitha dhurata. Familjet e hershme të qytetit kanë qenë bashkëpunëtorët më të devotshëm të koleksionistit të cilën nuk kanë kursyer asgjë. I ka vizituar shtëpi më shtëpi dhe si shpërblim për misionin ka marrë sende me vlerë. Shumë i dhënë ka qenë gjatë gjithë jetës kokelsionisti Jaupi pas veshjeve kombëtare. Të gjitha veshjet krahinore nga koka deri tek opingat janë sistemuar bukur e këndshëm në pavionin e kulturës dhe etnografisë. Kusdho lakmon t’i shohë, t’i prekë dhe t’i vëzhgojë një nga një për të parë materialin me të cilin janë prodhuar, modelin dhe mjeshtërinë popullore. Edhe emblemat, stemat, medalionet; flamujt të kombeve e popujve të ndryshëm kanë zënë vendin e vet. Bashkë me to kupa në trofe të ndryshme dhe ngjarje të veçanta artistike, sportive, kulturore. I lindur dhe i rritur në mesin e rrënojave arkeologjike të qytetit, Jaupi është tërhequr shumë edhe pas koleksionimit të materialeve arkeologjike të cilat dilnin në sipërfaqe pas gërmimeve të ndryshme apo edhe ekspeditave arkeologjike. Edhe fare e paimagjinueshme se sa kushton muzeu, sa kushton kjo pasuri e përmasave të rralla. Prej vitesh emri koleksionistit Luan Jaupi ka tërhequr vëmendjen e medias. Të gjitha gazetat, revistat dhe televizionet shqiptare kanë shfaqur interesim ta takojnë, të bisedojnë dhe të lexojnë burimin e kësaj force të madhe të këtij njeriu që ka ndërtuar një muze të vetmin në llojin e tij jo vetëm në Shqipëri. Pikërisht kontaktet e tilla i kanë dhënë mundësi të ketë miq në të gjithë Shqipërinë dhe nga shumë vende të botës. Janë pambarim turistët që shfaqin interesim të drejtpërdrejtë për të vizituar këtë muze. Djemtë dhe vajzat e qytetit të Durrësit që kanë emigruar jashtë vendi sa herë që kthehen në qytetin e lindjes i kanë orientuar turistët e huaj të ndalen dhe të vizitojnë mjedisin ku koleksionist Jaupi ka mbedhur gjithë Botën. Asnjëherë nuk e ka tunduar mendimi për të bërë qoftë edhe përpjekjen më të vogël për të shitur pjesë nga ky koleksion. Sa herë që dikush ka këmbëngulur për “t’ia rrëmbyer” ndonjë relike, e ka afruar në formën e dhuratës. Libri me përshtypje i vendosur në një tavolinë të rrehtuar me tre-katër karrige me punim artistik të mahnit me mbresat e përshkruara nga vizitorët.  Muzeu është studio e punës së tij. Aty kalon orë pambarim. Takohet me miq e me shokë. Aty sjell ndërmend vitet e shkuara, copëzat e bisedave me ata që i kanë lënë vetëm kujtimin. Në mesin e atij koleksoni të pafund qëndron dhe kërkon të mësojë për hapat e hedhura në këtë jetë, për shërbimin që ka bërë. Ulet e shkruan, fshin e sërish shkruan. Një pjesë të tyre ua tregon miqve e shokëve, të tjerat i ruan për veten e tij si një mundësi dhe gjetje e veçantë për t’u çliruar nga ajo që e mundon dhe e trazon.

Esperanto

Intelektual, studiues, njerëz të artit e të kulturës në Durrës, Tiranë dhe në qytete të mëdha e njohin shumë mirë aktivitetin e Luan Jaupit në drejtim të përhapjes së gjuhës esperanto, gjuhës ndërkombëtare. Fillesat e përpjekjeve të tij për ta shtrirë këtë gjuhë në shtresat intelektuale kanë nisur në vitet 1970. Jaupi është anëtar i kryesisë së shoqatës, kryetar i degës së Durrësit dhe delegat i përhershëm në UEA Holandë. Nuk qe rastësi motivi që e nxiti të shkonte drejt përhapjes së një kulture gjuhësore për komunikim të përbotshëm. Muzeu tij është shprehje e drejtpërdrejtë e pranisë së kulturës dhe traditës së popujve nga i gjithë globi. Për Jaupin esperanto është gjuha që bashkon popujt nën thirrjen “Një tokë, një gjuhë, një Zot”. Përpjekjet e para për ta bërë Shqipërinë pjesë të kulturës botërore në mësimin e kësaj gjuhe kanë nisur që në fillimet e shekullit të kaluar. Jaupi kujton punën e pasionuar të Jano Palit në Qeparo që në vitet 1918, përpjekje e pasuar më pas nga Gjergji Busho në Pogradec, Vasil Pistoli e Bardhyl Mezini në Tiranë, Zef Mjeda në Shkodër… Dalëngadalë esperanto nisi të bëhej gjuhë e zgjedhur për shumëkënd. Jaupi iu përvesh me shumë seriozitet. Pasi e mësoi mirë e bukur gjuhën botërore vendosi korespondencë me emra të dëgjuar në shumë vende. Asokohe letërkëmbimet me të huaj ishin të vështirë dhe shpesh me rrezik. Megjithatë Luan Jaupi ia doli mbanë. Me jo pak vështirësi pasi i duhej të qëndronte gjithnjë i gatshëm për të dhënë përgjigje. Për dy e tri dekada posta në Durrës fillimisht dërgonte letrat të ngjeshura plot e përplot në një e dy çanta tek shtëpia e Jaupit të ardhura nga dhjetra vende të botës dhe më pas shpërndante banesë më banesë pjesën tjetër. Në një ditë Jaupit i grumbulloheshin më shumë letra sesa në tre ditë për të gjithë qytetin.  Botimi në espenato i veprës “Skënderbeu” ngjalli interesim nga shumë studiues të botës. Gjuha qe shkruar në fundin e shekullit 19 nga Ludëik Lejzer Zamenhof i cili përdori nofkën doktor Esperanto në Bratislavë. Themeluesi fliste e lexonte në 12 gjuhë të botës, ndaj përpjekja tij për të gjetur një gjuhë të thjeshtë që do të shërbente për komunikim në të gjithë globin u prit me shumë interes. Jaupi hapi disa kurse në Durrës dhe arriti që në një kohë të shkurtër t’ua mësojë shumë të rinjve dhe të interesuarve. Sot në muzeun e tij të mbushur me ekzemplarë të panumërt është një kënd më vete me libra të gjuhës esperanto. Aty është historiku, metodikat, botimet e ndryshme për historinë botërore. Duke qenë ndër të parët nismëtarë të përhapjes së esperantos Luan Jaupi është ftuar në dhjetra konferneca e takime kombëtarë e ndërkombëtare. Për të parën herë ka mundur të dalë jashtë Shqipërisë në vitin 1990 në Ohër të Maqedonisë në kuadër të takimit me krerë të degëve të kësaj gjuhe. Hapja Shqipërisë i dha mundësi të jetë i pranishëm në një sërë organizimesh gjuhësore për esperanto. Në Romë, në takimin e Partisë Radikale Botërore pati përfaqësues nga e gjithë Bota. Kjo parti e kryesuar nga Marko Panela ka të njëjtin mision si dhe gjuha për të krijuar një kulturë të përbashkët komunikimi gjuhësor. Jaupi kujton se në atë takim kanë marrë pjesë edhe Sabri Godo, Skënder Gjinushi, Bardhyl Agasi, Moikom Zeqo, Artur Zheji. Stacionet e takimeve gjuhësore do i linin vendin njëra-tjetrës. Jaupi u bë pjesë e këtyre forumeve sa në një qendër të madhe kulturore, në tjetrën. Italia, Zvicra, Austria, Spanja, Çekia do të ishin vende organizatore të konferencave ndërkombëtare. Jaupi bëri të mundur lidhjen e esparantistë nga e gjithë Bota dhe ky qe shërbim shumë i mirë dhe i gjetur për të promovuar Shqipërinë edhe atje ku emri dhe zëri saj nuk ishte ndier fare për shkak të izolimit gjysmëshekullor.

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!