Bulevard news*
Jo gjithnjë vitet tregojnë moshë. Sabri Zalla ka kapërcyer të 81 vitet. Askush nuk guxon t’ia lexojë vitet, as edhe me përafërsi. Energjik, i qeshur, hapshpejtë, truplidhur, fjalëplotë, i kthjellët në mendime dhe i saktë në përshkrimin e detajeve. Nuk iu nda arsimit asnjëherë. Pasi studioi e studioi për vite me rradhë në shkolla e universitet, rikthehet sërish në auditore si student. Sigurisht me flokë të thinjur, por me humor të shëndetshëm dhe vendosmëri të rrallë. Kërkonte të ecte me të njëjtat ritme me të kohës ndaj në moshën 64-vjeçare i nënshtrohet testimeve universitare të specializuara për të fituar të drejtën e titullit “Ekspert kontabël”. Jo një e dy, por plot pesë të tilla dhe përballë një komisioni me pedagogë të Universitetit. Jeta e dërgoi në shumë dyer e udhëkryqe. Revizor, shef finance, pedagog, ekspert kontabël, sekretar i Ansamblesë në Institutin e Ekspertëve kontabël të Shqipërisë, publicist… Në moshë fare të re emërohet revizor epror në Ministrinë e Tregtisë. Pak vite më pas zbret në bazë në Kavajë e Durrës gjithnjë në funksionin e shefit të financës në ndërmarrje të rëndësishme. Tek hotel “Adriatiku” në plazhin e Durrësit ka takuar dhe ka shkëmbyer biseda me anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të Shqipërisë, ka takuar Hrushovin dhe është bërë dëshmitar i një sërë ngjarjesh të thëna e të pathëna. I biri i“Mësuesit të Popullit” Sulejman Zalla që hapi shkollën e parë shqipe në prefekturën e Durrësit, Sabri Zalla do të ecë në gjurmët e të atit dhe të fisit. Shijaku, vendlindja e dhjetë fëmijëve të çiftit Sulejman e Hatije Zalla, është trevë me histori të rralla dhe me peshë të madhe në çështjet e rëndësishme me karakter kombëtar. Në të tillë mjedis u edukua Sabriu.I ati, Sulejman Zalla është nderuar me titullin “Mësues i Popullit”, “Qytetar nderi i Shijakut” dhe dhejtra urdhëra pune. Edhe Sabri Zalla krahas vlerësimeve e stimujve të shumtë është nderuar dy herë me “Mirënjohje e qytetit të Durrësit”. Me rastin e 75-vjetorit të lindjes, teksa Zalla kishte ftuar për të festuar këtë gëzim 150 ekspertë nga e gjithë Shqipëria, kryetari i bashkisë Vangjush Dako i afron tjetër medalje mirënjohje në prani të të ftuarve. Vlerësimi që i erdhi nga bashkia e Durrësit është cilësuar prej Tij si një nga dhuratat më të vlefshme dhe më emocionuese. Dy fëmijët e Zallës kanë përfunduar arsimin e lartë dhe të gjitha kualifikimet pasuniversitare. Saimiri është bërë ekonomist dhe ka fituar licensën e ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontablit të Miratuar, kurse vajza Anila është inxhiniere ndërtimi. Sabri Zalla dhe bashkëshortja e tij Naime Zalla, mësuese e Ciklit të ulët, sot në pension, kanë ndikuar jashtëzakonisht në edukimin arsimor të djalit e të vajzës. Sot Sabri Zalla, në moshën 81-vjeçare, vijon të punojë në studion e të birit si ekspert.
Edukimi shkollor e universitar
Sabri Zalla u lind në Shijak, asokohe qendër shumë e rëndësishme. Shkollën fillore dhe 3 vitet e arsimit unik i kreu në vendlindje. I ati, Sulejmani, i cili hapi të parën shkollë shqipe në prefekturën e Durrësit, në kohën që Zalla u bë gati për shkollim, qe transferuar në Shijak. Kështu mësimet e para do i marrë nga babai dhe mësuesit Tasim Këlliqi e Sulejman Shtraza. Rezultatet shumë të mira e nxitën për të kërkuar thellimin e dijeve. Të gjitha notat i kishte Njësha. Për shkak të një natyre shumë të veçantë, me besim në vetvete, pa vënë në dijeni të atin, merr rrugën për në Tiranë dhe në saj të guximit të moshës troket në derën e ministrit të Tregtisë i cili, pasi mëson kërkesën e tij, e përcolli djaloshin nga Shijaku për tek zyra e drejtorit të kuadrit. Zalla mbante në dorë dëftesën e cila ishte edhe arma e tij e mbushur pasi rezultatet ishin shkëlqyeshëm. Asokohe nota 5 ishte më e larta dhe në dëftesën e të riut të gjitha lëndët ishin me notë 5. Drejtori kuadrit në ministri me t’i parë dëftesën, pa më të voglën mëdyshje i thotë “Djalosh nesër merr valixhen dhe shko në shkollë”. Kështu edhe u bë. Atë vit shkolla tregtare qe shpërngulur nga Vlorë në Tiranë ndaj Zalla dhe të gjithë bashkëmoshatarët e tij do të ishin të parët nxënës të kësaj shkolle në kryeqytet. Pavarësisht vështirësive ekonomike në familje dhe pamundësisë së prindërve për të përmbushur të gjitha detyrimet që kishin dhjetë fëmijët, Zalla mundi të justifikojë në mënyrën më të mirë besimin sidomos të të atit. I riu i përfundon studimet e mesme me rezultate shumë të mira, por që nuk mundi të fitonte medaljen e artë. Kjo për shkak të një letre e cila ishte nisur në adresë të shkollës nga Shijaku. Në të shkruhej padrejtësisht se i ati nxënësit kishte dhënë lekë me fajde, gjë që asokohe ishte e ndaluar. Kjo madje e pengoi të studionte edhe jashtë shteti ndryshe nga bashkënxënësit e klasës si Sheraf Mosho, Lemane Sinoimeri, Burbuqe Vogli të cilët studiuan jashtë vendi. Ishin vitet 1952 dhe mohimi i bursës për të studiuar në një nga universitetet jashtë Shqipërisë krijoi tek Sabri Zalla pakënaqësi të madhe të cilën do e kujtojë gjithë jetën. Ndërsa kryen shërbimin ushtarak regjistrohet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Ekonomisë. Zalla cilëson se zotësia e tij lidhet drejtpërdrejtë me emrin e pedagogëve Lefter Krriqi, Xhemil Çela, Haxhi Bardhi, Fiqiri Sherri, Aristotel Pani… shumë prej të cilëve ishin shkolluar në ish BS apo edhe në vende të tjera perëndimore. Pedagogët ishin shumë të zotë dhe të rreptë, kulturë e norma të cilat i edukuan edhe tek studentët si parim i domosdoshëm në jetën profesionale. Me të shtënë në dorë diplomën vijon kursin pasuniversitar, ndërsa shumë e shumë vite më pas do të rikthet në Universitet. Në moshën 64 vjeçare ulet për t’i nënshtruar pesë provimeve me synimin për të fituar të drejtën e titullit “Ekspert kontabël”. Me krijimin e Institutit të Ekspertëve Kontabël të Shqipërisë më 1977, Sabri Zalla do të jetë pjesë aktive. Në të parën mbledhje të Ansamblesë zgjidhet anëtar i këshillit drejtues dhe Sekretar i Përgjitshhëm. Një pozitë e tillë e ngjiti Zallën në krye të hierarkisë duke qenë autoriteti që vinte fill pas kreut të Institutit. Nga viti 1997 deri më 2009 do të drejtojë aktivitetin dhe kualifikimet për ekspertët nga e gjithë Shqipëria së bashku me specialistë të tjerë të Institutit. Gjatë periudhës 1965-1985 Zalla do të ushtrojë funksionet e lektorit si pedagog në shkollën e mesme ekonomike në Durrës dhe në filialin ekonomik në Durrës të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Kamzës. Karriera shkollore dhe universitare ka pasur peshë të padiskutuar në vitet e ushtrimit profesional falë rezultateve të larta dhe studimeve këmbëngulëse. Edhe sot në moshën 81-vjeçare Sabri Zalla nuk ndahet nga libri, kryesisht ai profesional, por edhe shkruan publicistikë dhe poezi si dhe e shoqja Naime Zalla.
Aktiviteti
Dy institucione të rëndësishme dhe me peshë të fuqishme u ndeshën mes tyre për të pasur të punësuar në digasterin e vet të riun Sabri Zalla. Djaloshi nga Shijaku për shkak të rezultateve të shkëlqyera në shkollën e mesme teknike aplikoi për punë. Paralelisht në Ministrinë e Tregtisë dhe në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Secili nga këto institucione qendrore kishte të dhëna të plota e të sakta për të rinjtë që përfundonin sidomos ekonomikun ndaj Ministria e Tregtisë në saj të këmbënguljes së ministrit Kiço Ngjela e fiton të drejtën për ta pasur në administratë Zallën. Ministri e justifikon vendimarrjen me faktin se shkolla e mesme Tregtare varej nga ministria e drejtuar prej tij. Zalla nis të ushtrojë funksionin e revizorit epror në këtë ministri për dy vite deri në mbërritjen e një aplikimi nga Kavaja. Strukturat qeverisëse në Kavajë kërkojnë në ministri një ekspert shumë të aftë për t’i besuar funksionin e shefit të tregtisë. Meqë të gjithë revizorët në Ministrinë e Tregtisë ishin nga Jugu dhe Zalla qe i vetmi nga Shqipëria e Mesme nuk kishte tjetër rrugë veçse t’i bindej arsyetimeve jashtë vullnetit. Saktësisht për dy jave e refuzoi vajtjen në punë, por meqë në atë kohë ishte në fuqi ligji detyrimit, për t’i shpëtuar dërgimit në pune me forca policie pajtohet nga halli. Edhe në Kavajë do të kalojë rreth dy vite për t’u transferuar me të njëjtën përgjegjësi, shef finance, në degën e turizmit në Plazh, tek hotel “Adriatiku”. Në verë aty shërbenin më shumë se 150 punonjës, kurse në dimër numri zbriste në 40-50 punonjës. Këtu punët ishim me shumë përgjegjësi ngase tek “Adriatiku” pranoheshin vetëm turistë të huaj dhe asnjë këmbë shqiptari veç personelit dhe agjentëve civil. Më së shumti ishin rinia gjermane ajo që vizitonte vit për vit bregdetin e Durrësit, por kishte edhe çek, rus, bullgarë, rumun dhe rrallë e fare pak anglez. Tek “Adriatiku” vendoseshin kryesisht ata turistë që i përkisnin shtresave të mesme, me të ardhura të mira ndaj edhe vigjelenca e vëzhguesve të sigurimit ishte e mprehtë. Përvojë tjetër më vete do të jenë vitet si shef finance në NTUS Durrës si dhe ato në ndërmarrjen bujqësore “8 nëntori” Sukth. Për shkak të funksionit Zallës i është dashur të ndeshet disa herë me eprorët për t’i shpëtuar gjykimeve të cilat mund të kishin pasoja të rënda. Edhe pse ishte thënë hapur se asnjë urdhër i jashtëligjshëm nuk duhej zbatuar, Zallës i është dashur të djersijë jo një herë me të tilla veprime të paligjshme. Teksa refuzoi të miratonte paradhënien në shumën prej 100 mijë lekësh për aktivitetin e akullore “Bllaca” u ndesh me një shënim të lënë në një kapak pakete cigare dhe që ishte nënshkruar nga sekretari i parë i komitetit të partisë së rrethit të Durrësit. Akulloret “Bllaca” ishin aq të prefekruara sa diplomatë dhe funksionarë të ambasadave të huaja në Tiranë udhëtonin drejt Durrësit vetëm për të shijuar këtë akullore. Por “Bllaca”në atë periudhë nuk kishte mundësi për të blerë limona ndaj dhe kërkonte paradhënie. Kërkesa ishte e papranueshme për financën. Zalla bëhet objekt debati dhe konfrontimi. Ndërsa nuk pranonte të tërhiqej nga zbatimi i ligjit, vendos të nënshkruajë pasi fut në kasafortë shënimin që kishte shkruar në atë copë pakete cigaresh sekretari i parë. Disa kohë më pas Zalla, në cilësinë e shefit të financës, përballet me revizorin e komitetit ekzekutiv i cili ia cilëson shkelje të rëndë dhe kjo e vendoste detyrimisht para drejtësisë shefin e financës. Në kohën që revizori nisi të shkruante në makinë shkrimi relacionin, Zalla nxjerr nga kasaforta shënimin, copë letre që i mbyll gojën revizorit. Kështu mbyllet edhe kjo hitori. Ferma Sukthit është një tjetër qendër e madhe aktiviteti për shefin e financës Sabri Zalla. Ai i ka cilësuar ato vite si një shkollë më vete. Sukthi si ndërmarrje kishte 14 sektorë me më shumë se 5000 punonjës. Ishin plot pesë kryetarë degësh që drejtoheshin nga Sulejman Gallai, drejtor i fermës së Sukthit. Zalla mbulonte degën e financës, ndërsa ndërmarrja kishte kryeagronon, kryeinninier, kryetar të degës blegtorisë, kryetar të degës së planit dhe dega e kuadrit që për Zallën ishte zyra që merrej më shumë me fjalë sesa me punë konkrete. Deri asokohe shefi financës ishte mësuar që të trokiste çdo mëngjes me bllok në dorë tek zyra e drejtorit për të marrë udhëzimet. Por kjo nuk po ndodhte me Sulejman Gallain dera e të cilit ishte e mbyllur në ora 7. Zalla kujton se kështu vijoi një ditë, dy, tre, …një javë…. Më pas mëson se drejtori nuk merrte informacione ç’kishte ndodhur një ditë më parë nga krerët e degëve. Gallai dilte çdo ditë në ora 5 të mëngjesit dhe shkonte sektor më sektor e takonte brigadierët përgjegjësit, teknikët, agronomët, blegtorët, mekanikët, kombajnerët, traktoristët dhe prej tyre mësonte se si ecnin punët e ndërmarrjes më të madhe në vend. Kjo qe një praktitë pune që i dha jo vetëm rezultat Sulejman Gallait, por edhe popullaritet dhe admirim. Zalla kujton se raportet e tij dhe të të gjithë krerëve të degëve me drejtorin ishin shumë të rregullta. Gallai u besonte pa masë dhe çdokush kryente me përpikmëri detyrën. Shefi financës kujton se pas kërkesave të shumta vendos të trokasë në komitetin ekzekutiv të Durrësit për të marrë leje ndërtimi për të ngritur pallatin e kulturës në qendër të Sukthit. Pasi i bën të ditur kërkesën dhe pasi e justifikon edhe nga ana financiare, ish kreu komitetit, Hasan Sulejmani merr përsipër t’i bëjë gati lejen i bindur se dosja teknike e përgatitur nga Zalla dhe ekipi ndërmarrjes së Sukthit ishte e plotë. Fondet për të ndërtuar pallatin ndërmarrja e siguronte nga përqindja që rridhte prej tejkalimit të fitimeve dhe këtë gjë Zalla ia bën të qartë drejtorit i cili pajtohet me mendimin e shefit të financës për të ndërtuar pallatin. Por nuk vonoi dhe për këtë investim mbërrin një ekip nga Ministria e Financave. Ata kishin takuar fillimisht drejtorin të cilit i kishin kërkuar lejen e ndërtimit të objektit dhe pasi nuk e gjejnë në dosjet e drejtorit Gallaj, nis edhe debati. Zalla me të mësuar se ç’po ndodhte troket në zyrën e drejtorit bashkë me dosjen brenda së cilës ishte leja e ndërtimit e vulosur dhe e firmosur. Kjo e mbylli debatin, ndërsa drejtori Gallai i cili gëzonte edhe epitetin “Babë Sula” u ndje shumë mirë për ekipin me të cilin drejtonte ndërmarrjen e madhe. Sabri Zalla ka dhjetra e dhjetra kujtime të cilat janë dëshmi e punës dhe përkushtimit të specialistëve.
Dëshmi e pathënë
Sabri Zalla ka qenë i pranishëm dhe në detyrë në kohën që udhëheqëi i lartë i BS, Nikita Hrushovi vizitoi Tiranën zyrtare më 25 maj 1959 Atë e shoqëronte ministri i Mbrojtjes, P. Malinovski, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, N. P. Firjubin, ish-ambasador sovjetik në Beograd dhe disa personalitete të tjera. I shoqëruar nga kryeministri Mehmet Shehu, Hrushovi dhe delegacioni sovjetik udhëtoi drejt bregdetit të Durrësit për të pirë kafe tek “Adriatiku”. Zalla e mban mend shumë mirë atë vizitë edhe për shkak të asaj që ngjau një ditë më pas. Hrushovi nuk qëndroi gjatë. Piu kafe, eci në këmbë disa metra për pak minuta në rërë buzë deti bashkë me kryeministrin shqiptar dhe u largua. Shefi i financës Sabri Zalla kujton se para ardhjes së udhëheqësit sovjetik, qeveria shqiptare kishte larguar nga hoteli të gjithë turistët çek të cilët u sistemuan tek Kovalishenca e Ministrisë së Brendshme, në Plepa. Pala shqiptare i druhej ndonjë shprehje pakënaqësie ndaj Hrushovit nga turistët çek ndaj edhe veproi në atë mënyrë. Por kjo ishte vetëm njëra masë. Po atë ditë që çekët u larguan nga hoteli, u urdhëruan edhe më shumë se gjysma e punonjësve shqiptarë të bënin pushim ditën e vizitës në Durrës të Hrushovit. Organet e sigurimit dhe ato të Komitetit të Partisë së Durrësit kishin punuar shumë kohë për të përgatitur listët e personelit të hotelit që nuk duhej lejuar të ishin atë ditë në punë dhe kjo si masë sigurie. Bashkë me Hrushovin bregdetin e Durrësit e vizitoi edhe Muhid Dinov, anëtar i Byrosë Politike të Bashkimit Sovjetik. Ndryshe nga udhëheqësi i lartë, Dinov fjeti atë natë tek “Adriatiku”. Një grup me valltarë, këngëtarë e instrumentistë dhanë koncert atë natë të mirësurvejuar nga të gjtiha anët. Edhe pse nuk pritej që Hrushovi të flinte, një dhomë e hotelit ishte lënë në dispozicion ngase mund të ndodhte që kreu i BS të kërkonte të pushonte për pak çaste, gjë që nuk ndodhi. Të nesërmen, teksa dhoma e lënë në dispozicion të Hrushovit u kontrollua nga shërbimet sekrete, u gjet në jastëkun një gozdhë. Ngjarja, në memorien e Zallës, nuk u bë e ditur për publikun dhe as nuk u thërrit ndonjë mbledhje. Gjithçka u mbajt e fshehtë dhe për gozdhën në jastëkun e Hrushovit mësuan pak vet. Asnjëherë nuk është shkruar e thënë lidhur me këtë ndodhi e cila u mbulua nga misteri. Lidhur me atë vizitë Sabri Zalla mban mend edhe një episod shumë të rëndësishëm. Duke qenë shef finance u vu në dijeni se fatura e vizitës së delegacionit të BS tek “Adriatiku” kushtoi një milion e 276 mijë lekë. Kaq ishte fatura e pritjes së Hrushovit, faturë që iu dërgua drejtorisë speciale në Kryeministri. Vlera qe shumë e madhe. Shpenzime të tilla kishte shumë e shumë vite që nuk ishin bërë. Zalla e justifikon këtë shumë me faktin se për dy javë dhjetra agjentë e punonjës të shërbimeve sekrete hanin e pinin gjithë ditën si dhe flinin në hotel për të garantuar sigurinë ditën e ardhjes së udhëheqësit sovjetik. Adriatiku ishte shumë i prefekruar edhe për udhëheqësit shqiptar që nga kryeministri Shehu, ministri Brendshëm, anëtarët e Byrosë Politike dhe funksionarë të tjerë të lartë. Por më së shumti vizitohej nga Kiço Ngjela dhe Avdyl Këllezi të cilët kalonin orë pushimi buzë deti.
Një shekull…më parë
Sulejman Zalla është mësuesi i parë në qarkun e Durrësit që hapi të parën shkollë të dijes. Një vit pas shpalljes së pavarësisë, në marsin e vitit 1913 Zalla pasi futi në xhepin e çantës vendimin e prefektit të Durrësit niset drejt Ishmit për të çelur shkollë. Asokohe Sulejman Zalla ishte fare i ri, porsa kishte përfunduar studimet në shkollën me mesme turke në Shkodër. As që e çoi nëpër mend se do të hynte në hitori si nismëtar i përhapjes së diturisë dhe mësimit të shqipes. Prefektura e kishte menduar që më parë për të bërë të mundur hapjen e shkollës shqipe. Vendimi qe marrë dhe gjithçka ishte gati. Sulejman Zalla ftohet nga prefekti i cili i bën të ditur misionin shumë të rëndësishëm dhe historik. Çanta e tij kishte pak fletore, lapsa dhe një libër. Shkolla e parë hapet në shtëpinë e sheh Adem Rodës. Ishte godinë dykatëshe dhe i zoti e lëshoi pa qera. Sheh Adem Roda ishte familje atdhetare e patriotike ndaj e priti me shumë kënaqësi kërkesën për të dhuruar ngrehinën e tij në shërbim të arsimit. Ishmi ishte një nga qendrat e rëndësishme që në periudha të hershme si nyje tregtare bregdetare dhe popullësia e atjeshme kishte fituar kulturë në saj të shkëmbimeve të tilla tregtare me portet e tjera qoftë shqiptare, qoftë ato të brigjeve përtej Adriatikut. Zalla mblodhi fillimisht diku 20-22 djem të cilët janë edhe të parët nxënës të shkollës së parë shqipe në Durrës të cilëve nisi t’u mësojë shkrim e këndim. Ndonëse komuniteti Ishimit ishin shumë të ndjeshëm ndaj dijes, për Zallën nuk do të ishte e lehtë. Ditët e para do e përballin të riun në atë periudhe me të papritura. Mësuesi i ri dhe hoxha fshatit kishin mendime të ndryshme lidhur me gjuhën që do të mësohej në shkollë. Zalla i kishte bërë të ditur se mësimi do të zhvillohej në gjuhë shqipe dhe se kjo ishte çështje e padiskutueshme, kurse hoxha këmbëngulë në gjuhën arabe. Konflikti mori përmasa jo të vogla deri sa arriti në mbylljen e përkoshhme të shkollës për shkak të propagandës së zhvilluar nga hoxha. Mësimi pezullohet për dy javë. Mësuesi qe i bindur se do ia arrite të rikthehej në fshat. Hoxha ishte patriot dhe e donte vendin, ndërkohë që këmbënguljen e lidhte me formimin dhe kulturën që kishte marrë. Kjo mjaftonte që brenda një kohe të shkurtër të gjendej edhe mirëkuptimi, Çështja diskutohet në prefekturën e Durrësit dhe në fare pak kohë gjithçka merr zgjidhje. Për dy-tri vite Sulejman Zalla mundi t’u mësonte këndim e shkrim disa djemve të fshatit. I pari nxënës i tij ishte Asllan Ademi (Ypi) që pas arsimimit do të bëhej edhe bashkëmësues me Zallën. Me kalimin e viteve Sulejman Zalla transferohet në Prezë, Shijak dhe Krujë. Emri i tij është renditur përkrah figurave të nderuara në prefekturën e Durrësit në përhapjen e dijes dhe mësimit të gjuhës shqipe.
*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!







