Ballina Lifestyle Një tortë gjigante e Michael Jackson mahnit vizitorët në Britani gjatë Halloween-it

Një tortë gjigante e Michael Jackson mahnit vizitorët në Britani gjatë Halloween-it

84
0

Një artiste tortash nga Britania e Madhe ka emocionuar fansat e Michael Jackson këtë Halloween, me një vepër të ngrënshme 1,80 metra të lartë që rikrijon ikonën e Mbretit të Pop-it.

Emma Jayne Morris, 55 vjeçe nga Uellsi i Jugut, kaloi plot gjashtë javë për të realizuar këtë krijim mbresëlënës, i cili sjell në jetë pamjen legjendare të këngëtarit nga videoklipi i famshëm “Thriller” (1983), nga kaçurrelat karakteristike deri te këpucët e tij të famshme.

Torta u prezantua në “Cake International”, ekspozitën më të madhe të ëmbëlsirave në botë, që zhvillohet çdo vit në Qendrën Kombëtare të Ekspozitave (NEC) në Birmingham. Ngjarja mbledh artistë nga e gjithë bota, të cilët shpalosin talentin e tyre në krijime të jashtëzakonshme të artit të ëmbël.

Emma Jayne, nënë e tre fëmijëve, nuk është e re në botën e krijimeve madhështore. Ajo ka realizuar më herët torta në madhësi reale të Mbretit Charles III në vitin e kurorëzimit të tij (2023) dhe të Mbretëreshës Elizabeth I në 2024. Këtë herë, ajo vendosi t’i kushtohej një tjetër figure të paharrueshme, Michael Jacksonit, duke e sjellë atë në një version “të frikshëm” për Halloween.

“Ne të gjithë jemi rritur me Mbretin e Pop-it, dhe ‘Thriller’ dukej si zgjedhja e përsosur për këtë periudhë të vitit”, – u shpreh ajo për mediat britanike.

Përveç tortës gjigante, artistja krijoi edhe gurë varresh prej brumi dhe dekorime të tjera që plotësonin atmosferën misterioze të stendës së saj.

Për të çuar veprën e saj në ekspozitë, Emma bëri një udhëtim treorësh nga Aberdare në Birmingham, duke u siguruar që çdo detaj i figurës të mbërrinte në mënyrë perfekte.

Ekspozita “Cake International” është e hapur për publikun në NEC Birmingham dhe do të vazhdojë deri të dielën, duke ofruar një përvojë unike për dashamirësit e artit të ëmbël, kreativitetit dhe Halloween-it.