Ballina Kulturë U publikuan letrat e Anton Vas të vitit 1812 nga Prishtina

U publikuan letrat e Anton Vas të vitit 1812 nga Prishtina

128
0

Nga Yll Rugova 

Në ambientet e Institut Français në Pejton, u prezentuan letrat e diplomatit të parë francez në Kosovë, Anton Vas (Antoine Vasse) nga përvoja e tij e vitit 1812. Në kuadër të projektit “Prishtina në histori”, Varg dhe Trembelat në formë libri prezantuan letrat e francezit, i cili, gjatë vitit kritik të pushtetit të Napolonit dhe në ditët e luftës me Rusinë në vjeshtën e vitit 1812, u caktua për të ngritur një nënkonsullat në Prishtinë.

Dokumentet vijnë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, përmes materialeve të mikrofilmuara, dhe pasqyrojnë përvojën e Vasit në një qytet që atëherë ndodhej në qendër të rrugëve të rëndësishme tregtare. Misioni i tij ishte mbrojtja e tregtarëve francezë dhe fuqizimi i pranisë tregtare të Francës në rajon, përballë rivalitetit të Anglisë dhe sfidave lokale.

Rreth projektit folën ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, drejtori i Institutit Francez, z. Eduard Mayoral, ambasadori i parë i Kosovës në Francë, z. Muhamedin Kullashi, dhe redaktori i përmbledhjes, studiuesi Yll Rugova.

“Mbase gjeografia përreth Prishtinës ka qenë e njëjtë me sot edhe në vitin 1812, por vetë qytetit, me sa e shohim prej këtyre letrave, ka qenë krejt e ndryshme. Ajo ka dalluar me qytetin sot, dhe ka qenë përjetim i veçantë për paraardhësin tim profesional të mëse 200 vjetëve më parë,” ka thënë ambasadori Guérot gjatë prezantimit. “Atëherë Kosova ka qenë në periferi të Perandorisë Osmane, sot është në shtegun e saj drejt Bashkimit Evropian” ka vazhduar ai.

Korrespondenca e botuar përshkruan marrëdhëniet e Vasit me autoritetet lokale, duke përfshirë Maliq Pashë Gjinollin dhe nipin e tij, Jashar Pashë, si dhe vështirësitë dhe perceptimet e një diplomati francez në Prishtinë të fillimit të shekullit XIX. Përmes redakturës nga studiuesi Yll Rugova, letra sjellin jo vetëm pasqyrën e ngjarjeve historike, por edhe atmosferën dhe sfidat e kohës, duke e kthyer Anton Vasin në protagonistin dhe autorin e përvojës së tij.

“Dhjetë letrat e botuara në frangjisht dhe shqip përcjellin njëra tjetrën kronologjikisht dhe sjellin një rrëfim të plotë me fillim e mbarim. Në formatin aktual ato mund të jenë me interes jo vetëm për studiuesit, por për çdo lexues që ka interesim për atë periudhë,” ka sqaruar Rugova.

Përgatitja e këtij botimi përfshiu transkriptimin e materialeve mikrofilmike, përkthimin dhe redaktimin e kujdesshëm të tekstit origjinal. Projekti është realizuar falë mbështetjes së Komunës së Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë, dhe me ndihmën e specialistëve të arkivave dhe bashkëpunëtorëve të shumtë.

Ky libër ofron një pasqyrë unike të lidhjeve historike midis Francës dhe Kosovës, duke e bërë të qartë rëndësinë e Prishtinës në rrjetin tregtar dhe diplomatik të fillimit të shekullit XIX.