Më shumë se 150 mijë persona janë evakuuar nga provincat bregdetare të Filipineve të hënën, ndërsa tajfuni i fuqishëm Kalmaegi po i afrohet rajonit, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Sipas agjencisë meteorologjike të vendit, tajfuni po avancon drejt arkipelagut Visayas me erëra të qëndrueshme deri në 140 km/orë dhe shpërthime që arrijnë 170 km/orë.
Filipinet po përballen sërish me mot ekstrem, pas stuhive të fundit të mëdha dhe tërmeteve vdekjeprurëse.
Zëvendësdrejtori i Zyrës së Mbrojtjes Civile, Rafaelito Alejandro, tha në një konferencë për shtyp se deri në orën 20:00, sipas orës lokale, “rreth 156 mijë persona” ishin evakuuar si masë paraprake, ndërsa tajfuni pritet të godasë pas mesnatës.







