Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hapi rrugë qëndrimit të përkohshëm në detyrë të Erion Veliajt, Edi Rama ka dalë me një reagim për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, kinse vendimi i gjykatës është në kundërshtim me dëshirën e tij.
Një përpjekje për të justifikuar vendimin e shumëpërfolur që u mor nën trysninë ë tij, pasi u pendua për zgjedhjet sepse u përball me frikën e një humbjeje të sigurtë të kandidates socialiste, Ogerta Manastirliu, përballë kandidatit të mbështetur nga opozita, Florjan Binaj, Rama tani duket se ka zgjedhur të mbyllë çështjen derisa të zgjidhë punë me Belinda Ballukun, e cila nuk del nga zyra, nuk pranon të dorëhiqet.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë përpiqet ta paraqesë vendimin si dëshmi se pushtetet nuk janë të kapura prej tij, ndërsa në mënyrë të tërthortë le të kuptohet se Veliaj është fajtor i domosdoshëm tani për tani për të.
POSTIMI I PLOTË
Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo?
2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo?
3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo?
Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë.







