Ballina Dossier “Mjeshtri i madh” Fuat Brahi: Mundësi që drejtoi me gjerdane ari ekipin...

“Mjeshtri i madh” Fuat Brahi: Mundësi që drejtoi me gjerdane ari ekipin “Teuta” prej 30 vitesh

278
0

Bulevard news*

Trajner i ekipit “Teuta”, dikur “Lokomotiva” ka emrin dhe fizionominë e mjeshtrit të madh të sportit Fuat Brahi. Është emër shumë i njohur në Shijakun e tij të lindjes, në Durrës dhe në gjithë vendin. Dhjetë vite kampion kombëtar, trofe e medalje në takime individuale dhe në spartakiada kombëtare si dhe medalje ari e kanë renditur sportistin Brahi në listën e krenarisë së sportit shqiptar. E ka nisur këtë sport në moshën 10-vjeçare, në fushën ku priteshin tullat në Shijak, për t’u ngjitur fillimisht si sportist dhe më pas si trajner në podiumet më të larta të nderit në kampionate kombëtare dhe në turne jashtë vendi. Mundja e burrëroi, e bëri të fortë, të kujdesshëm, të matur e të pathyeshëm. Ai gëzon titullin “Mjeshtër i sportit” dhe “Mjeshtër i merituar”. Nga viti 1983 drejton ekipin “Teuta”, ndërsa pasi ardhjes së demokracisë është trajner edhe i ekipit kombëtar si dhe kryetar i këshillit të trajnerëve të Shqipërisë. Ekipi mundjes së qytetit bregdetar është shpallur nëntë herë kampion dhe 18 herë nënkampion gjatë kohës që Brahi ka marrë drejtimin e të rriturve të mundjes.

 Si çdo fëmijë…

Nuk qe rastësi ngjitja e shpejtë dhe e papritur e sportistit Fuat Brahi i cili që në garën e parë fitoi kampionatin kombëtar në mundje. Ditët e para të stërvitjes së sportistit në ekip habitën edhe trajnerin e të rriturve Seit Çorapi i cili u befasuar me teknikën, guximin dhe vullnetin e Brahit. Trajneri me përvojë të gjatë, në fare pak ditë, u bind se mundësi më i ri i federuar në ekipin “Lokomotiva” ishte një talent dhe kështu ndodhi. Gjatë gjithë karrierës sportive Fuat Brahi do të jetë fitues i kampionatit dhe kupës së Republikës në stilin mundje e lirë për peshën e parë. Ushtrimin e sportit e ka nisur me bashkëmoshatarët e tij të lagjes në qytetin e Shijakut. Ka qenë vetëm dhjetë vjeç në kohën që ka frekuentuar takimet e moshës që ndesheshin mes tyre. Tapeti ishte i improvizuar, një vend që shërbente për të prerë tulla, përgjithësisht me bar por në jo pak raste edhe në dheun që i pluhuroste nga koka tek këmbët. Mundja ishte sport shumë i përhapur, por fëmijët nuk kishin trajner dhe as ekip. Një më i rritur ndër ta, apo edhe ndonjë burrë i lagjes i pasionuar pas argëtimit të fëmijëve mbante pikët. Vite më pas, me të stërvitej edhe Rusdhi Balla, një djalë dy vite më i madh në moshë. Balla kishte të atin shofer me maune dhe dilte shpesh herë jashtë shteti dhe moshatarët e shikonin me një admirim të veçantë. Ai e nxiti Brahin t’i përkushtohej mundjes duke i premtuar se do të ecte shumë mirë. Gjatë dy viteve të gjimnazit “16 shtatori” Brahi qe akrobat, por pasi e braktisi shkollën, u tërhoq edhe nga mundja. I rikthehet studimeve, këtë herë në shkollën e mesme Ekonomike në Durrës dhe njëherësh edhe pasionit të parë, mundjes, shkollë që e përfundon në vitin 1971. Dijet e Brahit thellohen më tej ngase do të ndjekë shkollën e lartë, Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë. Me të nisur hapat e para të karrierës sportive, nuk ishte më çapkëni që ndeshej në komi. Qe rritur dhe kishte marrë  tiparet e një sportisti të vërtetë, ndonëse vijonte të mos ishte pjesë e asnjë ekipi. Edhe për dy vite të tjera, 1972-1974 nuk do të ndryshonte gjë në mënyrën e të stërvituarit për të ardhur me pas takimi i tij i parë me trajnerin Seit Çorapi. E ndoqi me vëmendje në tapet dhe interesohet nga Brahi të dijë se me cilin ekip ishte stërvitur djaloshi që vinte nga Shijaku. Pasi mëson se gjithçka ishte bërë pa mbikqyrjen e asnjë specialisti të mundjes, bindet se i kishte ardhur në dorë një djalosh me tregues shumë cilësor dhe me të ardhme të shpejtë e të suksesshme.

Pjekuria sportive

Fuat Brahi kishte hyrë në kafazin e ekipit “Lokomotiva” i formuar e i pjekur. Nuk bënte asnjë lloj diferencimi nga bashkëmoshatarët e tij të stërvitur me trajner. Përvoja e gjatë i siguroi bindjen trajnerit Çorapi se me Brahin do të ngjiste shkallët e kampionatit dhe suksesi i parë erdhi po atë vit, 2-3 muaj pasi djaloshi shijakas u bë pjesë e ekipit “Lokomotiva”. Në qershor të vitit 1974 në Peshkopi zhvillohet kampionati i mundjes. Brahi e kishte për herë të parë përballjen për kampion. 12 ekipe me sportistët më të mirë nga e gjithë Shqipëria matën forcën dhe teknikën në tapetet e Dibrës.Fitoi një nga një të katër ndeshjet për t’u përballur në finale me mundësin e “Korabit” Fiqiri Rama, emri të cilit ishte bërë shumë i frikshëm për mundësit. Brahi garonte për peshën e parë dhe ia merr nga duart titullin Ramës. Djali nga Shijaku tërhoqi vëmendjen e trajnerëve pasi Rama deri askokohe ishte i pathyeshëm. Ndërsa pati edhe mendime se rrëmbimi fitores ndaj dibranit ishte rastësi, takimet e kampionatit kombëtar dhe takimet për kupën e Republikës do të flasin vetëm “Brahi”. Kështu ndodhi në vitin 1974, 1975, 1976, 1977. Në të gjitha herët ballë për ballë për vendin e parë me Fiqiri Ramën, djaloshin e fortë, të përgatitur dhe me ambicie për ta rikthyer me çdo kush vendin e parë tek “Korabi”. Por mundësi i ekipit “Lokomotiva” e kishte vendosur të mos hiqte dorë nga vendi i parë në kampionat kombëtar, në kupë dhe në kampionat individual. Ballafaqimi Brahi-Rama gjithherë është vlerësuar si spektakël pasi djemtë në tapet janë ndeshur denjësisht dhe duke respektuar me shumë përpikmëri rregulloren. Brahi është shpallur kampion duke i fituar me pikë të gjitha takimet ndaj Ramës i cili mundi të marrë kryesimin në vendin e parë vetëm atëherë kur Fuat Brahi kaloi nga pesha e parë në peshën e dytë, saktësisht në vitin 1979 e në vijim.  Trajneri Çorapi dhe ekipi i kishin drejtuar sytë nga mundësi shijakas ndaj Durrësi synon ta bëjë Brahin pjesë të ndeshjeve ndërkombëtare. Meqë me mundjen e lirë ishte e pamundur për të kapërcyer kufijtë e vendit, atë e kalojnë në mundjen klasike dhe në vitin 1978 bën dy gara, njërën në Tiranë dhe tjetrën në Korçë ku edhe doli në vendin e parë, por federata shqiptare nuk dërgoi ekip mundje jashtë vendi atë vit. Një vit më pas, kthehet tek mundja e lirë, por këtë herë për peshën e dytë për të vijuar të qëndrojë aty deri në mbyllje të karrierës sportive. Edhe këtu del fitues gare në kampionat dhe në kupë, ndërsa kampionati individual nuk u zhvillua ngase u zhvillua spartakiada kombëtare. Ndonëse ishte spartakida e IV, për Brahin ishte ballafaqimi i parë dhe për të shkuar në Shkodër tërë ekipi iu përkushtua stërvitjes. Çdo garë kishte 4-5 ndeshje për të shkuar drejt finales. Mundësi nga Durrësi lëshon me shpatulla në tapet një nga një të gjithë garuesit e shortit dhe në finale ndeshet me Pëllumb Qosen e ekipit “Dinamo” , takim i vlerësuar nga juria si ndeshje shumë burrërore. Ndërsa kishte marrë disa stimuj dhe trofe si mundës i vendit të parë në kampionat kombëtar e në kupë Republike, këtë herë shkon edhe më tej. Fitorja përballë mundësit Qose i siguron sportistit Brahi medaljen e artë, të parën të regjistruar deri më atë kohë. “Lokomotiva” shkoi në Shkodër me emra të mëdhenj të mundjes si: Naim Skudrina, Mehmet Raçe, Zija Kuka, Hysen Gashi, Bajram Sofija, Lutfi Çiçi, Adem Gashi, Bujar Sake, Gëzim Nënushi, Rustem Gjergji, ndërkohë që në mesin e tyre kishte edhe mundës me titull “Mjeshtër sporti”. Rezultatet shumë të mira dhe vendin e parë në të gjitha aktivitetet kombëtare vazdhoi t’i merrte rradhazi nga viti 1979 deri në vitin 1984 duke qëndruar gjithnjë kampion në peshën e dytë. Për shkak të cilësive shumë të mira, pjekurisë dhe seriozitetit të dëshmuar gjatë gjithë kohës si mundës, shefi klubit Fatmir Zeneli dhe inspektori i sporteve të rënda në Durrës Hysen Lika i kërkojnë dhe vendosin që Fuat Brahi të merrte fatet e ekipit “Lokomotiva” në dorë si trajner por njëherësh të vazdhonte të garonte si mundës në tapet për kampionat dhe për kupë. Ishte nëntori i vitit 1983, vetëm pak muaj para se të afronte spartakiada kombëtare. Ndërsa vet ai edhe këtë vit u shpall fitues i vendit të parë, ekipi bëri paraqitje shumë të mirë në kampionat duke u renditur i katërti. Po këtë vit zhvillohet në Tiranë spartakiada e V që për Brahin ishte e dyta. Medalja e artë e fituar në Shkodër e joshi ta rrëmbente edhe në Tiranë. Përgatitja dhe besimi nuk e zhgënjyen dhe mundësi i peshës së dytë në ekipin “Lokomotiva” Fuat Brahi merr të dytën  medalje të artë, ndërkohë që ky ishte edhe viti i mbylljes së karrierës së tij si sportist, për t’iu përkushtuar ekipit të Durrësit si trajner i mundjes. Meqë treguesit i kishte shumë cilësorë Brahi lufton në vitin 1977 për titullin “Mjeshtër sporti”. Që ta merrte këtë titull duhej të dilte patjetër kampion. Ndërsa kishte shumë besim ndodh e papritura. Gjatë garës me një mundës të “Përparimit” të Kukësit në gjysëm finale dëmtohet, kris gjurin. Nuk tërhiqet nga gara dhe e mbyll me fitore, por që do i duhej të përballej të nesërmen në finale. Doli në tapet përballë mundësit Fiqiri Rama me gjurin e krisur, të mbështjellë me fasho dhe poshtë saj llastik, karton e lecka. Këmba ishte jashtëluftimi, ndërsa nuk kishte asnjë rrugë tjetër për të arritur deri tek titulli veç përbledhjes së forcave. Gjuri i fashur gjatë gjithë ndeshjes qëndroi i tërhequr pas kështu që i duhej të luftonte e të besonte vetëm tek gjuri tjetër. Fuat Brahi të gjitha takimet i ka fituar me rezultat të thellë pa i dhënë kundërshtarit asnjë pikë, ndërsa këtë herë takimi është mbyllur 5-1 për Brahin, një tjetër tregues i forcës dhe pathyeshmërisë së tij në tapet. Të gjitha takimet për kampionat, kupë, kampionat individual zhvilloheshin me seriozitetin më të lartë. Vlerësimi i sportistëve bëhej në çdo rast nga juri shumë të afta, me specialistë të standarteve të larta dhe të paanshëm. Juria kishte kryegjyqtarë, kryetar tapeti, dy anësorë, gjyqtar tapeti. Serioziteti ishte parësor. Brahi nuk mban mend asnjëherë, as si sportist dhe as si trajner që gjyqatrët apo juritë të kenë bërë gabime të qëllimta dhe që të kenë ndikuar subjektivisht në rezultate dhe në ndarje të vendeve. Garat në atë periudhë zhvilloheshin tre herë me nga 3 minuta, menjë minutë pushim  pas çdonjërës seancë. Korrektesa dhe respektimi i rregullave e bënin sportin e rëndë të mundjes shumë të admiruar. Pallatet e sportit mbusheshin plot dhe sa herë që ndodhte takimi në Durrës ishte e pamundur të gjendej qoftë vetëm një karrige bosh. Të gjitha sportet ishin të vlerësuara ngase bëhej politikë dhe agjitacion për masivizimin. Deri në përmbysjen e sistemit komunist janë zhvilluar spartakiada në shkolla, kooperativa dhe ndërmarrje. Në të gjitha sportet dhe llojet brenda tyre. Përmes këtyre spartakiadave realizohej edhe përzgjedhja e talenteve. Fëmijët bëheshin pjesë e ekipeve që në moshën 9-10 vjeç, moshë nga ku niste seleksionimi. Pastaj vijonin garat e moshave 12-15 vjeç, 15-17 vjeç (kadetë), 17-20 vjeç ( të rinjtë), 20 vjeç të rriturit.

E papritura

Sportisti Fuat Brahi gjatë gjitha viteve të karrierës së tij si mundës është stërvitur nga trajneri Seit Çorapi duke përjashtuar dy vite, kohë që në vendin e tij u caktua trjaner Asllan Lame. Marrëdhëniet me trajnerin i kishte të shkëlqyera ndaj ashtu si edhe të tjerë sportistë e pritën me shumë keqardhje largimin e papritur dhe me urdhër politik të trajnerit Çorapi. Kjo ndodhi në vitin 1976, vit që ekipi “Lokomotiva” u shpall për herë të parë kampione e Shqipërisë për mundjen e lirë. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e sportit shqiptar që Durrrësi si ekip të dilte në krye. Ndërsa priteshin stimuj edhe për trajnerin, ndodhi ndryshe. Trajneri tyre ishte mashinist dhe pasi u sajua politikisht një incident mes lokomotivës së trenit të drejtuar nga mashinisti Çorapi dhe një treni jugosllav, trajneri u fajësua dhe u persekutua. Saktësisht ishin vitet e acarimit të marrëdhënieve Tiranë-Beograd dhe incidienti u sajua, ndërsa dikush duhej të flijohej në këtë rast dhe në mesin e të tjerëve u gjet edhe trajneri-mashinist. Trajneri i ri Lame krijoi raporte shumë të mira me të rinjtë e mundjes dhe për herë të dytë “Lokomotiva” del në vendin e parë për mundjen e lirë në kampionatin kombëtar të vitit 1977. Mundësi “Lokomotivës” kujton se Çorapi u kthye tek ekipi në vitin 1978 dhe për sportistët u vlerësua si ngjarje e shumëpritur. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe pasi me këtë trajner “Lokomotiva” kishte bërë emër shumë të madh në mundje dhe se shumë sportistë kishin marrë tituj për shkak të cilësive shumë të larta. Ishte meritë e tij që në vitin 1976 dhe 1977 djemtë e Durrësit fitojnë kampionatin me ekipin e përbërë nga Fuat Brahi pesha e I, Naim Skudrina  pesha e II, Zija Kuka pesha e tretë, Lutfi Çiçi pesha IV, Mehmet Rapça pesha V, Pashk Gjergji pesha VI, Gëzim nanushi pesha VII, Adem Gashi pesha VIII, Rustem Gjergji pesha IX dhe Bujar Sakja pesha X.  Brahi kujton se trajneri tij ishte korrekt, kërkonte disiplinë të fortë, stërvitje rigoroze dhe se nuk toleronte në asgjë duke i nisur nga parimi se në sportin e mundjes komandon cilësia dhe jo pesha. Shumë rëndësi i kushtonte trajneri tyre orarit që nga të ushqyerit në mensën e ekipit tek Danubi, drekë e darkë, dhe deri tek mbyllja e programit.

Stërvitja dhe disiplina

Të gjithë sportistët e mundjes kërkonin mundësi të ndryshme për të rënë nga pesha. Kështu ka ndodhur edhe me Fuat Brahin, mundësin kampion për dhjetë vite rresht, fitues i medaljeve të arta dhe i titujve “Mjeshtër sporti” dhe “Mjeshtër i merituar”. Brahi kujton se për të rënë nga pesha u duhej të djersinin shumë. Një mënyrë ishte ajo e bërjes stërvitje me pesë e gjashtë bluza të veshura në trup të cilat e mbysnin në djersë. Por kjo ishte njëra gjetje. Kishte të tjera edhe më interesante. Shpesh, madje e pamundur të numërohen rastet se sa herë i është dashur atij dhe mundësve të tjerë të futen në furrat tek Nish Goma dhe në fabrikën e bukës me të vetmin qëllim që të djersinin për të hequr peshë. Aty qëndronin disa orë dhe duronin temperaturën e lartë pranë furrës duke parë se si djersa kullonte gjithandej nëpër trup sikur të ishin futur në lum. Një marifet tjetër për t’u stërvitur ishte edhe bërja e vrapit. Sportisti banonte në Shijak dhe për t’u stërvitur, gjatë viteve 1974-1979, rrugën nga Katër Rrugët e Shijakut dhe deri në Kodër të Rrashbullit në Durrës e ka bërë me vrap. Stërvitej për të hapur mushkëritë, për të krijuar rezistencë ditën e ndeshjeve. Këtë rrugë e ka bërë edhe në ditë me shira të rrëmbyeshëm duke mos dëgjuar shpesh herë fjalët e banorëve të cilët thonin “Paska lojtur mendsh  ky çun që vrapon edhe në ditë me shi”. Duke qenë në moshë rinore shpesh i ndodhte të qëndronte deri në orët e vona të mbrëmjes në Durrës, harruar në shoqërinë e tij. Autobusi i fundit për në Shijak nisjen nga Durrësi në ora 22.30. Brahit i ka ndodhur jo një a dy herë që ta bëjë në këmbë rrugën nga qyteti bregdetar deri në shtëpinë e tij në Shijak. Sportisti, teksa rifreskon kujtimet e moshës së shkuar, mban mend se kur afrohej në qendra të banuara ecte me hap, sapo kalonte në errësirë ia merrte vrapit pasi rruga ishte e gjatë, gati e pafund. Megjithatë nuk hiqte dorë nga etja për sportin edhe pas këtyre mundimeve. Mundjen e kishte me pasion të madh aq sa ai kujton se edhe në ëndërr vetëm ndeshje mundje shikonte. Edhe pse sport i rëndë është dashuruar pas tij gjatë gjithë jetës. Për të stërvitja dhe disiplina janë të pazëvendësueshme nëse sportisti kërkon të bëjë karrierë. Gjatë stërvitjes dhe në takime nuk kishte asnjë lëshim, 3 orë stërvitje, me grip apo i sëmurë. Me mjek tek koka. Nuk ndodhte kurrë që sportisti të përdorte fjalor të pahijshëm gjatë stërvitjes, gjatë kampionatit apo edhe në rrugë nëse ishte i pranishëm edhe trajneri. Brahi nuk mban mend asnjë sportist mundje që të ketë konsumuar cigare, ndërsa ka kujtuar se po të ndodhte qoftë edhe një rast sportisti përjashtohej. Alkooli po ashtu i ndalur plotësisht. “Mjeshtri i merituar” Brahi kujton se çdo sportist ishte i ndërgjegjshëm për kushtet dhe detyrimet pasi e kishin zgjedhur vet mundjen, sportin, ndaj nuk kishte arsye të shkelej mbi parimet, rregullat dhe disiplinën. Brahi ka thënë se mundësi shpenzon në një stërvitje deri në 4 mijë kalori dhe zëvendësimi tyre në atë kohë ishte i pamundur, ndryshe nga sot që përdoren vitamina të ndryshme. Pastaj mundja ka edhe dëmtime deri serioze. Fuat Brahi ka treguar se gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve ka krisur dy brinjë, ka nxjerrë krahun, ka krisur dhe ka thyer bërrylin, ka krisur gjyrin. Shpëtim për të dhe për mundësit ka qenë doktori popullor Cen Bulku  i cili i njihte emër për emër mundësit e “Lokomotivës” . Sa ia rregullonte njërit sportist krisjet dhe thyerjet, shkonte tjetri.

Mjeshtri trajner

Fuat Brahi i dha lamtumirën mundjes si sportiest në vitin 1984. Emri tij ishte bërë i dëgjuar gjithandej në Shqipëri dhe në gjoks mbante shumë medalje. Kishte fituar për dhjetë vite vendin e parë në kampionatet kombëtare, dy medalje ari dhe titullin “Mjeshtër i sportit”. Suksesi i vitit 1983 teksa iu besua edhe drejtimi ekipit, edhe dalja në tapetin e mundjes për të marrë titullin, krijoi bindjen se Fuat Brahi kishte të gjithë zotësinë për të drejtuar ekipin. Pa asnjë mëdyshje dhe në mënyrë unanime emërohet trajner i të rriturve të mundjes tek “Lokomotiva”. Atë vit ekipi doli kampion, ndërsa Brahi pa asnjë vonesë do të nisë edhe revolucionin në ndryshimin e formacionit dhe të modelit të stërvitjes. Formacioni kishte nevojë të frestohej pasi mundësit ishin në moshë dhe ekipi kërkonte të rilindte. Ishin 27 mundës në dispozicionin e tij, të gjithë të gatshëm dhe plotësisht të vendosur t’i nënshtroheshin disiplinës së trajnerit të ri. Brahi aktivizon të rinj me perspektivë, shton përgatitjen teknike dhe atë psikologjike. Një vit më pas, më 1985, “Lokomotiva” del në vendin e 5 në kampionat dhe në kupë. Trajneri u shfaq para pjestarëve të ekipit shumë i kënqaur me rezultatin pasi mendonte për të ardhmen. Në vitin 1986 ekipi tij ngjitet në vendin e tretë, një vit më pas në të dytin dhe më 1988 arrin të shpallet fitues në kampionatin kombëtar dhe për kupën e Republikës, ndërkohë që në vitin 1989 veç vendit të parë fiton edhe spartakiadën kombëtare të zhvilluar në Durrës. Mjeshtri sportit Fuat Brahi i kishte bërë shumë mirë llogaritë. Për të parën herë Durrësi, ekipi mundësve të “Lokomotivës” fitojnë spartakiadën, eveniment i ëndërruar në shumë vite. Djemtë e mundjes ia shpërblyen besimin dhe sakrficën e treguar nga Brahi. Në drejtimin e tij “Lokomotiva”, e cila pas viteve 90 të shekullit të kaluar do të njihet me emërtimin “Teuta”, nga viti 1984 deri më 2013 do të fitojë nëntë herë vendin e parë në kampionat kombëtar dhe kupë Republike si dhe  18 herë vendin e dytë, ndërsa këtë vit ka shumë besim të kthehet sërish në krye të klasifikimit. Shkrirja e dy ekipeve shumë të forta të mundjes në kryeqytet: “Dinamo” dhe “Partizani’ forcoi së tepërmi ekipin “17 nëntori” të Tiranës, rivali më i fortë dhe i vetëm për durrsakët. Gjatë karrierës së tij si trajner Fuat Brafi, fitues i titullit “Mjeshër sporti” dhe “Mjeshtër i merituar” ka “prodhuar” njëzet “Mjeshtra sporti” dhe konkretisht: Naim Skuadrina, Shkqëlqim Shyqyri Troplini, Sinan Trimi, Marjan Rustani, Roland Falli, Sokol Sula, Rusdhi Koka, Shkëlqim Beshiri, Rustem Gjergji…Nisur nga praktikat e reja botërore të sportit të mundjes trajneri ka shtuar stërvitjen, përgatitjet teknike, garat dhe ngarkesën për çdonjërin mundës. Aktualisht të rriturit e mundjes zhvillojnë sot përgjithësisht dy seance në ditë të ndarë në 2 orë paradite dhe në 3 orë pasdite, kjo e detyrueshme me afrimin e aktiviteteve. Falë përgatitjes dhe rezultateve ekipi “Teuta” përbën formacionin kryesor të ekipit kombëtar të mundjes. Më shumë se 50 për qind e kombëtares është me fanellën e “Teutës”. Pas vitit 1991 Fuat Brahit i është besuar edhe drejtimi ekipit kombëtar të mundjes, ndërsa që nga viti 2009 e deri më tani është kryetar i këshillit të trajnerëve të Shqipërisë. Pas hapjes së Shqipërisë me Botën, Brahi ka mundur të vëzhgojë dhe të ballafaqohet me mundësit e tij në një sërë aktivitetesh të rëndësishme. Në më shumë se 50 shtete ka vizituar ekipe, stadium, konferenca sportive, ballafaqime të shumëllojshme. Me ekipin kombëtar ka regjistruar disa suksese. Ndër ta spikat turneu në Athinë në vitin 1992 nga ku mundësit shqiptarë kthehen me tre medalje të arta dhe ekipi kombëtares shqiptare renditet në vendin e dytë. Brahi mban mend se medaljen e artë e fituan dy mundësit e “Teuta” Roland Falli dhe Sinan Trimi, kurse medalja e tretë e artë fitohet nga Izmir Hajdari i “Tirana”. Mjeshtri Brahi ka marrë pjesë në dy lojra oplimpike, një herë në Atlanta në vitin 1996 me mundësin Shkëlqim Bashkim Troplini dhe në Athinë në vitin 2008 me Seit Prizrenin, djaloshin që doli nënkampion Evrope në vitin 2011. Sportistit të taletuar Fuat Brahi i cili renditet ndër mundësit më të mirë të të gjitha kohrave iu dha titulli “Mjeshtër i merituar” vetëm në vitin 1992. Ai e kishte merituar vite më parë, në kohën që ngrente peshë sportdashësit me trofetë e fituar. Për të fituar titullin “Mjeshtër i sportit” lypseshin shpalljen tre vite rradhazi kampion kombëtar dhe Brahi e kishte bërë të tijin shumë herët titullin. Por mundësi I cilësi të rralla kishte shkuar më tej, kishte kapur edhe kriteret për të fituar titullin “Mjeshtër i merituar” pasi vazdhonte të mbante vendin e kampionit jo vetëm pesë vite pasi ishte shpallur “Mjeshtër sporti”, por më shumë. Megjithatë nua ia dhanë ngase federate nuk bëri të mundur realizimin e asnjë takimi ndërkombëtar të mundjes, kriter ky për titullin e mësipërm.

Fuat Brahi lindur në Shijak më 1952

Fitues i titullit “Mjeshtër i sportit” 1977

Fitues i titullit “Mjeshtër i merituar” 1992

“Mjeshter i madh” ne vitin 2021

Si sportist

Peshë e parë mundje e lirë 1974-1979

Peshës e dytë mundje e lirë 1979-1984

1974 fiton për herë të parë kampionatin kombëtar të zhvilluar në Dibër

Kampion në peshën e parë 1974-1977

Kampion në mundje klasike 1978

Kampion në peshën e dytë mundje e lirë 1979-1984

Medalje të artë në Spartakiadën e IV të vitit 1979 dhe të V të vitit 1984

Si trajner

Me ekipin “Lokomotiva” ( sot “Teuta”) që në vitin 1984

Me ekipin kombëtar 1991 e në vijim për 20 vite

Kryetar i këshillit të trajnerëve të Shqipërisë që nga vitit 2009

Me ekipi “Lokomotiva” (sot “Teuta”) fiton 9 herë vendin e parë në kampionatin kombëtar

Me ekipin “Lokomotiva” (sot “Teuta”) fiton 18 herë vendin e dytë në kampionatin kombëtar

Ka përgatitur 20 sportistë të mundjes për titullin “Mjeshtër i merituar”

Fitues i trofeve në turne e takime ndërkombëtare

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!