Ballina Dossier Met Myshku, Vitet si futbollist dhe gjyqtar janë më të mirat e...

Met Myshku, Vitet si futbollist dhe gjyqtar janë më të mirat e jetës sime

165
0

Bulevard news*

Nuk kanë të sosur emrat e sportistëve të cilët janë themelues të një sërë lojrave në fizkulturën e Durrësit. Qyeteti bregdetar ndihet i përkedhelur pikërisht për shkak të mbajtjes për vite e vite me radhë të kurorës në një sërë sportesh. Gjithandej për vite me rradhë diskutohej vetëm për sportin, rekordet, medaljet, emrat e sportistëve. Dashamirët e këtyre sporteve, të cilët mbushnin tej e tej fushat, stadiume e pallate sporti, dinin deri në detaje të imta jetën e sportistëve: llojin e sportit të ushtruar, moshën, arsimin, profesionin në punë, vendin e banimit, numrin e fanellës, pozicionin në aktivizimin sportiv, medaljet dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Të gjithë sportistët, pa përjashtimin më të vogël ishin të njohur për qytetarët. Asnjëri prej tyre nuk i shpëtonte vigjelencës së syve të tifozërisë durrasake. Pavarësisht ecjes së viteve, shumë nga emrat themelues të ekipeve sportive ruhen në kujtesën e spordashësve dhe u tranmetohen brezave. Ndonëse disa sporte sot janë lënë pas dore në Durrës, qytetarët vazdhojnë të shpresojnë për ta parë qytetin e tyre përsëri në krye të tabelave të klasifikimit, si dikur, jo shumë kohë më parë. Met Myshku, veteran i sportit të këtij qyteti, ka shumë për të thënë. Me familjarë, miq, shokë dhe adhurues nuk pushon së foluri për sportet duke u ndalur veçanërisht tek futbolli. Pasioni për futbollin e nxit të mos heqë dorë asnjëherë ndaj sportit edhe pasi dorëzoi fanellën. Vitet si albitër do e “degdisin” në shumë vende të Botës, në një kohë që Shqipëria ishte e gjitha e izoluar. Që andej sjell përvojën e futbollit Lindor e Perëndimor si dhe kujtime të thëna e të pathëna.

Fillesat…

Met Myshku i përket brezit të futbollistëve themelues të klubit “Puna” në Durrës. Sportisti është lindur në qytetin bregdetar në vitin 1934. Arsimin e mesëm e kryen në shkollën “Kajo Karafili” tek Mali i Robit në Golem. Kjo qe edhe periudha kur Myshku u veçua për aftësitë e tij në fushën e blertë. Djemtë e shkollës loznin në fusha të sajuara dhe në terren sportive të përgatitura me ato kushte e mundësi të kohës. Pa ndihmën e askuj vendosi të trokasë tek dera e ekipit “Puna” edhe pse ishte shumë i ri.  Nuk i pati mbushur të 16 vitet, kohë që u bë pjesë e ekipit të futbollit të Durrësit. Për shkak të moshës duhej të regjistrohej tek të rinjtë, por kjo nuk ndodhi. Trajneri Tom Gjiri pasi ndoqi për pak kohë ecurinë e sportistit të ri e regjistroi tek ekipi bazë “Puna” me të rriturit. Kështu Met Myshku nuk e pati fatin qoftë dhe një ditë të vetme të lozte me të rinjtë. Futbollistët e ekipit vinin nga ndërmarrje të ndryshme, nga porti, kantieri, ndërtimi, shkollat, artizanati…Ka qenë data 14 janar 1950 data që Myshku është përfshirë në ekipin e të rriturve. Për shkak të moshës së vogël, punonte vetëm 5 orë në ditë si marangoz në pallatet e shtetëzuara në Durrës duke u marrë kryesisht me riparimin dhe rregullimin e dyerve, dritareve, bravave, menteshave etj. Për ta regjistruar tek të rriturit ndikuan dy mjek të cilët i shkuan vullnetit të trajnerit sipas dëshirës. Për shkak të rregullave të forta dhe të rrepta kandidati për sportist duhej të kalonte në dorën e mjekëve si dhe të një sërë analizave. Vetëm ata vendosnin nëse sportisti ishte i mundshëm për t’u regjistruar në ekip apo jo. Myshku tërhoqi vëmendjen e mjekëve edhe për një fakt tjetër. Mjeku Mikel Muka i cili kishte përfunduar studimet jashtë vendi ishte jo vetëm adhurues i sportit, por lozte edhe vet futboll. Edhe mjeku tjetër dr. Vokopola ndikoi shumë për ta antarësuar tek ekipi “Puna” futbollistin e ri dhe shumë premtues. Shëndeti djaloshit ishte i mirë. Për moshën e tij kishte shtat të bëshëm, ishte i shkathtë dhe me shumë vullnet. Tregues të tillë mjaftonin për mjekët që t’i jepnin të drejtën për t’u regjistruar në ekipin e të rriturve. Trajneri Tom Gjiri këtë donte, por ai vet e kishte të pamundur të vepronte për aq kohë sa nuk ishin shprehur mjekët të cilët plotësonin edhe kartelën.

Futbolli

Në janarin e vitit 1950 Met Myshku përfshihet në ekipin “Puna”. Futbolli ishte në ditët e veta më të mira dhe brenda ekipit spikasnin lojtarë të nivelit të lartë. Tani që kanë kaluar 60 vite nga ajo kohë, Myshku mban mend formacionin e plotë të ekipit të futbollit të Durrësit. Madje edhe pozicionet, rezultatet, trofetë. Ekipi përbëhej nga Palush Gajda, Teli Ciko, Shefqet Topi, Çiço Ikonomi, Petraq Ikonomi, Banush Pasha, Raqi Manushi, Ali Zalla, Abdulla Duma, Orest Grami dhe Met Myshku. Kategoria e parë kishte 12 ekipe të cilat ishin “Partizani”, “Dinamo”, “17 Nëntori”, “Lokomotiva”, “Besa”, “Vllaznia”, “Flamurtari”, “Labinoti”, “Puna” …të gjitha me futbollistë cilësorë. Durrsakët synonin kreun e tabelës. Rezulatet e tyre ishin shumë të mira si brenda fushës së tyre, edhe në fushën kundërshtare. Ekipi “Puna” ishte në kategorinë e parë në vitin 1950, vit që Myshku u bë pjesë e tij në formacionin bazë. Takimet dhe ballafaqimet ishin interesante, me shumë emocion dhe tifozllëk të papërshkrueshëm. Durrësi i mbushte plot e përplot shkallët e stadiumit dhe ndodhte që qindra adhurues ta ndiqnin me qendër zëri ndeshjet ngase nuk siguronin dot një biletë. Situata të tilla ndodhnin shpesh në Durrës. Biletat nisnin të shiteshin në ditën e parë të javës, ndërsa në mesjavë sportelet ishin të mbyllura. Ekipet e Tiranës grumbullonin lojtarët më të mirë të të gjithë Shqipërisë, dikush nga repartet ushtarake, të tjera nga efektivat e rendit dhe jo më pak nga shkollat e ndërmarrjet. Megjithatë “Puna” mbahej mirë dhe dinjitoze përballë ekipeve të kryesimit. Takimet në qytetin bregdetar të Durrësit ishin shumë të lodshhme për ekipet mike ngase vendësit mbështeteshin nga tifozëri e madhe dhe entuziaste. Ato vite, mesi i shekullit 20, Durrësi nuk kishte terrene të mira sportive, ndryshe nga Tirana apo Shkodra dhe ndonjë rreth tjetër që patën mundësi të ndërtonin stadium futbolli. Regjimi i rreptë dhe ambicia ndikuan në rezultatet. Futbollistët kryenin stërvitje të rregullt dhe të përditshme në bazë të kalendarit të bërë publik. Çdo gjë në rresht. Edhe të ushqyerit po ashtu.  Ushqeheshin në mensën e policisë. Met Myshku lozi me ekipin “Puna”, që me kalimin e viteve mori emërtimin “Lokomotiva” dhe më pas “Teuta” , 12 vite me ndërprerje për shkak të shërbimit ushtarak. Gjatë kësaj periudhe Myshku mban mend se “Puna” ra dy herë nga kategoria, ndërsa është ngrënë “dhëmbë për dhëmbë” me ekipe të forta për kreun e tabelës edhe në kategorinë e parë. Me t’u mobilizuar në shërbimin ushtarak aktivizohet në Tiranë. 5 javë shërbeu si ushtar në qendrën e instruksionit kufitar. Deri asokohe marina ishte 4 vite, kurse kufiri 3 vite ushtri, ndërkohë që Met Myshkun e zuri një periudhë më e favorshme pasi kufiri u bë dy vite. Përfundimi shërbimit ushtarak e rikthen në Durrës, këtë herë tek ekipi “Lokomotiva”, emërtim i ri. Ishte po ai ekip, po ata futbollistë dhe po ai trajner. Asgjë veç emërtimit nuk kishte ndryshuar. Shqipëria imitonte në ato vite stukturën e vendeve të Lindjes, ngase ishte edhe pjesë e Traktatit të Varshavës prej të cilit largohet për të qëndruar më pas as në Lindje dhe as në Perëndim. Në vendet e kampit socialist qenë krijuar ekipe “Dinamo”, “Partizani”, “Lokomotiva” , “Puna” e të tjera në një sërë vendesh. Shqipëria nuk mund të ishte përjashtim. Si futbollist lozi deri në vitin 1962 për t’u ndarë nga topi në moshën 28-vjeçare. Pasioni e mbante të mbërthyer brenda futbollit ndaj vendos të bëjë zgjedhje tjetër, të re dhe me perspektivë. Met Myshku kalon në profesionin e albitrimit të ndeshjeve në cilësinë e gjyqtarit. 12 vitet e aktivizimit në fushën e blertë i dhanë mundësi të krijonte personalitetin e tij si futbollist duke qenë gjithnjë pjesë e formacionit bazë të ekipit.

Gjyqtar

Durrësi në kohën që Met Myshku i dha lamtumirën futbollit kishte krijuar emër të mirë edhe në albitrimin e ndeshjeve të të gjitha kategorive në kampionatin shqiptar të futbollit. Shazivar Gruda, Ilia Doraci, Kristaq Bakërdheli qenë gjyqtarë me autoritet të padiskutueshëm. Këtë rrugë ndoqi edhe Met Myshku i cili në moshën 28 vjeç vendos në gojë bilbilin e albitrimit. Fillimisht në kategorinë e dytë pas provimit që dha përpara komisionit të kryesuar nga Ramiz Pregja dhe Lorenc Kotherja. Gjyqtari Ramiz Pregja gjykoi ndeshjen kualifikuese Turqi-Rumani e vlefshme për kampionatin botëror të futbnollit “Angli 1966”, tregues i padiskutueshëm i stadit të lartë të besueshmërisë së FIFA-s.

Përballë figurave të tilla mati aftësitë teorike gjyqtari i ardshhëm. I riu nga Durrësit u vlerësuar shumë mirë nga juria ndaj iu dha e drejta për të albitruar ndeshjet e futbollit në kategorinë e dytë, ndërsa 2-3 vite më pas fitoi statusin e gjyqtarit të kategorisë së parë. Myshku vlerëson se gjithçka për të në fushë ishte rregullorja e futbollit. Pjesën më të madhe të takimeve i ka albitruar me ndihmësit e tij Reshat Qatja dhe Spiro Sterjo. Kurseve të albitrimit në atë kohë u kushtohej vëmendje e madhe dhe kujdes i veçantë. Shqipëria kishte bërë hapa shumë serioz në drejtim të edukimit teorik e fizik të albitrave që gjykonin ndeshje ndërkombëtare. FIFA i kushtoi interesim të plotë ecurisë së sportit shqiptar dhe sidomos futbollit. Në vitin 1965 FIFA mobilizon edhe gjyqtarë shqiptar në seminarin e zhvilluar në Zyhri të Zvicrës. Nga Federata Shqiptare morën pjesë Tahir Kalaci, Arsen Hoxha, Ramiz Pregja, Astrit Zhorda dhe Met Myshku. Pesë ditët e qëndrimit në Zvicër do të kujtohen si periudhë e fitimit të përvojës më të mirë për Myshkun. Seminari ishte programuar teori dhe lojë futbolli. Ishin plot 133 albitra nga e gjithë Evropa dhe punohej rregullorja unike e futbollit. Pas një viti u mbajt në Angli kampionati botëror. Myshku kishte udhëtuar me mision albitrimi edhe herë të tjera jashtë vendi duke marrë pjesë në Ballkaniadën e zhvilluar në Selanik, Bukuresht, Budapest, Prishtinë. Gjithçka që niste nga fluturimi e udhëtimi me linja të tjera, ushqimi, fjetja, argëtimi përballohej nga fondet e FIFA-s. Met Myshku e kalon me të qeshur rrëfimin se çfarë ndodhte me shpërblimet që Federata Ndërkombëtare e Futbollit u jepte gjyqtarëve. Krahas të tjerave gjyqtarëve u jepej dollarë xhepi dhe dollarë të tjerë për rastet e albitrimeve të ndryshme sa herë që bëheshin pjesë e kalendarit të federatës. Myshku pasi kaloi një nga një provat si gjyqtar cilësor në Shqipëri, për pesë vite fitoi të drejtën e gjyqatarit ndërkombëtar. Kjo i dha mundësi të merrte disa rrugë jashtë vendi dhe të kthehej me shpërblime të konsideruara. Shpërblimi për albitrime ishte i kategorizuar, sipas rëndësisë së ndeshjeve, ekipeve, apo edhe fazave. Megjithatë bëhej fjalë për shuma të cilat ishin shumë të mira për gjyqatarët shqiptar. Albitrime të ndeshjeve të tilla si Hungari-Belgjikë, që i ka ndodhur ta gjykojë Myshku, ishin të niveleve të larta ndaj edhe pagesa ishte po aq e vlerësuar. Ndërsa çdo albitër i huaj e merrte të gjithë shumën për vete, me rastin e gjyqtarëve shqiptarë ndodhte ndryshe. Dollarët dorëzoheshin një për një në Federatën Shqiptare, në arkën e saj dhe këmbeheshin me fletë nderi dhe fletë lavdërimi. Megjithatë për Myshkun stimuli material nuk ka qenë përcaktues. Ai ka vlerësuar më së shumti pëërvojën e fituar, ndërsa ka lënë mënjanë çështjen e shpërblimit. Jashtë vendi pati mundësi të shohë e vizitojë terren të mrekullueshme sportive, stadiume, palestra, pishina, salla përgatitjeje, mjedise mësimi, terrene argëtimi për futbollistë e sportistë të tjerë.  Mbresa gjatë daljeve të tilla janë të shumta e të larmishme në kujtesën e Met Myshkut. Federatat e huaja i kushtonin shumë investime futbollit, terreneve, pagave, shpërblimeve, akomodimeve, çdo gjëje. Sportistët gëzonin privilegje të veçanta e të shumëllojshme. Çdo gjë për ta ishte e zgjidhur. Për shkak të kushteve politike të Shqipërisë, albitrat shqiptar që gjykonin takime ndërkombëtare nuk i kanë zënë kurrë në gojë ato që kanë parë me sy, as në rrethet e tyre të ngushta. I tillë ishte realiteti dhe guximi tepruar kushtonte shumë. Met Myshku u lidh ngushtësisht me fushën e blertë dhe topin e futbollit në janarin e vitit 1950 për t’u ndarë në vitin 1980. Gjatë 30 viteve përjetoi mbresa të pashlyeshme si sportist, gjyqtar dhe dashëmirës sporti. Medja dhe sidomos gazetat në rubrikat e tyre sportive i kushtuan vend të dushëm dhe herë pas here vlerave të sportistit e albitrit Met Myshku. Kanë qenë të shumta konsideratat, vlerësimet dhe opinionet e afruara nga komentatorë, analistë të futbollit, sportistë dhe bashkëgjyqtarë. Faqe të tëra gazetash iu kushtuan Myshkut dhe në to nuk kurseheshin epitetet e lëvdatat, apo krahasimet e gjetura. Futbollisti gjeti mbështetje të fortë edhe në familje. Vëllai Nuri dhe motrat Sulltane, Hatlie e Hanke e ushqenin gjithnjë me nderime duke u bërë përkrahës të pakursyer. E kanë ndjekur vëllanë e tyre futbollist në dhjetra takime jashtë Durrësi duke ndarë me të gëzimet e futbollit. Veç tyre mbështetje gjatë gjithë jetës për Met Myshkun ka qenë edhe bashkëshortja, Kudrete Xhoi, me të cilën lidhi kurorë në vitin 1954. Sportisti pati jetë të qetë dhe të gëzuar e cila iu lumturua më tej me ardhjen në jetë të Suzanës, Makbules dhe Jusufit. Tani që ka mbushur të 80 vitet Myshku kthehet shpesh tek kujtimet e rinisë, tek fotot me bashkëshorten; fotot me fëmijët që sot janë rritur e martuar. Vitet kanë ecur dhe Myshkut i duhet që për shumë dashuri të tij të ruajë vetëm kujtimet. Kudreti, bashkëshortja, është njëra prej tyre.

Gjuetia

Gjuetia ka qenë pasion më vete për Met Myshkun. Ka nisur ta ushtrojë shumë herët, që në moshën e rinisë për të mos u ndarë kurrë. Edhe tani në moshën 80-vjeçare pëlqen të shëtisë në rezervate dhe buzë deti për të gjuajtur shpend e peshk. Duke bërë emër shumë të mirë në futboll i besohet e drejta për të qenë pjesë e drejtimit të shoqatës së gjuetisë së Durrësit, shoqatë e cila funksiononte në mënyrë të rregullt me administratë dhe konform ligjit. Gjatë periudhës 1963- 1983 shërbeu si sekretar i shoqatës e cila numëronte më shumë se 350 anëtar me banim në Durrës, Shijak, Ishëm dhe Kavajë. Çdo fshat kishte përfaqësuesin e vet në shoqatë dhe organizimi i saj ishte shumë korrekt, me regjistër, procesverbal, dosje, librezë anatarësie, kuatizacion, libër furnizimi me materiale, libër shpenzimesh. Administrata kryente funksione të sanksionuara në ligj dhe me përgjegjësi të lartë. Ligjet e kuvendit; udhëzimet dhe rregulloret e Ministrisë së Bujqësisë për gjuetinë, periudhën apo edhe ndalimin e gjuetisë ishin detyrim për çdo antarë. Myshku ka bërë të qartë se kishte ndëshkime të forta për personat që shkelnin vendimet e udhëzimet. Me rregulloren numër 4, datë 30.5.1969 të Ministrisë së Bujqësisë qeveria shqiptare ndaloi me çdo kusht gjuetinë e dhisë dhe sqapit të egër, kaprollit, ariut, riqebullës (lulqerbullit), maces së egër, nuses së lalës, gjelit e pulës së egër, thëllëzës së fushës, orlit, fazanit, shqiponjës, sokolat e dobishëm, capka sqep luge, qyqes, qukapikëve, lejlekëve, kumrisë, cirloit, pelikanit, capkës së bardhë. Lista e shpendëve dhe kafshëve të ndaluara për t’u gjuajtur ndiqej me rigorozitet dhe zbatohej me përpikmëri. Myshku kujton se çdo anëtar i klubit të gjuetarëve krahas të tjerave kishte në çantën e tij edhe kalendarin e gjuetisë në të cilin ishin të shënuar periudhat, llojet e kafshëve dhe shpendëve të lejuar e të ndaluar në gjueti. Durrësi veçohej për florën dhe faunën e pasur ndaj shoqata tregonte vëmendje për çdo gjë. Met Myshku për periudhën që ka qenë pjesë e administratës së shoqatës në cilësinë e sekretarit të saj kujton se rregulloret e Ministrisë së Bujqësisë e ndalonin në mënyrë kategorike gjuetinë pa autorizim, ndërsa në to ishte e shkruar qartë se kafshët dhe shpendët e egra janë pronë e shtetit. Të ndaluar ishin edhe qarkullimet e lira të qenve dhe zagarëve të gjuetisë në kushte të lira, të pashoqëruar. Rezërvati më i pasur në Durrës ishte Rrushkulli, por gjueti zhvillohej në Porto Romano, Bisht Kamëz, Kodrat e Ishmit e Manzës, Shën Pjetër, Kepin e Rodonit… Përgjithësisht rezervati, frekuentohej nga politikanë dhe shtetarë të lartë të udhëheqjes së vendit në atë periudhë. Ishte shumë i madh dhe mjaft i pasur me kafshtë e shpend jo vetëm shtegtarë. Terreni shumë i favorshëm e bënte të lakmueshëm ngase kishte dhjetra e dhjeta ha tokë, pyje, kullotë dhe det nga ana tjetër. Rezrvati shtetëror ruhej gjatë gjithë kohës dhe asnjë person nuk guxonte të hynte brenda pa autorizim. Edhe gjuetia bëhej me autorizim në të cilin shkruhej edhe sasia e shpendëve apo kafshëve që do të vriteshin, llojet e tyre dhe destinacioni. Gjuetia e lepujve, derrave, dhelprave, pata, bajza, rosave, shapkave dhe thëllëzave të malit nuk ishte problem ngase rezervati dhe në tërsi kodrat apo pyjet e qarkut të Durrësit ishin të pasura me to. Met Myshku kujton se shteti kishte linja të veçanta në ndërmarrje të cilat prodhonin ushqim për kafshët dhe shpendët e pyllit. Me ndihmën e mjeteve të transportit shpërndante misër të bluar apo edhe koncentrate të tjera të ndryshme, ndërsa kujdesej për të mos lejuar dëmtimin e pyjeve nga druvarë dhe familjarë. Në kujtimet e tij Myshku veçon vështirësitë që ndiheshin në disa zona të thella të Ishmit dhe Krujës në ruajtjen e pyjeve ngase veç sharrës masivet pyjore dëmtoheshin edhe nga banorët e zonës të cilët ngroheshin dhe gatuanin me dru. Gjuetarët i bindeshin për çdo gjë shoqatës ndaj edhe marrëdhëniet e tyre me drejtorinë e shërbimit pyjor dhe me degën e brendshme, e cila kontrollonte lejen e armëve, kanë qenë korrekte. Sekretari i shoqatës Myshku është shprehur se gjuetia niste me 1 tetor dhe arma dyllosej me 30 mars. Kalendari ishte detyrim për këto, pa përjashtimin më të vogël. Përgjithësisht gjuetia zhvillohej e organizuar. Shoqata kishte në shërbim të saj dy mjete Gaz 51, kamion që shërbenin për të transportuar gjuetarët nga vendi grumbullimit drejt zonave të gjahut. Për raste të tilla ata paguanin nga një lekë për kilometër, i vetmi detyrim i tyre, ndërsa ishte shoqata ajo që mbulonte të gjitha detyrimet ndaj mjetit. Myshku ka bërë të qartë se edhe zagarët ishin të çertifikuar dhe me kartelë të lëshuar nga veterinieri i autorizuar për kontrollin e kafshëve të gjahut. Ndonëse kontrollet ishin të rrepta, Met Myshku mban mend që edhe asokohe kishte armë pa leje, një pjesë e të cilave të sajuara në mënyrë artizanale. Kjo kategori njerëzish gjuanin në fshehtësi, natën dhe në zona të thella, larg vendeve të banuara, larg rrugëve kryesore dhe syrit të njerëzve.

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!