Ballina Kulturë Arkeologjia e krishtere e Kosovës – dëshmia e gjallë e besimit ndër...

Arkeologjia e krishtere e Kosovës – dëshmia e gjallë e besimit ndër shekuj

87
0

Nga Dedë Palokaj

Arkeologjia e krishterë në Kosovë është si një libër i gdhendur në gurë, që rrëfen historinë e një populli të lidhur ngushtë me Zotin dhe me dritën e Ungjillit. Në çdo gur, në çdo fragment mozaiku e në çdo mbishkrim të lashtë ruhet kujtesa e një besimi që nuk u shua as nga pushtimet, as nga luftërat e përgjakshme, as nga harresa e kohës.

Në shekujt e parë të krishterimit, veçanërisht gjatë shekujve IV–VI, Dardania përfaqësonte një hapësirë të gjallë dhe të mirëorganizuar kishtare. Qytete si Ulpiana antike ishin qendra të rëndësishme urbane, ekonomike dhe shpirtërore. Rrënojat e bazilikave madhështore me planimetri klasike romake, të zbuluara aty, dëshmojnë për praninë e një komuniteti të krishterë të konsoliduar dhe për veprimtarinë e një hierarkie kishtare dinamike.

Këto bazilika kishin narteksin (hapësira hyrëse), anijatën (pjesa qendrore) dhe absidën (pjesa gjysmërrethore në fund), të orientuara kah lindja – simbol i Dritës së Krishtit dhe i Ringjalljes. Ky orientim nuk ishte thjesht estetik; ai shprehte besimin se Krishti është Dielli i drejtësisë, që ndriçon errësirën e botës.

Krishterimi në Kosovë, pra, nuk është një “import” kulturor, por një rrënjë autoktone shpirtërore, pjesë e pandarë e identitetit tonë historik e kombëtar. Gurët dëshmojnë një fe të jetuar me përkushtim, një dashuri që ka përshkuar çdo epokë dhe që ende sot frymon fuqishëm nëpër këto rrënoja të shenjta.

Në to është gdhendur kujtesa e një populli që ka ditur të ruajë dritën e besimit edhe në errësirat më të thella të historisë. Çdo mbetje muri, çdo fragment mozaiku e çdo mbishkrim i lashtë janë si zëra që na kujtojnë se besimi ka qenë themeli mbi të cilin është ndërtuar jeta shpirtërore e këtyre trojeve. Ruajtja e kësaj trashëgimie nuk është vetëm detyrë arkeologjike, por akt dashurie ndaj vetvetes dhe rrënjëve tona të lashta.

Kishat paleokristiane – dëshmi e besimit të hershëm

Kosova është një trevë e pasur me bazilika, një dukuri e rrallë edhe në nivel botëror. Në pjesë të ndryshme të vendit – nga Ulpiana dhe Harilaqi, te Kasterci, Dresniku, Studenica e Vrellës, Korisha, e deri te Kçiqi në veri të Mitrovicës – janë zbuluar rrënoja të shumë kishave paleokristiane, që ruajnë mozaikë të bukur, kolona mermeri, mbishkrime dhe simbole biblike.

Këto kisha janë dëshmi e një periudhe kur feja dhe arti ishin një: çdo gur ishte një lutje, çdo mozaik një predikim i heshtur. Simbolet e peshkut, pëllumbit, kryqit, palmave dhe vreshtave janë shenja të shpresës, paqes dhe jetës së amshuar.

Mbishkrimet në latinisht përmendin emra shenjtorësh dhe lutje për shpëtim, duke dëshmuar për një bashkësi besimtarësh të lidhur me botën e gjerë të krishterimit – me frymën e kishave të Romës, Aleksandrisë dhe Kostandinopojës.

Në arkitekturë dallohen kujdesi dhe simbolika liturgjike: hapësira e besimtarëve ndahej nga presbiteriumi (gr. Presbyteros – hapësira e shenjtë rreth altarit të kishës) përmes barrierave prej mermeri, ndërsa në qendër qëndronte Altari i Shenjtë. Kjo arkitekturë, e gdhendur me përkushtim dhe dashuri, shpreh një teologji të mishëruar në gur – një fe që kërkonte të bënte të dukshme të padukshmen.

Simboli i peshkut dhe të fshehtat e mozaikëve

Ndër simbolet më të veçanta të gjetura në mozaikët e Kosovës është peshku – ΙΧΘΥΣ, fjala greke që përfshin rrëfimin më të shkurtër të besimit të krishterë: Iesous Christos Theou Yios Soter – “Jezu Krishti, Biri i Zotit, Shpëtimtari.”

Në artin paleokristian, peshku lidhet me Eukaristinë, simbolizues i bukës dhe verës, pra i trupit dhe gjakut të Krishtit. Shpesh shfaqen dy peshq pranë një shporte me bukë, si kujtim i mrekullisë së shumëzimit të pesë bukëve dhe dy peshqve nga Jezusi – një imazh i ushqimit shpirtëror që Krishti ofron botës.

Në disa raste, peshku paraqitet vertikalisht, duke simbolizuar pagëzimin, sepse uji ku noton peshku përfaqëson jetën e re në Krishtin. Kështu, peshku bëhet shenjë e rilindjes dhe e jetës së përjetshme.

Në Kosovë, mozaikët me peshq – si ata të zbuluar në Ulpianë, Vendenis (komuna e Podujevës), Harilaq (komuna e Fushë Kosovës), Vlashnjë (komuna e Prizrenit) e në shumë vende të tjera – dëshmojnë për përhapjen e hershme të krishterimit dhe për një kulturë shpirtërore të thellë. Këta mozaikë nuk ishin thjesht zbukurime; ata ishin ‘ungjij të heshtur’, që predikonin për Krishtin përmes shkëlqimit të gurit dhe lojës së dritës.

Në periudhat e persekutimeve, peshku ishte simboli i fshehtë me të cilin të krishterët njiheshin mes tyre dhe pohonin besimin në Krishtin: një i krishterë vizatonte pjesën e parë të figurës në tokë dhe tjetri e plotësonte, duke dëshmuar për besimin e përbashkët. Prania e këtij simboli në Kosovë tregon për një bashkësi të hershme që ndante të njëjtin shpirt me qendrat e mëdha të botës antike.

Nga antikiteti në mesjetë – vazhdimësia e besimit

Historia e krishterimit në Kosovë është një rrëfim i pasur dhe i vazhdueshëm, që kalon përmes periudhave të ndryshme kulturore dhe fetare. Nga periudha paleokristiane deri në mesjetën e vonë, ky rajon ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvillimit shpirtëror dhe artistik të krishterimit, të pasqyruar në kishat paleokristiane dhe bizantine.

Historia e krishterimit në Kosovë nuk përfundon me periudhën paleokristiane. Nga shekulli XI deri në XIV lulëzoi një epokë e re shpirtërore e Kishës bizantine. Gjatë kësaj periudhe u ndërtuan kisha dhe manastire që sot përbëjnë thesare të çmuara të trashëgimisë kulturore të vendit.

Kisha e Shën Premtes në Prizren, Kisha e Shën Nikollës në Shtime, manastiret e Deçanit e Graçanicës, si dhe Patrikana e Pejës, janë dëshmi të gjalla të vazhdimësisë së besimit dhe të artit të krishterë në këto troje. Shumë prej këtyre ndërtimeve kishtare u ngritën mbi themelet e kishave paleokristiane katolike që kishin ekzistuar më parë në të njëjtat vende. Kjo dëshmon se jeta shpirtërore e këtyre trevave nuk u ndërpre as nga pushtimet, as nga ndryshimet politike e kulturore, por vijoi me një frymë të qëndrueshme besimi. Në çdo afresk, ikonostas apo gur themeli ruhet një pjesë e shpirtit të kësaj toke, që e ka përjetuar fenë jo si formë, por si mënyrë jetese. Këto monumente janë, pra, ura të gjalla që lidhin antikitetin e krishterë me mesjetën dhe me kujtesën tonë të sotme shpirtërore.

Afreskat nuk ishin thjesht zbukurime; ato ishin “Ungjijtë e pikturuar”, që mësuan popullin përmes ngjyrave dhe figurave. Këto vende të shenjta janë ura midis historisë dhe amshimit, ku heshtja flet dhe guri bëhet lutje.

Trashëgimia e sotme dhe përgjegjësia jonë

Arkeologjia e krishtere e Kosovës nuk është vetëm një fushë studimore – është një thirrje morale dhe shpirtërore. Çdo gur, mozaik dhe mbishkrim është dëshmi e qëndresës dhe e dashurisë për Zotin.

Ruajtja e kësaj trashëgimie është detyrë e përbashkët e arkeologëve, institucioneve dhe gjithë shoqërisë. Një popull që harron rrënjët e veta shpirtërore e humb udhën në historinë e vet, siç po na ndodh neve shqiptarëve.

Në një botë që shpesh e sheh trashëgiminë vetëm si atraksion turistik, arkeologjia e krishterë na kujton se pas çdo guri qëndron një shpirt, pas çdo mbetjeje një lutje, pas çdo kishe të rrënuar një dashuri për Zotin. Të mbrosh një kishë të lashtë është të mbrosh kujtesën e shpirtit kombëtar – një akt besimi dhe përgjegjësie.

Drita që nuk shuhet

Arkeologjia e krishtere e Kosovës është një ungjill i gdhendur në gurë. Ajo flet për popullin iliro-dardan-shqiptar që ka ditur të ringjallet pas çdo rrëzimi, që ka besuar edhe në kohët më të errëta dhe që ka mbajtur gjallë dritën e Krishtit ndër shekuj.

Andaj arkeologjia e krishterë është më shumë se shkencë: është lutje që gërmon në thellësinë e tokës për të gjetur dritën e së vërtetës në vetvete. Ajo na mëson se historia e shenjtë nuk është mit, por gjurmë konkrete që jetojnë në çdo gur e në çdo zemër që beson.

Rrënojat e kishave, mozaikët dhe ikonat nuk janë thjesht dëshmi historike; ato janë shenja të gjalla të shpirtit të një populli heroik që kurrë nuk është ndarë nga Krishti. Ruajtja e tyre është detyrë e ndërgjegjes sonë kombëtare, sepse këto kisha dhe simbole janë pasqyra e shpirtit tonë të përbashkët – dritë që ndriçon të tashmen dhe frymëzon të ardhmen.

Në to prehet kujtesa e një besimi që ka mbijetuar përmes shekujve të dhimbjes dhe shpresës, duke na kujtuar se çdo gur, çdo mozaik, çdo ikonë është një fjalë e heshtur e Ungjillit në gjuhën e historisë sonë. T’i ruajmë këto shenja do të thotë të mbrojmë frymën e shenjtë që na ka mbajtur gjallë si popull dhe si besimtarë gjatë shekujve.

Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë shpirtërisht, duhet të mësojmë të lexojmë gurët, të dëgjojmë historinë dhe të ringjallim atë që është më e çmuar: shpirtin e krishterë që ka ndërtuar vetë qenien tonë kombëtare.