Për herë të parë vitin e ardhshëm do të aplikohet zbritje tatimore për tatimpaguesit me fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç. Njërit nga çifti i prindërve që kanë fëmijë nën 18-vjeç do t’i zbriten 48 mijë lekë, nga tatimi e paguara mbi pagën gjatë këtij viti në momentin kur do të plotësojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale, në mars të vitit 2026.
Pra për çdo fëmijë nën 18 vjeç do të përfitohet një zbritje në vlerën e 48 mijë lekëve.
“Në vitin 2026 do të zbatohet për herë të parë politikat e zbritjes së shumës prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç. NË baza të përllogaritjeve rezulton se administrata tatimore do të kompensojë rreth 1.5 miliardë lekë”, thuhet në relacion.
Për vitin që vjen kostoja për këtë zbritje është parashikuar në vlerën 1.5 miliardë lekë ose 15 milionë euro. Nga një përllogaritje rezulton se kjo zbritje planifikohet të jepet 31.250 fëmijë.
Po ashtu nga viti 2026 prindërit me të ardhura vjetore jo më shumë se 1.2 milionë lekë në vit, do të përfitojnë edhe zbritje për shpenzimet për arsimimin e fëmijëve deri në vlerën 100 mijë lekë.
Pra nëse merr më pak se 100 mijë lekë (1000 euro) në muaj pagë, përmes faturave të ruajtura për shpenzimet e bëra për arsimimin e fëmijës mund të përfitosh deri në 100 mijë lekë zbritje nga tatimet. Edhe këtë zbritje e merr pasi të plotësosh DIVA-n vitin që vjen.







