Opozita ka akuzuar zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e cilësuar dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për tenderin e tunelit të Llogarasë si dëshmi të një afere korruptive dhe abuzimi me pushtetin. Në një dalje për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi tha se zëvendëskryeministrja Balluku është zyrtarisht e pandehur që prej 31 tetorit për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”.
Sipas opozitës, kjo situatë rrëzon çdo propagandë qeveritare për progres në rrugën e integrimit europian, duke argumentuar se “nuk ka asgjë europiane në qeverisjen e Edi Ramës dhe korrupsioni ka hyrë në zemër të qeverisë së tij”.
Duke iu referuar dosjes hetimore, Bardhi tha se tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ka qenë i paracaktuar. Sipas tij, vetë Balluku ka urdhëruar anulimin e paligjshëm të tenderit, pasi oferta fituese ishte 50 milionë euro më e ulët se “llogaritë korruptive” të bëra prej saj. Gjithashtu, u tha se ministrja ka komunikuar me kompaninë turke fituese ditë përpara zhvillimit të tenderit, duke e bërë fitoren e saj një “fakt të kryer”.
“Kriteret janë përshtatur që të fitojë kompania e paracaktuar nga Edi Rama dhe Belinda Balluku. Çdo parregullsi dhe shkelje ligji për të realizuar skemën korruptive është dirigjuar përmes urdhrave të Belinda Ballukut,” deklaroi përfaqësuesi kreu i grupit parlamentar të PD.
Sipas të dhënave të prezantuara nga opozita, të bazuara në hetimet e prokurorisë, bashkimi i operatorëve turq i shpallur fitues nuk plotësonte një sërë kushtesh dhe kriteresh teknike e financiare të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Prokuroria, sipas opozitës, ka arritur në konkluzionin se shpallja e fituesit është bërë në kundërshtim me ligjin, si pasojë e “veprimeve të drejtpërdrejta dhe të kundërligjshme” të Ballukut në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Pjesë nga deklarata për media:
“Po ndaj me ju një analizë të plotë mbi dosjen korruptive të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Do ta nis me një koment mbi atë që pamë sot në shfaqjen e zëvendësit të Ballukut, përkrah ambasadorit të BE-së. Besoj se shqiptarët e ndoqën momentin kur Edi Rama tentoi të trajtonte edhe traktatin e themelimit të Bashkimit Europian apo funksionimin e tij, njëlloj siç trajtoi edhe tunelin e Llogarasë.
Duke menduar se mund të ndryshojë rregullat e demokracisë europiane sipas interesit të tij politik, njëlloj siç bëri me kriteret e tenderit për tunelin e Llogarasë. Nuk e di se si u ndje ambasadori Gonzato krah njeriut që sot është i vetmi kryeministër në Ballkan, po dhe në Europë, që ka numrin dy të qeverisë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme për abuzime me tenderat publik në vlera miliona euro.
Të dashur shqiptarë, siç e keni parë, më 31 tetor Shqipëria zyrtarisht ka numrin dy të qeverisë të pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. Për këtë arsye, propaganda qeveritare, e bërë edhe pak minuta më parë për progres në rrugën e Shqipërisë drejt Europës, rrëzohet nga faktet tronditëse të dosjes korruptive për abuzimin me pushtetin të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Faktet tregojnë se nuk ka asgjë europiane në qeverisjen e Edi Ramës dhe se korrupsioni ka hyrë në zemër të qeverisë së tij. Dosja hetimore për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është zyrtarisht e pandehur prej 31 tetorit, ekspozon qartë mënyrën se si funksionon pushteti i Edi Ramës.
Tenderat publikë paracaktohen sipas llogarive korruptive të Edi Ramës dhe vartësve të tij. Procedurat shkelen nga institucionet përgjegjëse me urdhër politik dhe shteti përdoret për interesat e pushtetit, interesat korruptive të zyrtarëve të lartë dhe jo për interesat e qytetarëve. Dosja Balluku nuk është një rast i izoluar, por është modeli i qeverisjes së Edi Ramës. Belinda Balluku është shembulli që tregon se abuzimi me pushtetin është kthyer në rregull dhe jo në përjashtim.
Përballë këtij realiteti, çdo fjalë që dëgjoni sot, dje apo nesër për progres në rrugën europiane të Shqipërisë është hipokrizi dhe tallje e madhe me qytetarët shqiptarë. Të dashur qytetarë, në dosjen e Prokurorisë, të cilën dua ta përshëndes për guximin dhe integritetin që ka treguar në hetimin e vetëm të këtij segmenti ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, rezulton qartë se tenderi për tunelin e Llogarasë ishte i paracaktuar’.







