Ballina Kosovë Kurti publikon letrën për Trandafilovën, kërkon lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e...

Kurti publikon letrën për Trandafilovën, kërkon lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

77
0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar sërish lirimin nga paraburgimi të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në Hagë tash e pesë vjet.

Në një postim në Facebook, Kurti kujtoi se Selimi ishte dërguar në burg më 5 nëntor 2020, menjëherë pasi kishte vendosur lule te varri i Astrit Deharit. Ai theksoi se arsyeja që përsëritet për refuzimin e lirimit — “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët” — nuk qëndron më, pasi “Prokuroria e ka përfunduar rastin dhe dëshmitarë më nuk ka”.

Kurti bëri publike edhe letrën që i kishte dërguar kryetares së Gjykatës, znj. Trandafilova, në shtator të vitit 2022, duke theksuar se kërkesa për lirimin e tyre “është e drejtë dhe e bazuar në parime njerëzore e ligjore”.

Postimi i Kurtit:

Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë.

Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.

Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim.

Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet.

Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar.

E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje.

Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre.