Ballina Politika Balluku i fshihet Kuvendit, Bardhi: Belinda dorëhiqu dhe pendohu! Bëji publike mesazhet...

Balluku i fshihet Kuvendit, Bardhi: Belinda dorëhiqu dhe pendohu! Bëji publike mesazhet e Ramës

108
0

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj mungesës së zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, në seancën e Kuvendit, pas akuzave për abuzime me tenderat e Tunelit të Llogarasë.

Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, Bardhi e cilësoi Ballukun si ‘të pandehurën në ilegalitet’, duke e akuzuar se po fshihet për të shmangur përballjen me Parlamentin dhe drejtësinë.

‘E pandehura në ilegalitet! Me akuzën penale të abuzimit në tendera, e pandehura Belinda Balluku ka frikë të vijë në Parlament dhe të japë llogari për vjedhjen 50 milionë euro të Tunelit të Llogarasë,’ deklaroi Bardhi.

Sipas tij, Partia Demokratike ka kërkuar me ligj interpelancë urgjente me ministren Balluku, por ajo nuk është paraqitur në Kuvend.

‘Me të drejtën që na jep ligji, kërkuam interpelancë urgjente me Belinda Ballukun, por ajo është futur në tunel dhe s’ka ndërmend të dalë prej tij derisa të sigurohet se e ka nënshtruar plotësisht Edi Ramën përmes shantazhit,’ theksoi Bardhi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së shtoi se pavarësisht qëndrimit të Kryeministrit, Balluku do të përballet me drejtësinë.

‘E shkarkon ose jo Edi Rama, Belinda Balluku ka një rrugë të gjatë për të bërë në dyert e SPAK-ut, por çdo zyrtar publik e ka detyrim që përpara se të japë llogari në prokurori e gjykatë, t’u shpjegojë qytetarëve që përfaqësohen në Kuvend nga deputetët e tyre,’ tha ai.

Bardhi akuzoi ministren se ka vepruar me vetëdije në shkelje të ligjit dhe se heshtja e saj është pranim fajësie.

‘Heshtja dhe shfaqja si në normalitet, tregon dy gjëra: së pari, Belinda Balluku e ka kryer krimin me vetëdije të plotë. Së dyti, me angazhimin e saj direkt të paligjshëm dhe kriminal janë vjedhur 50 milion euro,’ u shpreh Bardhi.

Në vijim, ai e akuzoi ministren se po përpiqet të mbrojë veten përmes shantazhit ndaj Kryeministrit Rama.

‘Belinda Balluku bën një gabim të madh duke u fshehur në tunel. Mesazhet që i dërgon Edi Ramës për t’i treguar atij se krimin e kanë bërë bashkë, nuk ia heqin dot akuzën penale,’ tha ai.

Në fund të reagimit, Bardhi i drejtoi një thirrje të hapur ministres që të japë dorëheqjen dhe të bashkëpunojë me drejtësinë.

‘Po i jap një këshillë falas: Dorëhiqu dhe Pendohu Belinda! Mesazhet e Edi Ramës bëji publike dhe çoji më SPAK! Kush bashkëpunon me drejtësinë, ka gjithmonë lehtësira!’ përfundoi Gazment Bardhi.