Ballina Opinion Alkoli dyfishon probabilitetin e aksidenteve rrugore dhe vdekjes në to

Alkoli dyfishon probabilitetin e aksidenteve rrugore dhe vdekjes në to

83
0

Nga Eduard Zaloshnja 

Nga studimet që kam kryer mbi aksidentet rrugore në SHBA, ka rezultuar se probabiliteti i ndodhjes së një aksidenti dyfishohet kur drejtuesi i automjetit është nën ndikimin e alkolit. Dhe kur ndodh një aksident, probabiliteti i vdekjes së të paktën njërit prej personave të përfshirë në të dyfishohet.

Si ndikon alkooli në aftësinë e drejtimit të automjetit

Alkooli është një substancë që ul funksionin e trurit, duke dëmtuar të menduarit, arsyetimin dhe koordinimin e muskujve. Të gjitha këto aftësi janë thelbësore për të drejtuar një automjet në mënyrë të sigurt.

Teksa përqindja e alkoolit rritet në sistemin trupor, rriten edhe efektet negative mbi sistemin nervor qendror. Alkooli përthithet drejtpërdrejt përmes mureve të stomakut dhe zorrës së hollë. Më pas kalon në qarkullimin e gjakut, ku grumbullohet derisa të metabolizohet nga mëlçia.

Niveli i alkoolit në trup matet në bazë të peshës së alkoolit në një sasi të caktuar gjaku. Kjo quhet Përqendrimi i Alkoolit në Gjak (PAGJ).

Në një nivel PAGJ prej 0.08 gramë alkool për decilitër gjaku, rreziku për aksidente rritet në mënyrë katastrofike. Për shkak të këtij rreziku, është e paligjshme në të 50 shtetet e SHBA-së, në Distriktin e Kolumbisë dhe në Porto Riko, që të drejtohet automjeti me një PAGJ prej 0.08 ose më të lartë — përjashtim bën Utah, ku kufiri është 0.05.

Megjithatë, edhe një sasi e vogël alkooli mund të ndikojë në aftësinë për të drejtuar mjetin. Në vitin 2024, 2,117 persona në SHBA humbën jetën në aksidente të lidhura me alkoolin, ku drejtuesi kishte një PAGJ nga 0.01 deri në 0.07 g/dL.

PAGJ matet me aparatin “breathalyzer”, një pajisje që mat sasinë e alkoolit në frymën e drejtuesit të automjetit, ose me analizë gjaku.

Pasojat vdekjeprurëse të alkolit në timon

Gjatë dekadës së fundit në SHBA, kanë vdekur mesatarisht çdo vit 11000 amerikanë në aksidente rrugore ku alkoli ishte faktor. Pra, në 26.3% të vdekjeve rrugore alkoli ka qenë faktor.

Vjet në Bashkimin Europian, 6500 europianë humbën jetën nëaksidente rrugore ku alkoli ishte faktor. Pra, në 25% të vdekjeve rrugore alkoli ka qenë faktor.