Ura e Zogut mbi lumin Mat, monument kulture i kategorisë së parë, vazhdon të mbahet ende në këmbë falë ndërhyrjes emergjente të vitit 2024, por rreziku për shembje mbetet i lartë. Pas reshjeve të fundit, prurjet e mëdha të lumit kanë shkaktuar dëmtime të reja, veçanërisht në këmën veriore të urës, e cila ka pësuar lëvizje të dukshme.
Specialisti i trashëgimisë kulturore në Lezhë, Paulin Zefi, shprehet se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe të plotë për mbrojtjen e këtij monumenti me vlera të jashtëzakonshme historike e arkitekturore.
Sipas Zefit, investimi emergjent i vitit të kaluar, me një vlerë prej 46 milionë lekësh të reja, kishte për qëllim forcimin e njërit prej këmbëve të urës, e cila ishte fundosur rreth 2.5 metra në shtratin e lumit.
Megjithatë, ndërhyrja nuk ka arritur të zgjidhë përfundimisht problemin, duke e lënë urën në gjendje të brishtë.
Ura me 6 harqe, e gjatë 500 metra u ndërtua nga Mbreti Zog në fund të viteve ‘20 të shekullit të kaluar, por në dy dekadat e fundit, Ura e Zogut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, nuk ka njohur asnjë ndërhyrje dhe rrezikon shembjen e plotë.







