Ballina Kronika Rrëfimi i Pacollit në prokurori: Po lahesha, dola nga pishina e firmosa...

Rrëfimi i Pacollit në prokurori: Po lahesha, dola nga pishina e firmosa atë që më solli shoferi

169
0

Nga Elton Qyno

Detaje të reja kanë dalë nga dosja penale që lidhet me ndërtimin dhe pronësinë e aksioneve të aeroportit të Vlorës, që tashmë është kthyer jo vetëm temë e debatit politik të vendit por në prokurorinë e Tiranës është rregjistruar dhe një çështje penale.

Aksioneri më i madh i kësaj vepre me strategji kombëtare njëherësh oligarku kosovar Behgjet Pacolli, një javë më parë u paraqit në prokurori duke dhënë shpjegime si person që ka dijeni mbi rrethanat e këtij konflikti të lindur mes Ademit e Pacollit.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se gjatë dhënies së dëshmisë biznesmeni Behgjet Pacolli, nuk ka pranuar në asnjë moment se ka qënë përballë noteres Valbona Selimi dhe të ketë nënshkruar dokumentin Kontratë-Shitje të 47 për qind të aksioneve tek ortaku tjetër Valdon Ademi.

Sipas Pacollit gjithçka është ngatëruar për shkak të një marëdhënie mirëbesimi, duke shfrytëzuar firmosjen nga ana e tij të disa dokumentave që ja kishte sjellë shoferi i tij.

“…unë isha duke u larë në pishinë. Dola nga pishina e firmosa ato dokumenta që më solli shoferi…”-mësohet të ketë dëshmuar përballë grupit hetimor Behgjet Pacolli, i cili ka pretenduar se nuk e ka ditur dhe as ka lexuar përmbajtjen e këtyre dokumentave, pasi nuk i ka kushtuar rëndësi.

Pacolli ka këmbëngulur se gjithçka është kryer në kushtet e mirëbesimit të ndërsjelltë.

Ndërsa asnjëherë, nuk ka qënë para noteres Valbona Selimi, për të nënshkruar këtë kontratë shitje siç e kërkon dhe formati i ligjit për Noterinë Shqiptare, ku është detyrues që palët të jetë prezent dhe të identifikuara nga noteri.

Nisur nga këto pretendime, pritet që në ditët në vijim sërisht prokuroria e Tiranës të thërasë për të rimarë në pyetje noteren Valbona Selimi, me qëllim qartësimin e pozicionit të saj juridik në këtë moment të nënshkrimit të kontratës së shitjes së 47 për qind të aksioneve në aeroportin e Vlorës nga Pacollët tek Valdon Ademi.

Njëherësh tashmë prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga ekspertët e Policisë Shkencore, që të kryejnë ekspertimin grafik të origjinalitetit të 4 firmave të shtetasve Emin Pacolli, Behgjet Pacolli, Valbona Selimi dhe Valdon Ademi.

Ende grupi i hetimit të këtij rasti nuk është njohur zyrtarisht me konkluzjonet e aktit përfundimtar.

Ndërkohë mësohet se tashmë çështja e hetimeve lidhur me aksionet e aeroportit të Vlorës është shtrirë jo vetëm tek verifikimi grafik i origjinalitetit të firmës së oligarkut Bëhgjet Pacolli dhe ortakut tjetër Valdon Ademi, por edhe tek situacionet e punimeve që janë kryer për ndërtimin e pistën dhe terminalit të “Vlora International Airport – VIA”.

Të dy aksionerët, Pacolli dhe Ademi, kur janë marë në pyetje në prokurorinë e Tiranës, kanë pretenduar qëndrime të ndërsjellta, duke ngritur dyshime të forta ndaj njëri-tjetrin për paraqitje fiktive të situacioneve të ndërtimeve të kryera në aeroportin e Vlorës nga kompanitë “Mabco Constructions SA” dhe “2A Group”.

Palët kanë ngritur dyshime për punime fiktive dhe fryrje të proces-verbaleve të situacioneve, ndaj që tashmë prokuroria e Tiranës ka kërkuar të sekuestrohen këto dokumenta dhe të bëhen pjesë e fashikullit hetimor.

Aeroporti i Vlorës u kthye temë debati në vend, për shkak të një kallëzimi penal që bëri në muajin Gusht 2025 njëri nga aksionerët Valdon Ademi, i cili denonconte për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentash dhe evasion fiskal, pronarët Emin Pacollin, Behgjet Pacollin dhe administratorin e “Mabco Constructions SA”, Nelso Çelën.

Ndërsa në fund të muajit Tetor 2025, Emin Pacolli, kundërpërgjigjet me një kallëzim në prokurorinë e Tiranës, duke akuzuar direkt aksionerin në minorancë të “VIA” Valdon Ademin, noteren Valbona Selimi dhe ish-administratorin Valon Lluka.

Të gjithë personat e kallëzuar tashmë janë marë në pyetje nga prokuroria e Tiranës.