Ballina Dossier Beniamin Çetta, emri që ngjall respekt dhe mirënjohje në të gjithë Durrësin

Beniamin Çetta, emri që ngjall respekt dhe mirënjohje në të gjithë Durrësin

417
0

Bulevard news*

Sa më shumë ecin vitet, aq më të vlefshme bëhen figurat dhe emrat e disa personazheve të cilët i janë përkushtuar profesionit dhe shoqërisë gjatë gjithë jetës. I tillë është Beniamin Çetta, emri të cilit ngjall respekt dhe mirënjohje në të gjithë Durrësin. Kardiologu Çetta hyri në çdo shtëpi, diku si mjek dhe diku si personazh me vlera të rralla shoqërore e humanitare. Ai jetoi në periudhën e vështirë të depersonalizimit të vlerave. Provoi ndëshkimin, burgosjen, terrorin, presionin, burgun, dëbimin dhe sërish është ngritur në këmbë me po atë pushtet moral dhe shoqëror. Asnjëherë nuk ka dëshiruar të bëhet protagonist, gjithnjë ka shërbyer me urtësi dhe profsionalizëm.Në jetën e dr. Ben Çettës pati vite të vështira e dramatike për shkak të ndëshkimit të padenjë edhe pse ishte besimtar i devotshëm dhe intelektual i lirë në mendime. Edukata familjare la gjurmë të forta në formimin e karakterit dhe të personalitetit. Beni ishte djali i intelektualit Lazër Çetta, funksionar me pushtet të padiskutueshëm shoqëror dhe vëlla i Anton Çettës, kryetar i shoqatës kombëtare për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e Mirditë. Ai pati fatin të ishte i pari kardiolog i arsimuar dhe i kualifikuar në Durrës dhe kjo i dha zë të madh, ndërsa humori dhe marrëdhëniet shumë të çiltra me kolegët e bënë emrin e tij të spikatur ndër bluzat e bardha. Beniamin Çetta veç kulturës arsimore mori edhe kulturë të veçantë fetare. Ndonëse predikimi fetar ishte i ndaluar dhe i dënuar në kohën e regjimit komunist, dr. Çetta do të merrte rregullisht leksione fetare si dhe do të frekuentonte festat si i krishterë i devotshëm. Qyteti antik i Durrësit në mesin e ndodhive dhe historive ruan edhe kujtimet interesante e të rralla për dr. Beniamin Çettën. Sigurisht brenda asaj historie ka edhe pjesë të dhembjes, edhe pjesë të krenarisë. Të dyja pranë e pranë.

Jeta

Beniamin Çetta u lind në Tiranë në marsin e vitit 1937. I atij, Lazër Çetta pati mundësi të merrte kulturë dhe arsim perëndimor dhe u bë profesor i gjuhës frënge në një gjimnaz në Tiranë si dhe drejtor i drejtorisë së të drejtave të studimit në Ministrinë e Arsimit. Djali i madh i familjes, Antoni përfundoi Liceun e Korçës, ndërsa Beniamini do të studiojë për Mjekësi. Në moshë shumë të vogël mbetet jetim, pa baba, i cili ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë prej së cilës nuk shpëtoi edhe pse u dërgua jashtë vendi për kurim. Në të tilla kushte Beniamini dhe e ëma transferohen nga Tirana në Durrës, tek shtëpia e dajës, familje e vjetër qytetëse, kurse Antoni me të motrën Manushe ( vëlla e motër me nënë tjetër) shkuan për të jetuar tek xhaxhai. Pasi kryen studimet e detyruara dhe të mesme në Durrës, vijon shkollimin në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.  Në moshën 23-vjeçare diplomohet dhe emërohet mjek në Rrogozhinë, qytet që përfshihej nën kujdesin mjekësor të Durrësit në atë periudhë. Atje do të veshë për të parën herë bluzën e bardhë të mjekut.  Vetëm një vit do të qëndrojë në Rrogozhinë pasi kryerja e kualifikimit për kardiolog vendos para mjekut të specializuar të tjera kërkesa. Dr. Çetta transferohet dhe sistemohet në Durrës ku do të shërbejë si kardiolog nga viti 1961 deri më 1981. Atij në këtë periudhë të gjatë dhe sidomos në vitet e para të punës do i duhet të përballojë volum shumë të madh pune. Deri asokohe pacientët dhe qytetarët kryenin vizita e analiza në Tiranë përsa i përket shqetësimeve në zemër, ndërsa me ardhjen e Ben Çettës gjërat marrin tjetër rrjedhë. Ai është i pari kardiolog i shkolluar dhe përkushtimi së bashku me seriozitetin në përcaktimin e diagnozës do të bëjnë që qytetarët të kthejnë sytë nga dr. Çetta. Lidhjet e tij me Durrësin do të jenë të pazgjidshhme gjithë jetën. Vizita në poliklinikë, ambulancë, spital dhe shtëpi më shtëpi. Ntën e ditën, pa më të voglin shpërblim. Derë më derë në të gjithë Durrësin në shërbim të qytetarëve. Për shkak të ndëshkimit politik do të qëndrojë larg profesionit disa vite për t’u rikthyer tek bluzat e bardha në vitin 1986, por këtë herë larg qytetit në të cilin u arsimua dhe i shërbeu 20 vite plot përkushtim e profesionalizëm. Ndalesa pas ndëshkimit të rëndë do të jetë në fshatin Lekaj të Kavajës, aty ku do të presë edhe ditët e para të ardhjes së demokracisë në Shqipëri. Kavaja qe një ndër vatrat e shpërthimit të revoltave në kërkim të demokracisë dhe dr. Çetta i ndiqte me vëmendje të madhe ato zhvillime të ditëve të para të pluripartitizmit. Me afrimin e moshës së pensionit, më 1990 kardiologu transferohet për t’u vendosur në poliklinikën e Durrësit, ku edhe do e mbyllë karrierën e mbushur me shumë histori, kujtime, emocione dhembje e plagë shpirtërore. Vitet e pensionit do të jenë jo më pak të ngarkuara me punë edhe pse tashmë çdo gjë do e programonte vet dhe do e zbatonte po vet. Për 15 vite të kësaj periudhe do të qëndrojë si dhe në vitet e karrierës pranë pacientëve dhe qytetarëve. Nuk do të heqë kurrë dorë nga profesioni kardiologut dhe do të nxisë mjekët e rinj të jenë sa më të përkushtuar. Këta të fundit pavarësisht kualifikimeve dhe konsultës me literaturën bashkëkohore, nuk hoqën dorë asnjëherë nga takimet me doktorin Çetta prej të cilit mësuan shumë e shumë gjëra teorike e praktike.

Kultura

Beniamin Çetta është emër me pushtet të veçantë intelektual, profesional dhe human në qytetin e Durrësit. Për shkak të kulturës fetare mësoi në moshë shumë të re gjuhën italishte dhe më pas i futet me zell frengjishtes. Gjatë kohës që kishte bërë emër të spikatur si kardiolog i zoti, dr. Beni i futet studimeve në fushën e tij. Bashkëmoshatarët kanë thënë se Çetta shquhej për vullnetin e madh që kishte ndaj leximit. Shfletonte kryesisht literaturë mjeksore në shqip dhe në gjuhë të huaj si dhe letërsi duke kaluar mbi libra orë të tëra pa pushim, ndërsa shtypi i ditës, sidomos pas viteve 1990 do të ishin detyrë e pashmangshme. Në fëmijëri dhe rini pëlqeu shumë Letërsinë e Historinë. Kishte dëshirë, siç e ka shprehur vet, të studionte në njërën prej tyre, por i bindet vullnetit të të ëmës e cila e orienton për të studiuar në Mjekësi. Ndër studimet shkencore më të arrira për të është “Dy raste me infarkt miokardi me rupturë të septumit interventrikular” të diagnostikuar gjatë jetës dhe të verefikuar në nekropsi. Biblioteka e tij personale qe ndër më të pasurat në qytetin e Durrësit. Në të qenë sistemuar literaturë mjekësore, dokumente historike, tekste të historisë kombëtare, albume, fjalorë, libra në gjuhë të huaj, poezi, romane…Dr. Çetta shpenzonte shumë për të blerë libra. Pak kohë para se të ndërronte jetë bibliotekën e tij e la si dhuratë në bibliotekën publike të qytetit, një pasuri e veçantë dhe me peshë të konsideruar intelektuale. Për shkak të kulturës dhe ndjesisë humane bëhet pjesë e ekipit të shoqatës humanitare italiane Caritas si dhe bashkëpunoi shumë me bluzat e bardha për komunitetin e personave me probleme të drogës. Diapazoni shkencor si dhe kultura e pasur e tij tërhoqën vëmendjen e shoqatës humanitare e cila e bëri pjesë të ekipit për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve në nevojë. Emri i doktor Benit skalitet në mendjen e të gjithëve për kontributin e tij të pashterrur për punën e tij të palodhur për gjurmët që la në mjekësinë durrsake si i pari kardiolog prej të cilit lindën breza të tërë në dekadat e mëvonshme. Për sakrificat e jashtëzakonshme në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve dr. Beniamin Çertta është shpallur “Qytetar nderi” i Durrësit në vitin 2008, ndërsa një vit më pas ndërron jetë në moshën 72-vjeçare.

Persekutimi

Beniamin Çetta do të vendoset në Durrës në moshën 3-vjeçare, në kohën që Shqipëria ende nuk ishte çliruar. Humbja e të atit dhe ndarja me të vëllanë, Anton Çeta, do të lenë gjurmë të forta në formimin e tij. U rrit me peshën e mallit të ndarjes e cila fatkeqësisht u shoqëruar edhe me vitet e survejimit deri në ardhjen e vitit të prangosjes politike. Dr. Çeta u arrestua në vitin 1981 dhe dënohet me 10 vite burg për rrezikshëmri të theksuar shoqërore. Kishte shërbyr 20 vite si kardiolog duke shpëtuar nga vdekja dhjetra e qindra të sëmurë, ndërsa akti tij human shpërfillet nga regjimi komunist i cili pasi i vuri prangat në duar e degdisi në burgun e Bulqizës, Qafë-Barit dhe Zejmenit. I vëllai tij, Anton Çetta ishte nismëtar i pajtimit të gjaqeve në Kosovë dhe kjo nuk mund t’i shpëtonte lehtë UDB së ish Jugosllavisë e cila veç dhunës policore përpiqej të mbillte me çdo kush vëllavrasjen në Kosovë. Nga ana tjetër vet dr. Ben Çetta si katolik i devotshëm predikonte besimin fetar edhe pse një gjë e tillë ishte jo vetëm e ndaluar, por edhe shumë e ndëshkueshme. Shërbimet e fshehta sakrifikuan të dy vëllezërit duke i shtyrë drejt një jetë plot mund e sakrifica të mëdha. Për herë të parë vëllezërit Anton dhe Beniamin Çetta takohen në janarin e vitit 1968 . Anton Çetta kishte ardhur së bashku me Idriz Ajetin, Syrja Popovcin, Femi Aganin dhe Mark Krasniqin të merrnin pjesë në fesitmet e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Në kohën që i vjen telegrami, ku shkruhej se i vëllai tij ishte tek hotel “Dajti” në Tiranë, Ben Çetta jepte mësim tek infermieria. Kardiologun e thërret kryetari i degës së brendshme i cili e njihte Anton Çettën ngase kishin qenë së bashku në Liceun e Korçës. Ky qe takimi i parë pas 20 vitesh mes vëllezërve të cilët digjeshin nga malli i ndarjes. Hera e dytë e takimit mes tyre do të ndodhë në vitin 1990 në kohën që dr. Ben Çetta merr vizë për të shkuar në Kosovë, vizë që e përfiton pas sorollatjeve të gjatë në derën e ambasadës ish Jugosjalle në Tiranë. Por edhe sigurimi i shtetit shqiptar nuk e kishte me sy të mirë dhe kjo do të dëshmohej në vitin 1981, arrestim që shkaktoi indinjatë dhe revoltë të heshtur në të gjithë Durrësin. Ndryshimi i klimës politike në Shqipëri i dha mundësi vellëzërve të takohen më pas, por vetëm për pak kohë pasi në vitin 1994 Anton Çetta sëmuret rëndë në mushkëri duke mos i dhënë fare shpresa për jetë. Dr. Beniamin Çetta do e vuajë shumë ndarjen me të vëllanë dhe për të ngushëllimi i vetëm në atë periudhë do të ishte përkushtimi ndaj pacientëve dhe librat. Mjekët edhe sot kujtojnë thënien e dr. Çettës ” Mjekësia do mend, zemër dhe këmbë”, sintezë e profesionalizimit dhe përkushtimit të tij gjatë gjithë jetës.

Thanë për Dr. Benin

Dr. Miri Hoti

Dr. Ben Çettën e kam gjetur në spitalin e Durrësit në kohën që përfundova studimet për Mjekësi. Ishte i pari kardiolog i specializuar në qytetin e Durrësit. Një mjek i huaj bëri kualifikimin për kardiologji me pesë mjek. Ata i përkisnin rretheve Durrës, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe Lushnje. Beni ishte një ndër ta. Unë asokohe qeshë në vititn e specializimit dhe njohja me doktor Benin më dha mundësi të mësoja shumë gjëra. I pëlqente shumë të mësonte gjuhë të huaja dhe të studionte. Italishten e adhuronte pa masë, ndërsa komunikonte frengjisht dhe në gjuhë të tjera. Çetta është familje mirditore nga fshati Xhuxhë. Edhe sot në atë fshat ka toponime që e vërtetojnë këtë. Ju kujtoj se në Xhuxhë ka një mulli që thërritet Mulliri i Çettës. Nga aty familjarisht shkuan në Gjakovë dhe u rikthyen në Tiranë. Antoni, vëllai nga babai i Benit, kishte studiuar në Liceun e Korçës dhe frengjishtja atje ishte gjuhë e huaj e parë. Edhe i ati Lazëri qe njeri me kulturë dhe arsim. Shërbeu si mësues frengjishte dhe si drejtor i dhënies së bursave pranë Ministrisë së Arsimit. Dr. Beni qe kardiologu që i shikonte të gjithë të sëmurët në sy, nuk e njihte diferencimin dhe e përjetonte shqetësimin e sëmundjen e pacientit cilido qoftë ai. Ishte mik me të gjithë, edhe me njerëzit me ngjyrë që në Durrës ishin dhe janë me shumicë. Humanizmi e bëri shumë popullor. Me ne mjekët komunikonte jashtëzakonisht mirë. E adhuronim për kulturën, përkushtimin dhe humorin karakteristik e tërheqës. Meqë ishim të rinj dhe në specializim qëndronte pranë nesh për disa orë në ditë duke na dhënë përvojën e njohuritë e tij. Ishte i dashur, beniamin. Pasi dola mjek më takoi që të bashkëpunojë sistematikisht me dr. Ben Çettën. Mbaj mend se ishim pesë mjek, mes tyre edhe Beni që çdo të mërkurë udhëtonim me makinën e qendrës sanitare për në Shijak dhe çdo të shtunë për në Kavajë, qytete ku bënim edhe konsultat. Doktor Beni mbante lidhje shumë të forta me Tiranën. Profesor Ylli Popa për shkak të konsideratës personale dhe respektit profesional që kishte për Benin vinte nga Tirana për të parë pacientët e Benit dhe zhvillonte konsulta shumë të kualifikua me të. Prof. Popa kishte simpati të veçantë për dr. Benin dhe ndiqte me vëmendje e kujdes të admiruar kartelat, epikrizat, recetat e lëshuara nga kardiologu i Durrësit. Beni pati fatin e keq ta vuajë mbi kurrizin e tij luftën e ashpër të klasave. Ai u dënua dhe vuajti burgim për shkaqe politike. Pas vdekjes së të atit, Lazërit, bashkë me të ëman u vendosën në Durrës në familjen e dajëve. Ata ishin familje tipike durrsake dhe shumë e vjetër. Edhe pse ishte e ndalur ata predikonin besimin fetar familjarisht: e ëma, daja, tezja dhe vet Beni. Vet doktori ishte fetar i devotshëm, kryente rregullisht ritet fetare, sigurisht në fshehtësi, predikonte dhe festonte festat fetare. Festonte sidomos Shën Beniaminin që ishte edhe më e dashura për të. Regjimi e burgosi në mënyrën më të padrejtë dhe dr. Beni vuajti shumë vite në burgjet me namin shumë të keq.

Dr. Bashkim Habibi

Në vitin 1961, kur fillova punën ndihmësmjek në ndërmarrjen bujqësore Xhafzotaj, m’u dha rasti të njoh dr. Benin. Njohja ndodhi në rrethana të punës. Një ditë vizitova një pacient dhe për mendimin tim ai ishte i sëmurë me bronkopneumoni. E dërgova në spital të Durrësit, mjek në shërbim atë ditë ishte dr. Beni, edhe ai mjek i ri. Pasi ekzaminoi pacientin, bëri vlerësimin e gjendjes dhe e shtroi në spital për trajtim. Pasi kreu të gjitha veprimet, në fund pyeti pacientin se kush ishte ai që i kishte thënë për shtrim me këtë diagnozë. Kur i tha se ishte një djalë i ri, ndihmësmjek, i cili sapo ka filluar punën në ndërmarrje bujqësore Xhafzotaj, dr. Beni tha fjalët më të mira në adresën time, ndonëse nuk ishim takuar kurrë më parë. Ne nuk njiheshim as me emra dhe as fizikisht. Më pas u bëmë kolegë dhe punuam në spitalin e Durrësit. Nga ajo kohë e deri sa ai ishte gjallë jo vetëm unë, por të gjithë kolegët patëm gjithmonë respekt për të, duke e vlerësuar për cilësitë e tij si mjek kardiolog i talentuar dhe mbi të gjitha e vlerësoi populli i Durrësit, të cilit i erdhi në ndihmë në çdo rrethanë, ditën, natën me shumë dashuri dhe vetmohim.

Hysen Haxhia, ish i dënuar politik, poet

E kam njohur në vitin 1973 dr. Benin. Prindërit e mi ishin të sëmurë dhe Beni vinte në shtëpi për t’i vizituar. U miqësuam shumë pasi ishte i qetë dhe dëgjonte me shumë vëmendje ankesat e prindërve për sëmundjen. Ishte i papërtueshëm dhe shumë i saktë në përcaktimin e diagnozës. Ka shpëtuar sa e sa jetë. Durrësi e adhuronte pa masë doktorin. Në vitin 1976 unë u arrestova nën akuzuën e agjitacionit dhe propagandës kundër regjimit dhe një vit më pas më dërguan në Spaç. Për të dytën herë arrestohem në vitin 1981 dhe pasi dënohem me të njëjtën akuzë nga Ballshi në Qaf Bari ndodh edhe dhuna që nuk do e harrojë kurrë. Atje mësova që ishte arrestuar edhe Ben Çetta. U çudita dhe u mërzita shumë pasi qyteti kishte humbur një mjet të pazëvendësueshëm. Sa vemë këmbën në tokën e kampit lexohet një listë me 17 emra, mes tyre edhe unë. Na fusin një nga një në një dhomë ku shtatë policë na torturonin me bishta kazme e lopate, me kamxhik dhe rripa të trashë. Pasi më kishin toruruar për disa minuta dhe prisja të hyja për të dytën herë në dorën e xhelatëve, një poli më afrohet dhe pasi bindet se unë isha Hysen Haxhia më merr me vete duke më nxjerrë nha dhoma torturave. Nga aty në ambulancën e kampit. Me të hyrë brenda shoh doktor Benin. Me t’u takuar shpërthyem të dy në lotë. Më kishte parë në rresht dhe i qe lutur policit të më veçonte. Më shpëtoi nga torturat mbinjerëzore. Beni ishte kardiologu i parë në Durrës dhe i gjithë qyteti tek ai i kishte sytë. Nuk lodhej kurrë së shërbyeri. Durrësi rrallë ka pasur mjek të përmasave të tilla humane dhe specialist të zotë si doktor ben Çettën. Ne e kujtojmë shpesh. Edhe mjekët kam dëgjuar se vazdhojnë të vlerësojnë kontributin e tij. Kam qenë pranë doktorit deri minutat e ndarjes nga kjo jetë. Kemi humbur njeriun e mrekullueshëm dhe mjekun e shkëlqyer. Emri tij ia vlen të nderohet e respektohet. Do të ishte në nderin e mjekësisë dhe bluzave të madha që reparti kardiologjisë, të cilin e themeloi vet Beni të mbante erin e tij në shenjë respekti e mirënjohje për këtë burrë të madh.

Dr. Vladimir Tiço

E kam njohur Beniamin Çettën që në adoleshencën e hershme, por lidhjet shoqërore dhe të ngushta me të erdhën në kohën e viteve të studimit në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Studimet në Mjekësi i nisa në shtatorin e vitit 1955. Beni ishte student i vitit të dytë. Të gjithë e njohin si djalë me kulturë dhe erudit. Kishte pasion dhe vullnet për të lexuar letërsi, histori, muzikë klasike, arte pamore. Për të parën herë kam dëgjuar nga Ben Çetta se çfarë është muzika klasike. Na rrënqethej trupi kur dëgjonim se si këndonte Beni. Ishim të varfër megjithatë frekuentonim rregullisht filmat dhe dramat në kinema e teatër. Edhe operat i ndiqnim dhe kjo në saj të këmbënguljes së Benit. Ato pak lekë që mundnim të kursenim i përdornim për të blerë një bieltë. Mjafton t’u them se “Travjatën” e kemi parë së bashku me Benin 35 herë dhe kjo tregon se ç’pasion kishte për artin dhe se sa ndikues ishte tek ne. Shoku dhe miku im i mirë ka vlera të veçanta dhe të larta për besnikërinë ndaj kujtdo. Kam kaluar momente shumë të bukura me Benin, shumë prej të cilave janë private dhe nuk kam dëshiruar kurrë t’i bëj publike. Mbaj mend se si një ditë, pasi ishin në qejfin tonë, dolëm nga godina dhe shkuam diku për t’u argëtuar. I ekzaltuar dhe plot humor siç ishte në natyrë Beni me kthehet dhe pa marrë në konsideratë se rreth nesh kishte shumë njerëz më thotë “Ti Lad Tiço je demokrati më i madh”. Unë jam përjashtuar nga fakulteti i Mjekësisë për shkak të mendimeve të mia ekstreme politike dhe u detyrova të punoj në Kurvelesh. Pas ndërhyrjeve të shumta u riktheva në universitet.  Deklarimet e Benit ishin shumë të sinqerta. Ai kurrë nuk fliste me nëntekst dhe as nuk përgojonte ndokënd. Jam një nga shokët më të ngushtë të Benit ndaj e njoh nga afër dhe shumë mirë vite e vite me rradhë që nga koha e studimeve të larta dhe deri ditën që u nda nga jeta. Kjo më jep të drejtën të them se Beni qe shumë i veçantë. U dënua padrejtësisht dhe u burgos në mënyrën më të padenjë. Asnjëherë dhe për asnjë moment Beni nuk ka folur dhe as nuk e ka menduar të ngrejë zërin kundër politikës së atij regjimi. Gjyqi qe ndëshkim i padrejtë, megjithatë Beni kurrë nuk përgojoi dhe as nuk shfaqi tendencën më të vogël për të demaskuar ata që e burgosën. Jeta tij është shumë interesante, por unë do të veçoja nga vitet e njohjes me të aftësinë profesionale si mjek, humanizmin e pashembullt dhe pasionin për të lexuar.

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!