Gjeneralmajor Yifat Tomer-Yerushalmi, ish-këshilltarja ligjore e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), e cila u arrestua dhe u vendos në arrest shtëpie fundjavën e kaluar nën akuzën se kishte publikuar një video që tregonte dhunimin dhe përdhunimin në grup të një të burgosuri palestinez në kampin e paraburgimit Sde Teiman, është shtruar në spital pas një “incidenti mjekësor” të ndodhur mbrëmjen e sotme në banesën e saj në Ramat Hasharon.
Shërbimet e urgjencës mbërritën në shtëpinë e ish-zyrtares së lartë ushtarake dhe e transportuan atë në një spital në qendër të Izraelit. Sipas një burimi, dyshohet se Tomer-Yerushalmi ka tentuar të vetëlëndohet duke gëlltitur ilaçe, por është gjetur në gjendje të vetëdijshme dhe jeta e saj nuk është në rrezik.
Ajo ndodhet aktualisht në arrest shtëpie, pas arrestimit të javës së kaluar lidhur me rrjedhjen e videos që tregonte ushtarë izraelitë duke abuzuar me një të ndaluar palestinez në një qendër paraburgimi në Izrael.
Të shtunën në mbrëmje, rreth njëqind persona protestuan para banesës së Tomer-Yerushalmi në qendër të Izraelit, duke kërkuar që ajo të rikthehet në burg.







