Ballina Opinion Vërtetim mjekësor për dashurinë!

Vërtetim mjekësor për dashurinë!

107
0

Nga Kimete Berisha 

Në Gjakovë, dy të moshuar u ndaluan para kutisë së votimit.

Njëri mbahej në këmbë prej metali, tjetra kujtesën e kishte humbur diku mes viteve.

Komisioneri u kërkoi vërtetim mjeku, sikur vota të mos ishte e drejtë, dhe sikur ata të mos mund të ishin të sëmurë pa miratimin e një mjeku.

– Pse durohet kjo dhimbje në këtë vend ku çdo kriminel siguron vërtetim që “s’është mirë nga mendja”…

e i moshuari i sëmurë duhet ta vërtetojë se është “mirë” për të votuar.

– Vetvetiu, i moshuari, edhe nëse nuk është i sëmurë, ka nevojë për asistencë.

Por shteti ia ndalon, në emër të “rregullores”.

– No country for old men, jo, por në Kosovë nuk ka vend për të sëmurë.

Sepse, sipas rregullores sonë, vota duhet të ketë diagnozë.

Pra, për të votuar në Kosovë duhet të jesh edhe i shëndetshëm.

As ata që s’dinë shkrim e lexim s’paskan të drejtë të votojnë me asistencë.

Shteti që s’i ka mësuar dot, sot i ndalon të zgjedhin.

– Vajzat e tyre u zemëruan:

“Herën e kaluar nuk na e kërkuat!”

Por zemërimi i grave në Kosovë ende shihet si “histeri”,

dhe gruaja që proteston shihet…e dini ju si…!

– E njëjta pamje në Fushë-Kosovë:

një 100-vjeçare nuk u lejua të votojë,

sepse sistemi shtetëror ka frikë nga sëmundjet, por jo nga padrejtësia.

– Unë, që ende nuk kam votuar,

jam edhe e mërzitur, edhe e acaruar.

Nëse do ta dija si ta “rrotulloj” këtë sistem kriminal,

do ta bëja, dhe do ikja që sot…

– Të rinjtë ikin,

e pleqtë e harruar dalin për të votuar për një të ardhme që s’është më e tyre.

Nuk është kjo procedurë, është testament.

– Kujtesa s’e mban, trupi s’e mban,

por zemra ende kujton detyrën, atë misionin e trashëguar të dashurisë.

– Votimi i tyre s’është më akt politik,

por një formë e lashtë dashurie që nuk varet nga mendimet,

dhe nuk e ndryshon as humbja e kujtesës, as këmbët që s’e mbajnë.

– Shteti nuk e di se “kujtesa emocionale” nuk humb kur humbin mendimet,

sepse rregulloret e shpirtit i shkruajnë të pashpirtët,

për të sëmurët vendosin ata që nuk e kanë provuar (e as lexuar) dhimbjen:

psikopatët pra.

– Kjo është ajo dashuria patriotike në të cilën vazhdimisht bie ky popull,

dhe nga e cila s’mësohet kurrë.

Në vend që shteti t’i ndihmojë,

ai kërkon raport mjekësor për patriotizmin.

– Kërkohet vërtetim mjekësor në një shtet ku nuk ka sigurim shëndetësor.

Por nuk kërkohet vërtetim mjekësor për ta udhëhequr shtetin.

– Votat e pleqve të kthyera nga dera ndoshta s’janë shumë për statistikat,

por janë gjithçka për shpirtin e një vendi.

Sepse një komb fillon të plaket jo kur i thinjet populli,

por kur vota e pleqve trajtohet si sëmundje e demokracisë

dhe si barrë administrative, e jo si kujtesë kolektive.

P.S.

Unë sot i kisha rrotulluar kutitë.

Por, siç tha Albin Kurti, “na duhen trima të rinj.”

Pse unë?

Herë ndjej se ju urrej…

e herën tjetër ndjej se s’ju urrej,

por thjesht… nuk ju shoh më.