Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka pranuar se paraqitja e fazës mbrojtëse e skuadrës së tij në ndeshjen ndaj Sunderlandit nuk ishte në nivelin që kërkon klubi.
Për herë të parë këtë sezon, “Topçinjtë” pësuan dy gola, duke humbur fitoren në sekondat e fundit, pasi Brian Brobbey realizoi golin e barazimit 2:2.
Sunderland kaloi fillimisht në epërsi me një goditje të fuqishme të Dan Ballard, e cila ishte goli i parë që Arsenali pëson pas 11 ndeshjeve, por reagimi i londinezëve ishte i menjëhershëm.
Bukayo Saka dhe Leandro Trossard përfituan nga gabimet në mbrojtjen vendase për ta përmbysur rezultatin. Megjithatë, në mënyrë të pazakontë për këtë Arsenal, skuadra e Artetës nuk arriti ta ruante epërsinë.
Në minutat shtesë, pas një topi të gjatë në zonë, Ballard fitoi duelet ajrore dhe topi përfundoi te Brobbey, i cili e dërgoi në rrjetë për 2:2. Pas ndeshjes, Arteta nuk e fshehu zhgënjimin, duke pranuar se ekipi nuk i përmbushi standardet mbrojtëse që ai kërkon.
“Ndjenja e fundit është zhgënjim dhe frustrim sepse donim tre pikët,” – tha Arteta.
“E dinim që do të ishte ndeshje e vështirë dhe e ndërprerë shpesh. Duhej të menaxhonim situata të komplikuara. Pësuam një gol që nuk është në standardet tona, por më pas skuadra reagoi mirë, tregoi karakter dhe e dominoi ndeshjen plotësisht.”
Trajneri spanjoll theksoi se ekipi duhet të jetë më i fortë në mbrojtje kur kundërshtari dërgon shumë lojtarë në zonë.
“Kur ata fusin 6-7 lojtarë në zonë, duhet të mbrohesh më mirë. Sot nuk e bëmë këtë dhe u ndëshkuam. Në fund patëm edhe një rast të madh me Ricky dhe Mikel për ta fituar ndeshjen, por nuk ndodhi. Megjithatë, kjo tregon sa shumë kemi bërë në dhjetë ndeshjet e fundit, duke fituar dhe ruajtur porta të paprekura, pavarësisht mungesave.”
Arteta gjithashtu lavdëroi Sunderlandin për mënyrën se si u rikthye në lojë, duke theksuar se ishte hera e parë që Arsenali humb pikë nga një epërsi që nga prilli.
“Jam i pakënaqur sepse dua të fitoj. Loja ishte pothuajse në duart tona, por kjo është Premierliga. Kur diferenca është vetëm një gol, kundërshtarët gjithmonë do të luftojnë deri në fund. Jemi të mërzitur sepse mund të mbroheshim më mirë, por duhet t’u japim merita edhe atyre për mënyrën si reaguan.”







