Më datë 29 tetor, gjatë raportimit të kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Kuvend, deputeti Erion Braçe foli për një gjobë që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i kishte vendosur disa vite më parë kompanisë Bankers Petroleum.
Mes të tjerash, ai deklaroi se Bankers i detyrohet shtetit shqiptar 120–130 milionë euro në detyrime akcize dhe tatimore, për shkelje të konstatuara në periudhën 2017–2019.
Kështu duhej por, në krye të Doganave, më 30 shtator 2020, u emërua Gent Gazheli.
Siç mëson Skyweb.al, gjoba ndaj Bankers Petroleum fillimisht ishte vendosur në shumën 30 milionë euro, por pas rivlerësimeve të bëra nga strukturat përkatëse, u konstatua se shkeljet ishin shumë më të rënda, dhe shuma arriti në 130 milionë euro.
Skyweb.al ka mësuar mbi ekzistencën e të paktën dy shkresave, sipas të cilave drejtuesit e Doganës së Fierit i kanë rikujtuar kreut të Doganave, Gent Gazheli gjobën ndaj Bankers, duke e njoftuar për nevojën që të procesohej, pasi po mbahej pezull prej tij.
Megjithatë, pavarësisht njoftimeve me email dhe me shkresë zyrtare, vendimi nuk u trajtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Ligji përcakton se çdo vendim përfundimtar mbi gjobat administrative duhet të përpunohet brenda 6 muajsh nga momenti i vendosjes.
Por në këtë rast, gjoba është mbajtur pezull për vite me radhë nga Gent Gazheli, pa asnjë veprim administrativ, duke u rikthyer në qendër të vëmendjes vetëm tani, pas publikimit të çështjes dhe kalimit të saj për hetim në SPAK.
Skyweb.al ka mësuar se gjatë vitit 2021, Gazheli është njoftuar disa herë nga ish-kreu i Doganës së Fierit, O. K, për afatin ligjor të gjobës, por sërish nuk ka marrë asnjë vendim, duke e mbajtur çështjen të pezulluar.
Madje, më vonë, ai është ulur në detyrë.
Vetëm pak ditë më parë, pas shpërthimit të skandalit dhe referimit të dosjes nga Prokuroria e Fierit drejt SPAK-ut, Drejtoria e Doganave ka rikthyer në vëmendje çështjen, duke tentuar të procesojë vonë një vendim që duhej marrë pesë vite më parë.
SPAK ka nisur tashmë verifikimet për këtë aferë, që sipas të dhënave, mund të jetë një nga rastet më të rënda të neglizhencës administrative dhe ndikimit të interesave të mëdha ekonomike mbi vendimmarrjen publike./ Skyweb







