Ballina Dossier Ymer bej Deliallist, njërit prej nënshkruesve të aktit të pavarësisë në Vlorë,...

Ymer bej Deliallist, njërit prej nënshkruesve të aktit të pavarësisë në Vlorë, në vitin 1912 dhe ndër të më të shquarit e oborrit të Deliallisve

130
0

Bulevard news*

Ndër të parët e Deliallisëve është njohur Sali Bej Deliallisi, atdhetari nga Shqipëria e Mesme, që më së shumti njihet si themeluesi i qytetit të Shijakut. Kjo konfirmohet saktësisht në librin e Teki Selenicës, “Shqipnia në vitin 1927”, ku shprehimisht theksohet: “Shijaku është krijuar më 1880 prej Sali bej Deliallisit, i cili kur ka ardhur, aty nuk ka pasur as një shtëpi, po veç pyll. Qyteti asht pagëzuar me emrin Shijak, nga një kishë që ka qenë në kodrën përmbi qytet (kisha e Shën-Jakut)”. Një fakt i tillë në periudhën e komunizmit, për arsye që dihen, nuk u përmend asnjëherë, ndërkohë që propaganda e kohës përkujdesej edhe për emrin e themeluesit të fshatit më të skajshëm, kur nuk kishte probleme të karakterit ideologjik. Studiues e historianë të shumtë, sidomos pjesa e atyre që janë marrë me historinë e Shqipërisë së Mesme, në asnjë rast nuk kanë guxuar të theksojnë emrin e njeriut të pagëzoi qytetin e Shijakut. Në mjaft nga punët e tyre për trevën e njohur promovohen vlera e figura të spikatura, por kapërcehet e vërteta e faktit historik, që ka të bëjë me emrin dhe kontributet e njeriut që themeloi qytetin. Sakaq, propaganda komuniste, për të njëjtat arsye, fashiti të gjithë emrat e pinjollëve të fisit Deliallisi. Ndër ta edhe emrin e Ymer bej Deliallist, njërit prej nënshkruesve të aktit të pavarësisë në Vlorë, në vitin 1912 dhe ndër të më të shquarit e oborrit të Deliallisve. Ymeri lindi në Shijak në vitin 1827 dhe mësimet e para i mori në mejtepin e qytetit, për të vazhduar me studimet në Stamboll. Qysh në vitin 1900 u lidh me atdhetarë të njohur në kolonitë shqiptare, në Egjipt dhe Bukuresht. Në viti 1908 mori pjesë aktive në përhapjen e ideve kombëtare, duke bërë pjesë të saj dhe familjarët e tjerë. “Shtëpia e Ymer Deliallisait ishte kthyer në “fole patriotësh” të ndjekur nga regjimi turk”, dëshmon H . Ibrahim Dalliu, në librin “Patriotizma në Tiranë” (1930) .

Kujtimet e Ymer Deliallisit

Kujtimet e Ymer Deliallist zënë fill në kapërfyellin e shekullit të XIX, aty ku starton dhe veprimtaria e tij atdhetare për mëvetësinë e kombit shqiptar. “Kah mezi i qershorit të këtij viti,(1908) formova bashkë me vllanë tim, Masarin, çetën pjesëmarrëse në deklarimin e luftës kombëtare, – shkruan Ymer Deliallisi në kujtimet e veta. Shkumë në Sara Salltik të Krujës, ku u poqëm me çetat e Abdi Toptanit, tue formu’ pjesën ma të gjallë të kryengritjes”. Në dokumentet e kohës, emri i Ymer Deliallist përmendet shpesh si protagonist i organizimeve kryengritëse kundër pushtuesit dhe si drejtues i protestave popullore në zonën e Shqipërisë së Mesme, por jo vetëm. Jo rastësisht, një tribun i tillë do të gjendej më vonë në krah të Ismail Qemalit, në sprovën historike për shpalljen e pavarësisë kombëtare. “Në nëntor të vitit 1912, Ymer Deliallisi mori pjesë në kuvendin e Vlorës, si delegat i Shijakut dhe është njëri nga nënshkruesit e aktit të pavarësisë, bashkë me kushëririn e tij, Xhemal Deliallisi”, shkruan kronikani i ngjarjes së bujshme. Ndërkaq, në kujtimet e tij, Ymer bej Deliallisi shprehet: “Në vitin 1912, kur plaku i Vlonës dul në Durrës e do të nisesh për në Vlonë me shpall indipendencën shqiptare, mora pjesë bashkë me kushërinin tim, Xhemal Deliallisi, si delegatë të nënprefekturës së Shijakut. Sot, ruj kujtimin e shtrejtë të asaj tube historike atdhetarësh qi përçau fushën e Myzeqes, e cila ato ditë kje e transformume në nji knetë të gjanë nga shiu i dendur”. Ymer Deliallisi dhe nejrëzit e tij, jo vetëm u bënë dëshmitarë të ceremonisë historike të Vlorës, por ata më herët morën përsipër sigurimin e karvanit të Ismail Qemalit në rrugëtimin drejt qytetit të pavarësisë, ku u ngrit për herë të parë flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenare. Ja çfarë shkruan për këtë nënshkruesi tjetër i aktit të pavarësisë, Ferit Vokopola: “Më 21 nandor na lajmëronte Hamid bej Toptani me Servis Telegrafik nga Durrësi se Ismail beu arriti dhe janë marrë masat e duhura deri në Shkumbin në shoqërim të Z. Ymer bej Deliallisit me shokë..” (Revista Njeriu, “Ngritja e flamurit kombëtar” (Nr 5, 1942 fq 3-7)

Dita e pavarësisë në Shijak

Mbresat e Ymer Deliallisit nga çastet e ceremonisë së shpalljes së pavarësisë në Vlorë, zënë pjesën më të madhe të kujtimeve të tij. Në to bie në sy entuziazmi i jashtëzakonshëm i tij nga tubimi historik, që celebronte mëvetësinë e Shqipërisë dhe adhurimi për plakun e urtë e të mençur të Vlorës. Sakaq, miku i Ismail bej Vlorës, nuk mund të ndjehej i qetë pa mësuar si përjetohej ngjarja e madhe në Shijakun e tij. “Kur mbërritëm në Vlonë – shkruan në kujtimet e tij Ymer bej Deliallisi- i drejtova nji telegram parisë së Shijakut, qi të ngrishin Flamurin Kombtar” .(“Dokumentet historike”, Lef Nosit,1924,Nr.4. fq 107. ) “Durrsi, Tirana dhe Elbasani shpallën indipendencën. Ju në mos e paçi shpallë, shpalljeni sa ma parë dhe na lajmëroni. Për formalitetet e rastit pytni Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin.” Sa morën mesazhin e prijësit të tyre, shijakasit reaguan me shpejtësi. “Nën drejtimin e parisë dhe vëllait të tij, ushtarakut të shquar Masar Deliallisi shpallën pavarsinë në Shijak.” ( Lef Nosi, Dokumente Historike). Më vonë, Ymer bej Deliallisi u radhit në mbrojtje të Princ Vidit. “Më 1914- kujton ai-,në kohën e princ Vidit, bana pjesë në nji grusht patriotësh qi u ndoqën nga rrebelët dhe bashkë me pjestarët e familjes time luftumë kryengritjen, drejtue kundra Qeverisë të asaj kohe deri sa Princi la Durrësin; në kët moment edhe unë bashkë me at grup atdhetarësh, nën kryesinë e Aqif Pashë Elbasanit, shkuem në Itali, tuj lanë në durët e rrebelëve babën tim Dalip Deliallisi, i cili qe burgos e dërgu në burgun e Elbasanit. Ktu, ky përfitoi nga arratia e shkoi e gjet streh në Mat, në shtëpinë e N.M.Tij Mbretit, e cila asi kohe ishte çerdhe patriotësh”. Ymer bej Deliallisi, më 25 dhjetor1918, mori pjesë si delegat i nënprefekturës së Shijakut në Kongresin Kombëtar të Durrësit.(fakt që dokumentohet në librin “Shqipnia më 1927 e Z.T.Selenicës.) Në vitin 1920, Kongresi i Lushnjës e zgjodhi Ymer bej Deliallisin senator. Për t’u theksuar është se rrugës për Tiranë qeveria e krijuar në Lushnjë u sigurua gjatë udhëtimit nga forca të drejtuara nga vëllai i tij, Masar Deliallisi. Qeveria dhe kongresistët e Lushnjës, për disa ditë qëndruan në shtëpinë e Deliallisëve në Shijak. Ja si e përshkruan Ymer Deliallisi këtë moment në vitin , me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë: “Vij e mbyll shërbimet e mia patriotike tue mos qit në harresë dhe pritjen bujare, e përkrahjen e duhun, qi gjetën kongresistat e Lushnjës, prej shtëpisë tonë, me rastin e qindrimit të tyne ne Shijak”. Në periudhën e mbretërisë, Ymer Deliallisi kreu detyra të rëndësishme shtetërore, si kryetar bashkie në Shijak, Nënprefekt në Lushnjë, Peqin etj. Ai bashkë me Abaz Kupin, Ndoc Çobën, Rauf Ficon, etj. është pjesmarrës në Kongresit e Herit më 21 nëntor 1943, ku u formua Organizatën Kombëtare. Ymer Deliallisi, vdiq në vitin 1944, duke lënë pas emrin e një atdhetari të shquar dhe një figure të respektuar për bashkëkomësit e tij.

Tjetër detaj i historisë

Në kuadër 25 vjetorit të pavarsisë së Shqipërisë mbreti Zog ngriti një komision të posaçëm i cili do quhej Komisioni për Kremtimin e 25-vjetorit të Vet-qeverimit. Ky komision do ndahej në të gjitha prefekturat e mbretërisë së Shqipërisë për të mbledhur të dhëna dhe fakte rreth patriotëve të cilët kontribuan në pavarsinë e Shqipërisë.

Në prefekturën e Durrësit kryetar i komisionit Prefektural do zgjidhej zv.Prefekti i Durrësit Kapiten i pare Mahmut Golemi i përbërë me anëtarë të tjerë të këtij komisioni si Kristaq Zaguridha, Shefqet Çelkupa, Hysen Çela, Harrilla Bakalli etj ky komision përfshinte dhe qytetin e Kavajës. Për qytetin e Shijakut komisionin e kryesonte kryetari i komunës Kurt Shqyti me anëtarë Mexhid Begteshi, Ymer Deliallisi, Abaz Deliallisi dhe Bajram Metalla. Ndërsa komisionin e Krujës e drejtonte nënprefekti Ramazan Minzalli me anëtar Hysen Kalaja.

Letra e mëposhtme është shkruar nga Ymer Deliallisi drejtuar Komisionit të 25 vjetorit të vetqeverimit Shqiptar Tiranë, duke bërë një tablo historike të shkurtër të gjithë aktivitetit të tij patriotik, nga periudha e para pavarsisë deri në kongresin e Lushnjës. Ai ishte nënshkrues i aktit të pavarsisë në Vlorë duke përfaqësuar kështu zonën e Shijakut dhe duke mbajtur më pas një sërë detyrash shtetërore si kryetar bashkie në Shijak apo nënprefekt në Peqin dhe Lushnjë dhe pjesmarrës në kongresin e Zall-Herrit më 21 Nëntor 1943 bashkë me Abaz Kupin, Ndoc Çobën, Rauf Ficon, Gaqo Goga, Xhemal Naibi, Osman Myderrizi etj duke formuar kështu organizatën politike Lëvizja e Legalitetit, vdes në vitin 1944.

Komisionit të 25. Vjetori të vetqeverimit Shqiptar

Tiranë

Me rastin e lumnueshëm të Vet-qeverimit të 25 Vjetorit, e ndiejë për detyrë të çfaq edhe un, ata të pakta sherbime patriotike qi pata fatin të kryej për realizimin e Independenës Shqiptare. Qysh prej vitit 1908 morra pjesë aktice për përkrahjen edhe përhapjen e idesë Kombtare. Ky fakt vertetohet sepse në at kohe shtypija e jonë kje bamë fole patriotësh ndiekun prej rregjimit Tyrkë.

Si kunder dishmon dhe libri botue prej Z.H. Ibrahim Dalliut me 1930. “Patriotizma në Tiranë” at kohë kurë zjarri për lirinë Kombtare I dha flake kryengritjes të vitit 1912 e cilla munt të thuhet se ishte kryengritja e parë Shqiptare qi kërkonte lirin e vendit; kah mezi i Qershorit të ktij viti formova bashkë vllanë time Masarin Çeta si pjes marrse në deklrarimin e luftës Kombtare. Shkuëm në Sara-salltik të Krujës, ku u poqëm me çetat e Abdi Toptanit, tue formue pjesën mo të gjallë të kryengritjes.

Në vitin 1912 kur plaku I Vlonës dulë në Durrës, e do të nisesh për në Vlonë, me shpall Independencën Shqiptare, morra, pjesë bashkë me kushrinin tim Xhemal Deliallisin si delegate I Nen-prefekturës së Shijakut.

Sot, rujë edhe, kujtimin e shtrejtë të asaj tube Historike At-dhetarësh, qi përçau fushën e Mezeqes, e cilla at ditë kje e transformume në nji knetë të gjanë nga shiu i dendur.

Kët faktë historic e dokumenton dhe libri “Shqipnia me 1927 e Z.T.Selenicës”

Kur mbrritëm në Vlonë, I drejtrova nji telegram paris së Shijakut ku i thonja qi të ngrijshin Flamurin Kombtarë, teksi i ktij telegrami ekziston edhe sot, në Dokumentat Historike të Lef Nosit botue në Qershorë të vitit 1924 në nr.4.

Me 1914 në kohën e Princ Vidit bana pjesë nga nji grushtë patriotësh qi u ndoqën nga rrebelët, dhe bashkë me pjestarët e familjes time luftumë kryengritjen drejtue kundra Qeverisë të asaj kohe deri sa Princi la Durrsin; në ket momentë, edhe un bashk me at grup Atdhetarësh nën kryesinë e Aqif Pash Elbasanit, shkuem në Italië, tuke lane në durët e rrebeleve Babën t’im Dalip Deliallisin i cili qe burgos e derguë në burgun e Elbasanit. Ktu, ky përfitoj nga aratija e shkojë e gjet strehë në Mat, në shtypinë e N.M.Tij Mbretit, e cilla asi kohe ishte çerdhe Patriotësh.

Mbasi qindruëm disa kohë në Italië kthyem në Shkodër e cilla asi kohe nuk ishte e okupume nga rrebelët.

Me gjith qi librat qi jan shkrue rreth Patriotizmës Shqiptare, nuk për mbajnë emnat e Patriotëve qi murrën pjesë active kundra ksaj Kryengritje, por lumtunishtë kët faktë Historik e vertetojnë ata patriotë qi kan fatin të jetojnë edhe sotë.

Me 25/Dhjetuër/1918 morra pjesë si delegate I Nen-prefekturës të Shijakut, në Kongresin Kombtarë të Durrsit; ky fakt historic dekumentohet dhe prej librit Shqipnija me 1927 e Z.T.Selenicës.

Vij e mbëll sherbimet e mija Patriotike, tue mos qitë në harresë dhe pritjen bujare, dhe përkrahjen e duhun, qi gjetën Kongresistat e Lushjes, prej shtypisë t’onë, me rastin e qindrimit të tyne në Shijak; faktë qi nuk mohohet prej kërkujtë.

Me nderime.

(Ymer Deliallisi)

Shkrimi u pergatit nga Shefqet Deliallisi

*Sqarim : Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!