Ballina Rajoni Vuçiç mohon akuzat e Rusisë: Kemi eksportuar armë, por jo drejt Ukrainës

Vuçiç mohon akuzat e Rusisë: Kemi eksportuar armë, por jo drejt Ukrainës

90
0

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i është përgjigjur zëdhënëses ruse Maria Zakharova nga valët e radiotelevizionit shtetëror serb.

“Unë e respektoj dhe e dua popullin rus, por nuk mund t’i lejoj vetes atë që Zakharova ia lejoi vetes të flasë në mënyrë emocionale. Prita të kalonte një ditë e gjysmë; dje do të kisha reaguar më dhunshëm. Zakharova foli për armatime dhe nuk tha asgjë të re”, tha Vuçiç.

Vuçiç tregon publikisht për herë të parë se kishte negociuar kontrata afatgjata për shitje armesh me disa shtete evropiane.

“Pesë vite më parë unë po negocioja me evropianët, që ata të blinin armatime e municione serbe bazuar në kontrata të sigurta për 10–20 vite. Atëherë nuk kishte as luftë në Ukrainë, nuk kishte asgjë.”

Ai pranoi faktin se Serbia kishte eksportuar armë dhe municione kryesisht këmbësorie, por jo drejt Ukrainës.

“Ata po na thonë se nuk mund të eksportojmë armë në asnjë vend të BE-së, madje as në rajon, sepse qenka problem kur i japim barut Bosnjës dhe Hercegovinës. Deri më tani kemi dhënë pesë ose gjashtë leje eksporti dhe bëhet fjalë kryesisht për municione këmbësorie. Ne kontrollojmë rreptësisht se ku shkojnë këto armatime e municione“.

Vuçiç i përmendi zëdhënëses ruse edhe faktin se vetëm Serbia ka media ruse në territorin e saj. Ai u kritikua ashpër nga Komisionerja Kos, se kishte qenë si në Moskë ashtu edhe në Pekin.

“Marta Kos dhe të gjithë të tjerët më kritikojnë që shkoj në Moskë dhe Pekin. Mos u zemëroni, miq të dashur në Lindje dhe Perëndim, por detyra ime është të kujdesem për interesat e Serbisë. Mundohem të jem i drejtë dhe miqësor me të gjithë. Rruga jonë është rruga e neutralitetit ushtarak, paqes, mosndërhyrjes, mospjesëmarrjes në konflikte. Nuk duam që të jemi kukulla të asnjë ane, duam që të jemi vetvetja, pavarësisht presionit që na kanoset nga të gjitha anët”.

Duke iu referuar marrëveshjes që kryeministri hungarez Viktor Orban arriti me presidentin Trump, Vuçiç tha se do t’i kërkonte Uashingtonit që ta përjashtonte Serbinë për një periudhë prej një, dy apo tre muajsh nga sanksionet për eksportin e naftës dhe gazit rus, pasi situata energjitike ishte e rëndë.