Nga Ermal Peçi
Ka një moment në politikën shqiptare ku gjithçka përmbyset me një shkathtësi që vetëm hipokrizia mund ta prodhojë: Kur një person nën hetim nga SPAK lavdërohet, ndërsa ai që ka pasur kurajën ta denoncojë, anatemohet. Monika Kryemadhi u bë zëdhënësja më e zellshme e këtij absurdi.
Në një studio televizive, në News24, ajo gjeti momentin për t’i thurur lavde Belinda Ballukut, zëvendëskryeministres që po hetohet për një nga dosjet më të rënda të korrupsionit publik në dekadën e fundit. Një grua “bobe”, sipas Kryemadhit.
Por çfarë ndodh më pas? Me të njëjtin frymëmarrje, ajo e kthen sulmin ndaj Lulzim Bashës. njeriut që, sipas dokumenteve të SPAK, ka bërë kallëzimin për tunelin e Llogarasë, që solli hetimin ndaj Ballukut. Në fakt Kryemadhi mirë bën që kërkon që të hetohet pasuria edhe e Bashës, por harron që ai ishte njeriu që kërkoi Vetting për politikanët që ti hetohet pasuria të parit, por parlamenti ja hodhi poshtë si nisëm. Prandaj deklarata e Kryemadhit është thjesht një tymuese e radhës, për të shpërqëndruar opinionin publik nga e vërteta
Kjo skenë është një përkufizim i përmbysur i moralit politik shqiptar: Aty ku ndëshkohet guximi dhe shpërblehet servilizmi. Në vend që një politikane të vlerësonte faktin që një dosje e rëndë korrupsioni po hetohet, ajo vendos të mbrojë të akuzuarën dhe të godasë kallëzuesin. Nuk është thjesht mungesë koherence, është përqafimi i kulturës së pandëshkueshmërisë, i asaj që prej tridhjetë vitesh i ka dhënë pushtet të fortëve dhe heshtje të dobëtëve.
Kryemadhi, që dikur pozicionohej si opozitë e fortë e sistemit, sot duket se e ka braktisur plotësisht atë rol. Është sikur, pas dështimeve politike dhe llogarive të reja për mbijetesë, ajo ka vendosur të bëhet pjesë e orkestrës që mbron pushtetin përmes relativizmit: “Të gjithë janë njësoj”, “të gjithë kanë bërë gabime”, “mos gjykoni”. Një kor që e kemi dëgjuar shumë herë – dhe që gjithmonë ka shërbyer si mburojë për të korruptuarit.
Në fakt, nuk është Balluku që ka nevojë për avokatinë e Kryemadhit. Është sistemi që ka nevojë për figura të tilla për të deligjitimuar politikën në tërësi. Ç’është më e dobishme për një pushtet të akuzuar për korrupsion sesa të ketë një “ish-opozitare” që e mbron publikisht?
Në këtë mënyrë, Kryemadhi nuk i shërben as të majtës, as të djathtës, por vetëm status quo-së që e mban vendin në të njëjtin rreth vicioz.
Në fund, mbetet një kontrast që flet vetë: Një grua që hetohet për miliona euro, lavdërohet në studio televizive, ndërsa një politikan që ka bërë një kallëzim ligjor etiketohet si “i pabesë”.
Në këtë Shqipëri të përmbysur, duket se e vetmja gjë që s’ka vlerë më, është e vërteta.







