Ballina Aktualitet Arka me peshk e Rovenës dhe 50 milionë eurot e Belindës. Dy...

Arka me peshk e Rovenës dhe 50 milionë eurot e Belindës. Dy gra, dy peshore drejtësie!

104
0

Nga Ardian Bushi 

Në Shqipëri, drejtësia shpesh nuk vendos sipas ligjit, por sipas pushtetit. Kur pushteti vendos të mbrojë dikë, shpik si mburojë edhe gjininë.
“Të mos arrestohet, është grua”, dëgjohet të thuhet sot për Belinda Ballukun.
Por kur në vend të saj ishte Rovena Voda, askush nuk e tha këtë.

Të dyja janë gra. Të dyja zyrtare. Të dyja të akuzuara nga drejtësia. Por njëra s’kishte mburojë politike, tjetra po.
Njëra u dënua për një arkë me peshk, disa dhurata simbolike dhe një celular; tjetra akuzohet për një aferë që peshon 50 milionë euro dhe ende shkon çdo mëngjes në zyrë si të mos kishte ndodhur asgjë.

Rovena Vodën e shënjestruan shpejt. Përgjime, prova, ndalim, dënim me burg. Belinda Ballukun, drejtësia e shikon nga poshtë, me frikë a me urdhër, ende nuk e dimë.

SPAK e ka marrë të pandehur, por nuk e ka pezulluar. Dhe ky është dallimi mes një nëpunëseje të thjeshtë dhe një figure të pushtetit absolut.

Balluku nuk është e akuzuar për një favor të vogël.

Dosja e saj përfshin manipulime në tenderin e tunelit të Llogarasë, një projekt kolosal me fonde publike prej gati 19 miliardë lekësh, ku dyshohet se janë ndryshuar kriteret për t’u dhënë kompanive të preferuara. Hetimi flet për shtesë abuzive prej 50 milionë eurosh, për një garë të prishur dhe një fitues të paracaktuar.

Megjithatë, ajo vijon të firmosë dokumente, të japë urdhra dhe të udhëheqë vartës që vetë janë pjesë e hetimit.

Nëse këtu s’ka konflikt interesi, atëherë çfarë është?
Nëse nuk është presion institucional mbi drejtësinë, atëherë çfarë tjetër mund të quhet?

Në rastin e Vodës, drejtësia veproi si bisturi. E dyta Balluku, zonja që luan me miliona euro të buxhetit të shtetit, trajtohet me kujdes si “figurë politike e rëndësishme”.

Ky është thelbi i problemit. Në Shqipëri drejtësia nuk mat me ligjin, por me pushtetin.

Në çdo vend ku sundon ligji, një zyrtar nën akuzë për korrupsion pezullohet menjëherë.
Këtu, një zëvendëskryeministre nën hetim për tendera miliarda euro vazhdon të udhëheqë ministrinë që është objekt i akuzës dhe ky është rrezik institucional.
Sepse çdo ditë që Balluku qëndron në detyrë, rrezikohet hetimi, zhduken prova, ndikohen dëshmi.

Çdo vonesë e SPAK-ut në këtë rast e zhbën besimin që u ndërtua me mund.

Drejtësia që ndëshkon të voglin dhe fal të fortin nuk ngre shtet, rrënon besimin.

Në një vend normal, një arkë me peshk nuk mund të peshojë sa 50 milionë euro, por këtu drejtësia duket se mat me dy peshore.