Ballina Sport Messi rikthehet te Barcelona: Një vend që më mungon me gjithë zemër

Messi rikthehet te Barcelona: Një vend që më mungon me gjithë zemër

88
0

Një ditë pasi udhëhoqi Inter Miamin drejt një fitoreje 4-0 ndaj Nashville SC në gjysmëfinalet e Konferencës Lindore të MLS, Leo Messi fluturoi drejt Barcelonës për një vizitë emocionuese në stadiumin Camp Nou.

Futbollisti legjendar ndau momentin në Instagram me një mesazh emocionues, duke thënë se shpreson që një ditë të rikthehet në Camp Nou.

“Mbrëmë u ktheva në një vend që më mungon me gjithë zemër. Një vend ku isha jashtëzakonisht i lumtur, ku më bëtë të ndihem një mijë herë si personi më i lumtur në botë. Shpresoj që një ditë të mund të kthehem, dhe jo vetëm për të thënë lamtumirë si lojtar, siç nuk munda kurrë…“, shkroi Messi.

Herën e fundit që Messi luajti si titullar në Camp Nou ishte më 16 maj 2021, në një ndeshje të La Liga-s kundër Celta Vigo (1-2), ku shënoi golin e tij të fundit për Barcelonën, duke e çuar totalin në 672 gola.

Presidenti aktual i Barcelonës ëndërron ta shohë Messin të përfshihet në rihapjen e Spotify Camp Nou. Pas periudhës në Paris dhe Miami, Leo bëri një udhëtim të shpejtë në shtëpi për të përjetuar atmosferën e stadiumit, veçanërisht tani që tifozët janë kthyer në ndeshjet zyrtare.

Vetëm dy ditë pas një seance stërvitore të hapur me 21,795 mbështetës të Barçës, Messi dëshironte të ndjente sërish emocionet e Camp Nou, këtë herë duke parë nga afër edhe përparimin e rinovimeve të stadiumit.

Pas vizitës, Messi do t’i bashkohet ekipit kombëtar argjentinas në Alicante për të përgatitur miqësoren ndaj Angolës, por kjo vizitë tregon qartë lidhjen e pandashme të tij me Barcelonën. Leo Messi është dhe gjithmonë do të mbetet një tifoz i zjarrtë i klubit katalanas.