Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajt këtë të diel.
Përmes një postimi në rrjetet sociale teksa falënderon qytetarët për pjesëmarrjen, Kurti shprehet se VV, pas këtyre zgjedhjeve, do të qeverisë në 7 komuna, më shumë se kurdoherë më parë.
Ndër të tjera ai thekson se ‘Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve’.
“Ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës.
Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra.
Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore.”, shkruan Kurti.







