Ballina Opinion Atij Kur*ës

Atij Kur*ës

61
0

Nga Armand Maho 

Në zhargon, por edhe në kuptimin e kulturës shqiptare, fjala “burrë kurvë” nënkupton mashkull të pandershëm, të pabesë dhe pa karakter. Zakonisht përdoret në momente zemërate dhe tensioni, kur dikush të ka rënë në qafe ose të ka tradhtuar shumë keq. Akoma më e keqe është fjala tjetër “Mashkull Kurvë”, e cila heq fjalën “burrë” duke e ngarkuar akoma më shumë me perversitet figurën e një mashkulli. Fjala vjen: “S’ka guxim as të më shohë në sy se është mashkull kurvë”, ose “Përdor të tjerët për të arritur qëllimet, pasi është mashkull kurvë”, dhe kështu me radhë. Përfundimisht, fjalët “burrë kurvë” ose “mashkull kurvë” janë fyerjet më të rënda për një qenie njerëzore të seksit mashkull në kuptimin e shqipes.

Duket se Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës do të ketë qenë nën presion të madh atë mëngjes të 1 tetorit 2021, pak orë para shpalljes së tenderit, ku u grabitën 32 milionë euro (bashkë me të tjerat shkon 50 e kacafiu) me Tunelin e Llogarasë. Në mesazhin që i dërgonte vartësit të saj, Evis Berberi i sugjeronte që ta shtynte pak shpalljen e fituesit sa t’i çonte fjalë “atij kurvës që kërcënon me SMS”.

Por kush mund ta kërcënonte zonjën Balluku në vitin 2021, kur ajo ishte në kulmin e karrierës së saj?

Rrok Gjoka, i prekuri direkt nga kjo aferë, nuk ishte ndjerë as kur iu anulua tenderi në prillin e atij viti, dhe as kur zhvillua tenderi tjetër. Normal, ai donte paratë e tij dhe nuk i interesonte shumë nëse ishte kontraktor i parë apo nënkontraktor. Nga ana tjetër, Ballukun në atë kohë s’mund ta vendoste njeri nën presion për shumë arsye. Rama jo më kot e kishte vendosur në atë pozicion për ta përdorur dhe për të mbyllur me dhunë sherrin që mund t’i vinte nga pakënaqësitë që mund të shkaktoheshin për fituesit e paracaktuar, të cilët zgjidheshin jo në bazë të meritës, por në bazë të preferencave të kryeministrit dhe çfarë mbetej edhe për preferencat e Ballukut. Sepse kjo e fundit, siç e kemi thënë jo pak herë, kishte mbështetjen e botës së errët të krimit, e cila nuk ngurronte të shtronte në dru kundërshtarët e saj, në biznes apo në parti, po të ishin. Këtë pjesë të korrupsionit Rama e kishte mbyllur.

Pra, i vetmi që mund t’ia ‘ngrinte zërin’ Belinda Ballukut ishte vetë Edi Rama. Tuneli i Llogarasë ishte ide e tij, madje në mes të pandemisë. Projekt-ideja kishte ardhur nga studio Seed Consulting, e cila në atë kohë ishte 100% në pronësi të Alban Eftimiut, njeriut që kishte punësuar Rea Xhillarin, dhe u bë shkas edhe për një projekt-ide tjetër korruptiv, siç ishte Ecoparku në Durrës, ku u grabitën 40 milionë euro në mes të pandemisë dhe pasojave të tërmetit.

Atë vit zgjedhor ecejaket mes Turqisë dhe Shqipërisë do të ishin të shpeshta. Me 6 janar, Rama me ministrat e tij do priteshin me tam-tame në Turqi nga vetë Erdogan, i cili kishte angazhuar gardën presidenciale për këtë qëllim. Pas dhjetë ditësh më 17 janar, ai do të mbërrinte në Shqipëri, ku do premtonte se “Spitalin Memorial të Fierit do e kishte gati para zgjedhjeve”, dhe vërtet ashtu ndodhi. Spitali u përurua më 21 prill 2021, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve.

Më tej gjërat dihen…

Balluku dhe Rama do shkonin sërish në Turqi, në fillim të qershorit, ku do të takoheshin me drejtuesit e kompanisë, ndërkohë që më datë 24 qershor do shpallej hapja e procedurave të tenderit. Ky takim ishte pikërisht ai që u denoncua nga Ahmetaj.

Ndoshat u zgjatëm pak, por po përpiqemi thjesht të kujtojmë rrjedhën e ngjarjeve.

Thelbi i gjithë kësaj afere duhet të përqëndrohet në shprehjen: “Prit, t’i çoj fjalë atij kurvës që kërcënon me SMS.” Duket se interesimi dhe padurimi për të kryer një aferë në interes të mikut të tij turk ka qenë aq i madh, sa e ka futur në stres jo të vogël zonjën Balluku. Ky lloj interesi ka kaluar deri në kërcënime, siç e thotë dhe vetë ajo. Duke njohur dredhitë dhe për më tepër atë që është i zoti të bëjë, shpërthen në një moment: “Atij kurvës”. Një gjuhë që tregon se Rama, në rast se bie nga ajo karrige, do shqyhet më së pari nga të vetët. Një shprehje e cila tregon neverinë dhe përçmimin që kanë vartësit e tij dhe ata që ai i konsideron si shumë të afërt për makutërinë për pushtet e pasuri, paranojën që ka pushtuar nga pushteti i pamerituar, arrogancën që i vjen nga padituria dhe hajdutëria që e ka ngritur në sistem.

Pra, “atij kurvës”, siç shprehet Zonja Balluku, që është burimi i të gjitha zullumeve dhe që s’mund të jetë tjetër veçse shefi i saj direkt.