Ballina Kuriozitete Mjekët i dhanë 4 vjet jetë, vajza e lindur pa tru mbush...

Mjekët i dhanë 4 vjet jetë, vajza e lindur pa tru mbush 20 vjeç

108
0

Një histori e jashtëzakonshme nga Nebraska e Shteteve të Bashkuara, ku Alex Simpson, një vajzë 20-vjeçare nga Omaha, ka arritur të festojë ditëlindjen e saj të 20-të, pavarësisht se ‘lindi pa tru’ për shkak të një sëmundjeje jashtëzakonisht të rrallë, të quajtur hidranencefali.

Sipas prindërve të saj, Shawn dhe Lorena Simpson, mjekët u thanë që në lindje se vajza e tyre nuk do të mund të jetonte më shumë se katër vjet.

“Teknikisht, ajo ka vetëm një pjesë shumë të vogël të trurit sa gjysma e gishtit tim të vogël”, tha babai i saj në një intervistë për KETV News. Megjithatë, Alex i ka sfiduar të gjitha parashikimet, dhe prindërit e saj besojnë se arsyeja është “dashuria që ka marrë”.

Edhe pse Alex nuk mund të shohë apo të dëgjojë, familja e saj thotë se ajo ndien praninë e njerëzve që e duan. “Kur i fola pak më parë, ajo nisi të më kërkonte me sytë e saj”, tha i ati. Prindërit shtojnë se besimi dhe forca shpirtërore i kanë ndihmuar të përballojnë sfidat e jetës me të bijën. “Ishim të frikësuar në fillim, por besimi na mbajti gjallë”, tha Lorena, duke e përshkruar vajzën e tyre si një “luftëtare”.

Edhe vëllai i saj 14-vjeçar, SJ, u shpreh krenar për motrën e tij: “Kur njerëzit më pyesin për familjen, gjithmonë filloj me Alex, motrën time me aftësi të kufizuara. Ajo është pjesa më e rëndësishme e jetës sonë,” tha ai.

Sipas Klinikës Cleveland, hidranencefalia është një sëmundje që prek 1 në çdo 5.000 deri 10.000 shtatzëni, dhe shumica e fëmijëve me këtë gjendje nuk mbijetojnë më shumë se një vit, çka e bën historinë e Alex një mrekulli të rrallë mjekësore dhe njerëzore.