Ballina Aktualitet Pogradec, banorët protestojnë para komisariatit të policisë, kërkojnë lirimin e Kevi Muçllarit:...

Pogradec, banorët protestojnë para komisariatit të policisë, kërkojnë lirimin e Kevi Muçllarit: Mbrojti interesin publik

121
0

Dhjetëra banorë janë mbledhur mbrëmjen e së hënës para godinës së Komisariatit të Pogradecit, në mbështetje të Kevi Muçllarit, që u arrestua nga uniformat blu pas incidentit të ndodhur në Këshillin Bashkiak dhe konfliktit fizik me një nga anëtarët e Këshillit.

Ata kërkojnë lirimin e menjëhershëm të banorit dhe bënë një deklaratë për mediat.

“Kevi Muçllari mbrojti interesin publik ndërsa këshilltari Engjëll Shyti provokoi situatën dhe goditi i pari banorin!”, thanë ata njëzëri.

Gjithashtu banorët shprehen se këshilltari Shyti është njëkohësisht edhe punonjës i bashkisë duke shkelur ligjin.

“Kërkojmë të lirojnë djalin që e kanë marrë pa arsye fare. Nuk e dimë arsyen përse na i kanë marrë kur dikush mund të jetë i lirë aty ku është dhe tjetri në komisariat.

Le të na marrin edhe neve të gjithëve bashkë. Debate bëmë edhe ne nuk është se bëri vetëm ai, këtu tek ne nëse nuk bën debate nuk të dëgjon njeri.

Kemi qënë shumë të provokuar nga këshilltari, unë dola jasht se po të isha aty brenda nuk e dija se çfarë do bëja.

Për të trembur nuk na tremb njeri me ndalimin e djalit duan të na ndalojnë, po na bëjnë presion”, thanë banorët.

Ndërsa avokati mbrojtës i Muccllarit,  Endri Çela tha se arrestimi i bërë për shtetasin Kevi Muçllari nuk është në mbështetje të ligjit së pari për faktin se nuk ishte goditje por shtyrje të përbashkët.

“Nuk është provokuar nga ana e Kevit mosmarrëveshja apo konflikti për aq sa mund ta quajmë konflikt dhe nuk jemi në kushtet e një goditje klasike për shkak të detyrës.

Normalisht të gjitha palët e përfshira duhet të shoqërohen dhe duhet tju merren deklarimet përkatëse.  Do ndjekim procedurën duke i kërkuar prokurorisë që ta konsiderojë të paligjshëm këtë arrestim dhe nëse nuk e cilëson si të paligjshëm do i kërkojmë më pas gjykatës që ta vlerësojë dhe që të mos caktohet asnjë masë sigurimi ndaj tij”, tha avokati.