Ballina Aktualitet Atentati në Rinas sfidon statistikat e ministres Albana Koçiu

Atentati në Rinas sfidon statistikat e ministres Albana Koçiu

260
0

Atentati në Rinas, ku një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos, ndodhi vetëm pak orë pasi ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, raportonte në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes për sukseset e institucionit që drejton lidhur me sigurinë publike në vend. Koçiu u shpreh se Shqipëria është një vend i sigurt dhe i referohej faktave dhe shifrave.

“Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë”, tha Koçiu.

Por, për ironi, pasditen e sotme vendi u përgjak sërish nga një atentat me armë mes personave të lidhur me grupet kriminale, në një zonë ku lëvizja e qytetarëve është e madhe.

Atentati i Rinasit duket si një “karma” për të sfiduar fjalët e bukura të ministres se Shqipëria është vend i sigurt. Armët e bandave kriminale krisin në çdo moment, madje edhe në mes të ditës dhe në zona ku patrullimi policor konsiderohet i madh, pranë aeroportit të vetëm të Shqipërisë.

Urojmë që ministrja t’i përvishet punës për të parandaluar këto ngjarje që rrezikojnë jetët e qytetarëve, dhe të mos e konsiderojë rastin thjesht si një statistikë për propagandën e radhës./vna