Ballina Kosovë Hill: Millosheviqi mendonte se po hiqnim dorë nga Rugova për UÇK-në. Demaçi...

Hill: Millosheviqi mendonte se po hiqnim dorë nga Rugova për UÇK-në. Demaçi nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunohej

73
0

Christopher Hill u pyet pse ish-udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmendi me emër Hashim Thaçit gjatë takimit të tyre.

“Millosheviqi mendonte se ne po largoheshim nga [Ibrahim] Rugova dhe mendonte se ishte gabim i rëndë sepse mendonte se atij i duhej të merrej me UÇK-në, që kishte qëndrim të ashpër. Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur”, tha Hill.

Sipas Hillit, Millosheviq ishte i shqetësuar se “ne do ta mënjanonim Rugovën dhe të zgjidhnim UÇK-në si partneren tonë. Pse shqetësohej për këtë, nuk jam i sigurt”.

Ai tha se ndjesi të tillë kishin edhe të tjerët dhe kishte edhe brenda SHBA-së që mendonin se duhej komunikuar më shumë me UÇK-në.

Trupi gjykues e pyeti Hillin për Adem Demaçin. Sipas diplomatit amerikan në pension, Demaçi ishte një person që kishte qëndrime të ashpra ndaj Serbisë dhe “një lloj mllefi” pasi kishte qenë i burgosur.

“Ai nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje, të punoje në një dokument. Kishte opinione shumë të forta. Por, në aspektin e bashkëpunimit ishte i vështirë dhe ne nuk ishim të interesuar ta promovonim atë si person”, tha Hill.

I pyetur nëse ishte kundër që Demaçi të bëhej pjesë e ekipit për në Rambuje, Hill tha se nuk ishte në favor që ai të merrte rol udhëheqës.

“Në mungesë të komandës, kishte luftë mes njerëzve për pozicione. Ai mendonte se kishte vuajtur më shumë dhe mendonte se i takonte një rol udhëheqës. Unë nuk doja që ai të ishte personi që ta konsolidonte këtë rol. Ishte shqetësim”, tha ai. / REL