Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në prezantimin e projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2026”, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deklaroi se shërbimi ushtarak nuk është anuluar ligjërisht, por vetëm pezulluar me vendim të Këshillit të Ministrave, çka e bën të mundur rikthimin e tij në çdo moment, në varësi të nevojave dhe kërcënimeve të sigurisë kombëtare.
Vengu njoftoi gjithashtu se qeveria ka miratuar mëngjesin e sotëm (12 nëntor) aktin e fundit të paketës së akteve nënligjore për shërbimin rezervist, si hapin e parë drejt krijimit të një force rezerviste kombëtare.
“Shërbimi ushtarak nuk është anuluar asnjëherë ligjërisht, është i sanksionuar në Kushtetutë dhe legjislacionin e zbatueshëm sot, por me një VKM është pezulluar zbatimi i tij. Kjo nënkupton që në çdo moment është i mundur rikthimi sipas nevojave, kërcënimeve, vlerësimeve sipas një komponenti që është NATO. Kemi ndjekur disa hapa të tjerë, futjen e shërbimit rezervist, hapi i parë që synojmë të zbatojmë. Sot në mëngjes qeveria miratoi aktin e fundit të paketës së akteve nënligjore për shërbimin rezervist. Dhjetori mund të na gjejë në hapat e parë për krijimin e kësaj force, për të tërhequr sa më shumë njerëz e civil që mund ta japin kontribut e të paguhen për këtë shërbim javor, mujor apo disa vjeçare pranë FA”, deklaroi Vengu.
Ministri u shpreh se prioritet Ministrisë së Mbrojtjes për vitin e ardhshëm do të jetë forcimi i kapaciteteve luftarake të Forcave të Armatosura dhe krijimi i strukturave të reja operative në terren.
“Struktura e Forcave të Armatosura po forcohet kryesisht në kapacitetet e luftimit dhe jo vetëm në ato mbështetëse apo të emergjencave civile. Do të rrisim kapacitetin e Forcave Speciale dhe do të ngremë një regjiment të lehtë të mekanizuar, duke ndërtuar industrinë e mjeteve të blinduara në vend. Synojmë të zgjerojmë rrjetin e batalioneve në jug dhe veri të Shqipërisë”, deklaroi Vengu ndërsa shtoi se shtimi i forcave është i domosdoshëm për përmbushjen e objektivave të mbrojtjes kombëtare.
Duke u ndalur te modernizimi i flotës kombëtare, Vengu nënvizoi se pr.buxheti i vitit 2026 do të financojë fazën e parë të rinovimit të flotës kombëtare të emergjencave civile. Ministri bëri me dije se brenda vitit 2025 do të bëhet dhe demonstrimi publik për fillimin e linjës së këtij prodhimi.
“Ky pr.buxhet financon dhe fazën e parë të rinovimit të flotës kombëtare të emergjencave civile të prodhuara në Shqipëri.
Do mund të demonstrojmë dhe publikisht brenda këtij viti fillimin e linjës së atij prodhimi. Fundi i gjashtë mujorit të parë të vitit që vjen të na gjejë me një sërë mjetesh të ronovuara që agjencia kombëtare e mbrojtjescivle do mund t’ia transferojë bashkive”, tha ai.







