Ballina Opinion Reforma territoriale s’duhet të ketë lidhje me llogaritë elektorale

Reforma territoriale s’duhet të ketë lidhje me llogaritë elektorale

58
0

Nga Eduard Zaloshnja

Edhe nëse territori i Shqipërisë ndahet në 98 bashki (siç propozon PD-ja), edhe nëse mbetet me 61 bashki (siç është aktualisht), edhe nëse ndahet në 36 bashki (siç propozon PS-ja), llogaritë elektorale nuk ndryshojnë. Bazuar në votat e 11 majit në gjithë territorin e vendit, PS-ja mund të dominojë fort në shumicën dërrmuese të bashkive. Kjo, për arësyen e thjeshtë se koalicioni i PD-së me LSI-në, PR-në. etj. është shumë dobët elektoralisht kudo në territorin e vendit…

Kur të bëhet ndarja e re territoriale, nuk duhet të bëhen fare llogari elektorale. Thjesht duhet të mbahen parasysh kritere historike, gjeografike, ekonomike dhe kulturore.

Deri në vitin 1990, territori i Shqipërisë ishte i ndarë në 36 njësi vendore (rrethe). Ajo ndarje ishte bazuar në ndarjen territoriale të vitit 1928 (me ndryshime fare të vogla në substancë). Nga ana e saj, ndarja territoriale e vitit 1928 ishte bazuar në ndarjen territoriale të vitit 1912 (me ndryshime fare të vogla në substancë).

Përse kjo vazhdimësi historike?

Sepse ndarja territioriale ndër shekuj është bazur në kritere gjeogjafike, ekonomike dhe kulturore. Dhe karakteristikat e çdo krahine sipas këtyre kritereve kanë sjellë nevojën e krijimit të njësive vendore në secilën prej tyre. Është diçka që ka funksionuar historikisht. Nuk kemi pse e përmbysim!

Kuptohet që zhvillimet e dekadave të fundit mund të kërkojnë ndonjë ndryshim. Fjala vjen, në veri të Lumit Tiranë, kemi patur një zhvillim të jashtëzakonshëm në dekadat e fundit – në bashkitë aktuale Kamëz dhe Vorë, popullsia është 15-fishuar. Kështu që kjo pjesë veriore e ish-rrethit Tiranë, mund të të bëhet një njësi administrative e përbashkët, veçmas nga Tirana.

Edhe zona bregdetare nga LLogaraja në Nivicë ka patur një zhvillim të jashtëzakoshëm në dekadat e fundit. Edhe ajo ndoshta vlen të jetë një bashki më vete.

Për t’iu përshtatur kriterve të Bashkimit Europian, ndoshta mund të lihen 3 bashkiza të vogla të minoriteteve greke dhe maqedonase, pavarësisht se nuk justifikohen dot ekonomikisht.

Sidoqoftë, për ndarjen e re territoriale, nuk duhet menduar fare për llogaritë elektorale…