Ballina Ekonomia Ligji i ri për menaxhimin e mbetjeve, deri në 20 milionë lekë...

Ligji i ri për menaxhimin e mbetjeve, deri në 20 milionë lekë gjobë për import, eksport apo djegie të paligjshme

71
0

Është botuar në Fletore Zyrtare ligji i ri për menaxhimin e mbetjeve. Në dokument parashikohen ndalime të plota për importin, eksportin apo tranzitin e mbetjeve të rrezikshme dhe duke vendosur gjoba të rënda për shkelësit. Ligji i ri synon mbrojtjen e mjedisit dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që rrezikojnë shëndetin publik dhe ekosistemin, me masa që arrijnë deri në 20 milionë lekë për shkelje të rënda.

Ndalim absolut për importin e mbetjeve  

Sipas nenit 72, importi i çdo lloj mbetjeje, të rrezikshme apo jo të rrezikshme, ndalohet në mënyrë të plotë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, ndalohet kalimi tranzit i mbetjeve të rrezikshme përmes vendit. Çdo person që shkel këtë dispozitë dhe importon mbetje, dënohet me gjobë nga 10 milionë deri në 20 milionë lekë.

Tranziti i mbetjeve,  leje vetëm për mbetje jo të rrezikshme

Sipas nenit 73 përcaktohet se vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo ato inerte mund të kalojnë tranzit përmes Shqipërisë, dhe vetëm me autorizim të ministrit përkatës. Leja është e vlefshme deri në një vit dhe duhet të përmbajë detaje për sasinë, llojin, etiketimin dhe dokumentacionin shoqërues të mbetjeve.
Shkelja e këtyre rregullave dënohet rëndë: për tranzit të mbetjeve të rrezikshme, gjoba varion nga 10 milionë deri në 20 milionë lekë;

Për tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme pa autorizim, parashikohet një gjobë nga 5 milionë deri në 10 milionë lekë.

Ligji lejon eksportin e mbetjeve të rrezikshme, jo të rrezikshme dhe inerte vetëm me autorizim zyrtar të ministrit dhe në përputhje me rregullat ndërkombëtare të transportit. Autorizimi përcakton llojin e mbetjeve, dokumentet shoqëruese dhe standardet e paketimit, dhe është i vlefshëm deri në një vit. Çdo person që eksporton mbetje pa leje apo në kundërshtim me autorizimin përballet me një gjobë nga 10 milionë deri në 20 milionë lekë.

Për lëvizjet ndërkufitare do të ketë kontroll të centralizuar dhe transparencë. Ministria përkatëse do të mbajë një regjistër të detajuar për çdo transport të mbetjeve jo të rrezikshme brenda dhe jashtë territorit shqiptar. Këshilli i Ministrave do të përcaktojë gjithashtu pikat doganore të lejuara për eksport dhe tranzit, për të shmangur devijimet dhe shkeljet.

Ndalimet dhe dënimet për hedhje, djegie apo groposje të paligjshme

Po kështu ligji parashikon ndalime të qarta për veprimtari që dëmtojnë mjedisin dhe shkelin rregullat e trajtimit të mbetjeve. Konkretisht:

Ndalohen hedhja, braktisja, depozitimi apo groposja e çdo lloj mbetjeje në vende publike ose jopublike, kur kjo nuk lejohet, si nga individët ashtu edhe nga subjektet tregtare pa leje apo licencë.

Ndalohen gjithashtu të gjitha format e djegies së mbetjeve pa lejet dhe autorizimet përkatëse.

Nuk lejohet dërgimi apo pranimi në landfill apo impiante incinerimi i mbetjeve të grumbulluara në mënyrë të diferencuar, që janë të destinuara për ripërdorim ose riciklim, përveç rasteve kur incinerimi është i vetmi opsion i përshtatshëm sipas ligjit.

Sipas dispozitave ndëshkuese, individët që hedhin apo groposin mbetje në vende të palejuara, dënohen me gjobë nga 3 milionë deri në 4 milionë lekë; personat juridikë që kryejnë të njëjtën shkelje, përballen po ashtu me gjobë nga 3 milionë deri në 4 milionë lekë;

Djegia e mbetjeve pa leje dënohet në të njëjtën mënyrë, si për individët ashtu edhe për personat juridikë, me gjobë nga 3 milionë deri në 4 milionë lekë./ekofin.al