Ballina Aktualitet Lidhjet që çojnë deri te Ilir Proda: Si hyri Muçi Shaljani në...

Lidhjet që çojnë deri te Ilir Proda: Si hyri Muçi Shaljani në AMP me dokumente të falsifikuara

137
0

Detaje të reja kanë dalë në dritë duke implikuar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në skemën që çoi në futjen e Muçi Shaljanit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) me dokumente të rreme. Ngjarja e rëndë e dy ditëve më parë në Rinas, ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur Shaljani, po shpalos jo vetëm një atentat mafioz, por një zinxhir të tërë lidhjesh brenda strukturave të policisë.

Sipas burimeve të hetimit, personi përgjegjës për futjen e Shaljanit në AMP është Bruno Cara, i arrestuar mbrëmjen e kaluar nga vetë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Cara dyshohet se, përmes dokumenteve të falsifikuara, i siguroi Muçi Shaljanit certifikatën e pastërtisë së figurës, në mënyrë që ky i fundit të emërohej agjent i AMP-së – institucion që ka detyrë të hetojë korrupsionin dhe përfshirjen në krim të vetë efektivëve të policisë.

Por rasti merr një dimension tjetër kur në skenë del lidhja e drejtpërdrejtë familjare: Bruno Cara është kushëri i biznesmenit Ylli Cara, i njohur si mik i afërt i Ilir Prodës, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kjo marrëdhënie jo vetëm nuk është e panjohur, por konsiderohet nga hetuesit si hallka që ka mundësuar depërtimin e Shaljanit në një institucion që supozohet të garantojë integritetin brenda uniformave blu.

Rasti ka rikthyer vëmendjen te fenomeni i lidhjeve të nxehta midis strukturave policore dhe botës së krimit – një realitet që prej vitesh është bërë i zakonshëm në Policinë e Shtetit. Në shumë raste, bandat ose individët e lidhur me to shfaqen si zgjatime të policisë, ndërsa segmente të policisë funksionojnë si zgjatime të rrjeteve kriminale.

Në momentin e atentatit, Muçi Shaljani – i njohur si “Sheqeri” – shoqëronte Gilmando Danin, një emër i njohur i botës së krimit, që u ekzekutua në vend. Vetë fakti që një agjent i AMP-së, i futur me dokumente të falsifikuara, gjendej në krah të një figure të tillë kriminale në një atentat të planifikuar, ka ngritur alarmet për kapjen dhe komprometimin e institucioneve që duhej të ishin gardiani i ligjit.

Hetimet po vijojnë, por panorama e deritanishme tregon një skemë të qartë: falsifikim dokumentesh, lidhje familjare, ndikim te drejtuesit më të lartë të policisë dhe depërtim të elementëve të botës së krimit në institucionet që duhet t’i kontrollojnë ata.

Në pritje të zhvillimeve të reja, ngjarja e Rinasit po përforcon bindjen se kriza e besimit në Policinë e Shtetit nuk është thjesht problem i një individi, por i një strukture të tërë të degraduar nga lidhjet e saj me krimin./vna