Ballina Dossier Basketbollisti Besnik Çela: Durrësi shtëpi e lindjes së basketbollit shqiptar

Basketbollisti Besnik Çela: Durrësi shtëpi e lindjes së basketbollit shqiptar

233
0

Bulevard news*

Ekipi kombëtares së volejbollit shqiptar, në të cilin lozte edhe Besnik Çela, mundi në kampionatin evropian që zhvillohej në Gjrrmani ekipe të mëdha si Spanjën, Islandën, Luksemburgun. Fagu mori kupën si shënuesi më i mirë, kurse ekipi shqiptar u cilësua më korrekti dhe më i disiplinuari në fushë.

Sportisti Besnik Çela me karrierë të gjatë si basketbollist në disa ekipe shqiptare si dhe në ekipin kombëtar e ka cilësuar Durrësin si maternitet i basketbollit shqiptar. “Studenti”, “Partizani”, “Dinamo”, tre ekipet e kryeqytetit dhe që përbënin boshtin e kombëtares shqiptare në këtë sport, në mënyrë të përvitshme kanë marrë ajkën e basketbollit të Durrësit duke fituar trofe të shumtë. Çela i përket brezit të basketbollistëve të kohës së Fagut, Çaçit, Zaçes, Mushit, Dherit, Vorfas, Papavangjelit që ishin edhe krenaria kombëtare e. Basketbollisti Besnik Çela që e nisi karrierën tek “Labonoti” për të mbyllur me “Lokomotivën” ka vlerësuar përpjekjen e trajnerëve dhe mësuesve të edukimit fizik për masivizimin e sporteve deri në vitet 1990, ndërsa ka pohuar gjithashtu se futja e politikës partiake në sport, shitblerjet dhe eksodi i sportistëve e kanë dëmtuar shumë rëndë volejbollin, futbollin, basketbollin, gjimnastikën dhe sportet e tjera. Në këndvështrimin e Çelës, i cili i sheh gjakftohtë problematikat e shumta të sporteve, thotë se tregues domethënës për rënien e nivelit dhe humbjen e besimit në gara të denja sportive është prania shumë e paktë e dashamirësve të sportit në shkallët e stadiumeve, këndet sportive dhe në pallatet e sporteve.

Fillesat dhe udhëtimi sportiv

Bensik Çela e ka nisur karrierën sportive në moshën 12 vjeç, pikërisht në kohën që përzgjidhen edhe talentet për t’u bërë më pas pjesë e ekipeve të para të rinjve, të rinjve dhe ekipit kombëtar. Ka qenë profesor Akil Striga, emri të cilit është edhe sot e kësaj dite shumë i njohur në Elbasan, që e nxiti të rriste treguesit sportiv, t’i përkushtohet stërvitjes dhe rregullave të rrepta të sportit. Pas mbush moshën, bëhet pjesë e ekipit të “Labonotit” që asokohe ishte në kategorinë e parë, në atë kategori ku loznin emrat më të shqurara të basketbollit për të gjitha epokat deri më tani. Për shkak të treguesve shumë pozitiv dhe karakterit të fortë Çela me 8 maj 1975 bëhet pjesë e ekipit kombëtar të basketbollit në moshën 24- vjeçare.Pas transferimit familjar në Durrës, ai do të federohet në ekipin vendës të cilit do të përkushtohet për 10 vite, nga 1976 deri më 1988 me një ndërprerje dyvjeçare për shkak të kryerjes së detyrimit ushtarak. Rezultatet mjaft të mira të sportistit nxisin bankinën e “Partizanit” të kërkojë me këmbëngulje marrjen e të riut Çela në ekip. Trajneri dhe stafi drejtues e kishin përgjuar mirë ecjen sportive të tij ndaj dhe nuk lanë gur pa lëvizur për t’ia rrëmbyer Durrësit. Por në kampin e “Partizanit” djaloshi i lindur në Gjirokastër, i përgatitur si sportist në Elbasan dhe që lozte me fanellën e Durrësit u bë pjesë e kundërshtisë. Konkurenca e fortë mes basketbollistëve që bëheshin pjesë e formacionit të “Partizanit” ngjallën hapur xhelozinë, megjithatë asgjë nuk do të ndryshonte në piketat e vëna nga trajnerët të cilët kishin mbështetjen e padiskutuar të strukturave më të larta të shtetit shqiptar të atyre viteve. Dy fletëthirrje të njëpasnjëshme dhe shkulje veshi si masë paraprake e afrimit të ndëshkimit, e detyruar Çelën t’i bindet planeve të kurdisura në Tiranë. I riu nuk e pati të vështirë të përshtatej pasi u prit ngrohtësisht nga Fagu, Çaçi, Zaçe liderët e basketbollit shqiptar, mbështetja e të cilëve ishte shprehje e drejtpërdrejtë e pëlqimit dhe miratimit të një vendimi të drejtë në të mirë të ekipit. Me “Partizanin” qëndroi 2 vite dhe me të kryer shërbimin ushtarak u rikthye në Durrës. Rikthimi kujtohet nga Çela si një periudhë e shoqëruar me shumë telashe pasi vet basketbollisti kërkonte me ngul të kthehej në Durrës, kurse “Partizani” këmbëngulte për të mos e lënë të lirë. Madje iu afrua edhe mundësia për t’u veshur nën uniformë si oficer në shërbimin ushtarak, gjë që u refuzua. Durrësi dhe institucionet e qeverisjes ekzekutive e politike kishin protestuar që në kohën kur Çelën e marrin me forcë në ushtri, ndërsa rikthimin e tij e panë si tregues i lidhjes së të riut me jetën e qytetit dhe sportdashësit, ndaj i afruan menjëherë të drejtën e studimit për në Institutin e Kulturës Fizike, një fakultet i dytë por që i shërbente profesionit si basketbollist profesionist dhe më pas si trajner. Basketbolli në Durrës ishte shumë i njohur dhe i përhapur, tejet argëtues për qytetarët të cilët nuk linin ndeshje pa tejngopur pallatin e sportit. Në formacionin e “Lokomotivës” bënin pjesë Spiro Otova, Bujar Gashi, Sokol Hyseni, Niko Profkola, Nusret Reka, Vladimir Agarai…Durrësi pati trajner të mëdhenj dhe me peshë kombëtare. Sportistët dhe sportdashësit e kanë të vështirë ta kuptojnë basketbollin në qytetin bregdetar jashtë emrave të trajnerëve Niko Hercek, Bashkim Taga dhe Dhimitraq Goga. Kultura e tyre e gjerë, edukata qytetare, vullneti, durimi dhe serioziteti bënë që Durrësi të kthehej në “Maternitet i prodhimit të basketbollistëve shqiptarë”, siç e cilëson Besnik Çela. Nisur nga meritat dhe përkushtimi krejt i veçantë si dhe rezultatet e njëpasnjëshme i këtyre trajnerëve, Çela dhe shumë sportistë ndajnë të njëjtin mendim që fare pak është bërë për të respektuar emrat e mëdhenj të trajnerëve. Ata shkojnë edhe më tej duke thënë se emrat e Taga, Goga dhe Hercek meritojnë të përjetësohen në institucione social-kulturore të Durrësit. Falë tyre ekipet e Tiranës dhe ekipi kombëtar i mbante gjithnjë sytë nga Durrësi që ka furnizuar kombëtaren, “Studentin”, “Tiranën”, “Partizanin”, disa herë edhe “Dinamon” me basketbollistë. Për 21 vite Besnik Çela iu përkushtua tërësisht sportit duke lënë gjurmë së bashku me bashkësportistë të ekipit dhe trajnerë të tjerë.

Ndëshkimi politik

Besnik Çela pas largimit nga ekipi si trajner, për shkak të kunërshtimit që i bëri politizimit të sportit, e vuajti dhe e vuan edhe sot pasojën. Atë e detyruan t’ia kthejë krahët palestrës dhe pallatit të sportit, ndërsa për 5 vite do të endet në kërkim të një pune. Asnjëra nga dy diplomat nuk i hyri në punë në një kohë që gjithandej merreshin në administrata e institucione militantë edhe të paarsimuar. Në vitin 1999 pasi konkuron fiton të drejtën e punësimit në doganë si doganier. Por edhe këtu nuk do e kishte të gjatë ngase në vitin 2001 e pushojnë nga puna ndonëse ishte ndër të paktët doganierë të trajnuar nga të huaj dhe të paisur me të gjitha kualifikimet. Çështja kalon në Komisionin e Shërbimit Civil, komision i cili me vendim numër 27, datë 6.2.2002 vendos të anullojë urdhërin numër 53, datë 4.1.2001 të drejtorisë së përgjitshhme të doganave dhe detyrimin e kësaj drejtorie për t’i paguar Çelës të gjitha pagat e kohës së qëndrimit pa punë. Por vendimi i këtij komisioni i përbërë nga Liri Jani, Gojard Cerga, Shahin Bistri, Roland Përmeti dhe Nexhat Gjuzi nuk u përfill nga drejtoria e përgjitshhme. Çela u detyrua kësisoji të niste ankesën në një tjetër drejtim, këtë herë tek Avokati i Popullit. Institucioni Avokatit të Popullit me shkresë të datës 2.4.2004 i jep të drejtë të plotë shtetasit Besnik Çela dhe qorton për neglizhencë në zbatimin e vendimit drejtorinë e përgjitshhme të doganave duke e ngarkuar atë me përgjegjësi ligjore. Në këtë shkresë madje Avokati i Popullit cilëson “ Drejtoria e Përgjitshhme e Doganave vazdhon të shfaqë qëndrime zyrtare të parregullta e të paligjshme…”. Megjithatë edhe sot e kësaj dite asnjë institucion shtetëror dhe gjyqësor nuk ka mundur të detyrojë këtë drejtori t’i nënshtrohet ligjeve të shtetit shqiptar. Besnik Çela ka trokitur edhe në dyert e deputetëve dhe shtetarëve disa herë në këto 10-12 vite të cilët as që e kanë vënë ndonjëherë ujin në zjarr. “Këtu tek ne ka pleshta parlamentarë që shkojnë sa andej-këndej, që dinë të bëjnë llapën”,-është shprehur Çela i cili nuk ka më të voglën shpresë se do të mund të stabilizohet një ditë.

Intervista 

Karriera juaj sportive nis në Elbasan për t’u pjekur në Durrës. Për 13 vite keni qenë pjesë e ekipit Kombëtar të basketbollit, ndërsa plot 21 vite ia keni kushtuar sportit.

Profesori im i parë që më mësoi basketbollin me shumë pasion është Akil Stringa, në Elbasan. Aty mori rrugë karriera ime në moshën 12- vjeçare për të vazdhuar deri në vitin 1994 i lidhur ngushtësisht me basketbollin fillimisht si sportist dhe si mësues i përgatitjes së klasave sportive dhe së fundi si trajner. Me 8 maj 1975 për herë të parë jam bërë pjesë e ekipit kombëtar dhe kam marrë pjesë në fazën eleminatore në gjysmëfinalet e kampionatit evropian. Kampionati zhvillohej në Volfenbytel të Gjermanisë. Atje zumë vendin e tretë në grup. E humbëm për një pikë. Për një pikë, jo për një kosh. U kualifikua Polonia. Ndeshja ishte direkte. Rrahëm Suedinë, Islandën, Luksemburgun. Grekët na mundën dhe pas tyre polakët futan ndaj nesh me vetëm një pikë diferencë. Trajneri Bujar Shehu punoi shumë gjatë stëvitjes, me formacionin dhe përzgjedhjen. Ekipi ynë përbëhej nga Agim Fagu, Kastiot Mushi, Refik Vorfa, Aleksandër Dheri, Viktor Papavangjeli, Roland Avrami, Mimo Rusi. Lider ekipi ishte Fagu i cili fitoi kupën e shënuesit më të mirë, kurse ekipi shqiptar u cilësua më i disiplinuari dhe më korrekti. Pas stërvitjes na shëtitnin në qytete të ndryshme dhe na argëtonin me koncerte. Pritjet dhe përcjelljet në Gjermani kishin një model të veçantë organizimi, çdo gjë bëhej me frymë kombëtare, me taban kombëtar në veshje, valle, vegla e instrumente muzikore, ceremeni. Ishte traditë e detyrim dhe shprehje të plotë e vendosmërisë për të ruajtur traditën. Për 13 vite në përbërje të ekipit kombëtar të basketbollit kam marrë pjesë në takime të rëndësishme duke qenë pjesë e formacionit në ndeshjen përballë ekipeve si: “Partizani” Beogradit; “Honvend” Hungarisë; “Bërna” Çekisë; “Limasol” Qipro dhe me ekipe kineze. Gjatë viteve 1972-1976 me “Labonotin” e Elbasanit; 1976-1988 me “Lokomotivën” dhe në vitet 1978-1980 me “Partizanin”. Basketbollistët durrsak ishin nyje e fortë dhe kockë e pakapërcyeshme për skuadrat e tjera. Gjatë kampionatit të vitit 1981-82 “Lokomotiva” ishte bërë e frikshme edhe për “Partizanin” dhe “Dinamon”, që ishin në kryesim të tabelës. Fitojmë në Durrës, fitojmë në Tiranë dhe në rrethe disa takime të forta dhe vendimtare.

Me përfundimin e karrierës sportive si basketbollist i jeni kthyer punës për përgatitjen e sportistëve të rinj si trajneri i sportklub “Teuta”.

Për një kohë të gjatë jam marrë me përgatitjen e talenteve në sport dhe me klasat sportive nëpër shkolla. Koha e para viteve 1990 stimulonte klasat sportive. Shkollat ishin të klasifikuara për basketbollin, volejbollin, futbollin, gjimnastikën, atletikën. Punohej në shkollë e jashtë saj, me fëmijë, të rinj dhe prindër. Këta të fundit na luteshin të pranonim fëmijët e tyre në këto klasa që ishin kthyer në argëtim dhe edukim për moshat. Atëherë një klasë sportive e basketbollit e kishte në program 12 orë basketboll, kështu edhe me sportet e tjera. Sot nuk ka më një ndarje të tillë dhe as përkushtim serioz. Nuk do të merrte dikush guximin të bënte trajnerin me një pagë 12 mijë lekë në muaj, duke parë se çfarë do i falë dikush për atë punë e sakrificë. Pra nuk ka përkushtim, nuk ka interesim as nga privati për të ndërtuar shkollë private sportive. Veç saj sot sporti është bërë pazar, treg, trukim ndeshjesh dhe për një trajner këto janë të papranueshme. Koha ime si trajner përkoi me ndryshimet e mëdha politike në vend. E them këtë pasi sporti pati pasoja të mëdha dhe të pariparueshme. Nga njëra anë ishte politizimi partiak që nisi të manifestohej gjithnjë dhe më ndikues. Nga ana tjetër ekspodi, ikja e thuajse të gjithë sportistëve. Mbaj mend se në fillim të viteve 1991 më thërret Mehmet Karakushi, sekretar i komitetit të partisë në Durrës dhe që merrej drejtpërdrejtë me mbikqyrjen e aktiviteteve sportive. Karakushi ishte dhe fatmirësisht mbetet njeri shumë i nderuar dhe i respektuar, funksionar që diti të ruante ekuilibret pavarësisht funksionit të vështirë. Kisha shumë respekt për të, si të gjithë qytetarët e Durrësit, ndaj nuk e kundërshtova për të marrë detyrën e trajnerit. “Teuta” në basketboll ishte në kategorinë e dytë. Nisa nga e para. Djemtë më të mirë kishin ikur në emigracion. Tetë muaj m’u desh dhe në vitin 1992 “Teuta” rikthet në kategorinë e parë. Ndërtova strategji të re, ndërsa në këtë sukses më ndihmoi ardhja në ekip e basketbollistit Sabri Rustemi i cili ishte deri atëherë në Tiranë. Ndeshja e fundit që vendoste fatin e qëndrimit në kategorinë e dytë, apo ngjitjen në të parën e përcaktoi ndeshja jonë përballë “Luftëtarit” e Gjirokastrës të cilin e mundëm me 30 pikë diferencë. Kështu vazdhoi për pak vite pasi më 1994 e lashë profesionin e trajnerit. Shkak u bë kërkesa që vinte nga rradhët e politikës për të krijuar në sport sindikatën e pavarur. E kundërshtova duke u përpjekur t’i bindja se ishte e pajustifikueshme një kërkesë e tillë, ngase sporti nuk kishte pse të politizohej. Kaq u desh dhe ata që morën pushtetin më larguan nga puna. Kjo qe edhe lamtumira ime me sportin të cilit i jam përkushtuar për 21 vite. Fati e deshi që pas vitit 1995 e deri më sot të mos stabilizohesha më në asnjë pune ndonëse jam me dy fakultete dhe një sërë kualifikimesh.

Thoni se eksodi dhe trukimi ndeshjeve kanë dëmtuar rëndë sportin në vendin tonë.

Sporti shqiptar nisi të degradojë që në fillim të viteve 1990, por pasojat e ndien në vitin 1992. Thuajse nuk mbeti asnjë futbollist, volejbollist, basketbollist, atlet pa provuar të ikë nga Shqipëria. Iku bërthama e sportit, ikën ata që mbushin stadiumet, pallatet e sporteve, sheshet e rrugicat. Ikën ata që u dhanë jetë dhe emër qyteteve. Ekipi “Teuta” e pësoi shumë. Sabri Rustemi e mbylli karrierën për shkak të moshës, ndërsa dy qendrat: Edhe Zhani Noti e Sokol Hyseni dorëzuan tek më të rinjtë fanellat e tyre. Agim Belba 198 cm dhe Ardian Zaimi edhe ky 198 cm i gjatë ikën në Itali me eksodin.  Durrësi mbeti shumë shpejt edhe pa Bujar Sulejmanin një talent i lindur. Iku edhe Spiro Hotova basketbollist shumë i mirë. Pra një nga një u larguan ata që ishin krenari sportive. Për të mos mjaftuar kjo, sporti u përfshi nga biznesi, trukimet e ndeshjeve, pazaret që nuk ishin dëgjuar ndonjëherë në Shqipëri. Koeficentët e llotove janë tregues i pazareve, janë tregti pasi ato kanë një pikë orientimi. këtë e dinë të gjithë sot. Ne bënim marrëveshje për t’i lënë këtij apo atij ekipi ndeshjen. Mbaj mend se si na u kërkua që t’i jepnim mundësi Tropojës dhe djemve të saj të ngjiteshin në tabelën e klasifikimit. Ua lamë ndeshjen dhe çfarë ndodhi? Nisi të ndërtohej dhe u ndërtua këndi sportiv në Tropojë: stadium i lojrave me dorë, palestër, u krijuan klasat sportive, u rrit interesimi dhe Topoja e basketbollit, e volejbollit u bë ndër ekipet më të forta falë edhe trajnerit Bajram Elezi. Pra bëmë atë që i shërbente një rrethi të tërë, një qyteti të tërë, pa më të voglin përfitim personal. Sot nuk ka ekipe zinxhirë. Nga dalin talentet? Hyri ekonomia e tregut dhe duhet kohë që sporti të marrë veten. Fillimisht sportin e dëmtoi eksodi e politizimi, pastaj pazaret e pandershme dhe jemi këtu ku stadiumet dhe pallatet e sporteve rrinë bosh.

Besnik Çela datëlindja 1953, Gjirokastër

Arsimi mesëm në Elbasan, shkolla mekanike

Transferohet familjarisht  në Durrës 1976

Arsimi lartë Instituti Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, fakultetit Matematikë-Fizikë

Arsimi i lartë Instituti Kulturës Fizike “Vojo Kushi” Tiranë

Arsimtar 1980-191 në shkollën Manzë, gjimnazi “Gjergj Kastrioti” dhe “7 Nëntori” Durrës

Volejbollist nga mosha 12 vjeç deri më moshën 35 vjeç

Volejbollist me ekipin “Labonoti”, “Lokomotiva”, “Partizani” 1972-1988

Volejbollist në Kombëtaren Shqiptare 1975-1983

Trajner i ekipit “Teuta” 1991-1994 për basketbollin, meshkuj, të rritur

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!