Ballina Kuriozitete Ndaloi në orën 2:20 të mëngjesit kur anija po fundosej, ora e...

Ndaloi në orën 2:20 të mëngjesit kur anija po fundosej, ora e artë e pasagjerit të Titanikut del në ankand për mbi 1 milion euro

120
0

Një orë xhepi prej ari, e cila i përkiste Isidore Strauss, njërit prej pasagjerëve të pasur të Titanikut, i cili vdiq më 14 prill 1912, do të dalë në ankand më 22 nëntor nga Henry Aldridge & Son, me një vlerësim deri në një milion paund. Ora u gjet nga trupi i tij disa ditë pas fundosjes së anijes.

Isidore Strauss, biznesmen amerikan i lindur në Bavari, politikan dhe bashkëpronar i dyqanit Macy’s në Nju Jork, udhëtonte me gruan e tij, Ida, kur Titaniku goditi një ajsberg dhe u fundos, duke marrë jetën e më shumë se 1,500 personave. Aida refuzoi një vend në një nga varkat e shpëtimit për t’ia mbajtur pranë burrit të saj; trupi i saj nuk u gjet kurrë.

Ora, një Jules Jurgensen 18 karatësh, ndaloi në orën 2:20 të mëngjesit kur anija po fundosej. Besohet se ka qenë dhuratë nga Ida për Isidoren në vitin 1888 dhe mban inicialet e tij të gdhendura. Pas gjetjes së trupit të Strauss, ora iu kalua familjes, derisa stërnipi i tij, Kenneth Hollister Strauss, e riparoi dhe e restauroi atë.

Ankandisti Andrew Aldridge nga Henry Aldridge & Son tha për BBC-në: “Me orën po ritregojmë historinë e Isidorit. Është një pjesë e mrekullueshme e kujtesës historike.”. Ora do të shfaqet në ankand së bashku me një letër të rrallë nga Aida, e shkruar gjatë udhëtimit, në të cilën ajo përshkruan luksin dhe ambientet e jashtëzakonshme të Titanikut: “Çfarë anijeje! Kaq e madhe dhe kaq madhështore e mobiluar,” shkroi ajo, letra e cila mban vulën postare “TransAtlantic 7” nga zyra postare e Titanikut. Henry Aldridge & Son do të ofrojnë të dy artikujt më 22 nëntor, me letrën e vlerësuar në 150,000 £. Ora pritet të bëhet një nga reliket më të shtrenjta të Titanikut që janë ofruar ndonjëherë në ankand.